Mimi Kodheli kthen ushtrinë në “azil pleqsh”, rekruton 55-vjeçarët si oficerë të… NATO-s!Të rinjtë dergjen rrugëve pa punë

427
Sigal

”Rilind” shtabi i Elbasanit, shkelen kriteret për rekrutimin e ushtarakëve
aktivë me punësime familjarësh e militantësh

 

Nga Maksim TUFA

 

Harbohet “Rilindja” duke mbushur me militantë partie e familjarë të moshës
së tretë edhe strukturat e NATO-s në Shqipëri. Kjo ka ndodhur në Elbasan dhe ka
vulën e “kapitenes” së “Rilindjes”, Ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli. Mund të
punësosh 55-65 vjeçarë drejtor e zyrtarë kudo, por që të guxosh e të mbushësh
ushtrinë strukturë të NATO-s me pleq me detyra drejtues të shtabit të ushtrisë,
kjo është anormale. Duket se ministrat dhe qeveritarët e tjerë të “Rilindjes”,
nuk ndalen në rrugën e tyre të shkeljes së ligjeve, rregulloreve, vendime
kushtetuese, dhe gjithçkaje tjetër që lidhet me mbarëvajtjen e shtetit, kur
është fjala për partinë, interesat klanore dhe private. Për “Rilindjen”, partia
është mbi gjithçka, edhe mbi Shqipërinë, ndaj në dikastere ka afro 4 vjet, që
gjithçka ecën dhe rrotullohet vetëm mbi interesat e “Të Madhit” dhe jo
interesat kombëtare. Pothuajse çdo ditë, çdo javë çdo muaj, do të konstatosh me
fakte shkeljet ligjore që nisin nga lart dhe përfundojnë deri poshtë. Një
situatë e tillë është padyshim edhe në ministrinë e Mimi Kodhelit, e cila duket
se me vartësit e saj “specialistë të punëve ushtarake” ka rënë në ujdi për të
përmbushur çdo detyrë “partie” të “Rilindjes”. Burime të sigurta nga Komanda e
Elbasanit i thanë “Telegraf” se “ditët e fundit, me urdhër nga “Rilindja”
(partia),  janë veshur ushtarakë e pakta
15 persona të moshës 55 vjeçare, (kryesisht nga zonat rurale) të cilët  kishin habitur gjithë personelin e reparteve,
në një kohë që kriteret e pranimit të ushtarëve dhe ushtarakëve janë të
përcaktuara nga NATO dhe strukturat e saj, ku veç arsimimit, duhet të jetë edhe
mosha e tyre”. Sipas burimit  “të gjithë
ishin ose ish-nënoficerë të dalë në pension ose militantë të zellshëm të
“Rilindjes” me të cilët ajo do të trimërohet 
sërish në fushatën elektorale të 2017”. Ushtarakët e Komandës së
Elbasanit, prej 3 vitesh po përjetojnë një klimë terrori  dhe presioni psikologjik, jo vetëm nga
“komandantët” me grada të dyshimta, por edhe nga ata që vishen nga partia  dhe që sot duhej të ishin pranë zjarrit të
oxhakut, duke gëzuar moshën e pensionit. Sipas të njëjtit burim mësohet se
“personat e veshur me uniformën e ushtarakut lara-lara, fillimisht u caktuan
tek vend-rojet, por shumë shpejt ata protestuan dhe janë lënë në fushë të lirë,
të gjuajnë ndonjë fjalë lart e poshtë, të marrin informacione se “kush shan
partinë, kush shan ministren, kush shan komandantin, kush spiunon tek gazetat”
dhe t’i raportojnë ato pastaj tek vendi caktuar, për  të marrë rrogën e majme. Aderimi i Shqipërisë
në NATO, me detyra dhe të drejta të barabarta, duket se është keqkuptuar dhe
keqpërdorur gjithmonë, pikërisht nga Ministria e Mbrojtjes. Duke mos dashur të
bëjmë histori, mjafton të përmendim faktet e viteve të fundit, sipas të cilave,
konstaton fare lehtë se janë shkelur ligjet dhe rregulloret e ushtrisë
gjithmonë që ka pasur interesa partie dhe interesa personale, nga titullarët e
saj. Shkelje është edhe marrja e pensionistëve dhe veshja e tyre me uniformën e
ushtrisë, shkelje është tallja dhe abuzimi me mallin e ushtrisë, mungesa e
transparencës për shitjet dhe demontimin e armatimeve dhe municioneve,
shkelje  është  përgjimi, shkarkimi  dhe largimi pa asnjë motivacion i çdo zëri
ndryshe, që kërkon zbatimin e ligjit dhe kërkon të dijë çfarë po bëhet me
personat që akuzohen dhe denoncohen për afera korruptive. Shkeljet ligjore në
dikasterin e Mbrojtjes, asnjëherë nuk janë marrë seriozisht edhe nga organet e
hetimit, pasi ato janë  ujdisur, falsifikuar  dhe justifikuar në çdo rast si “ngjarje të
ndodhura para vitit 2013”, por që në fakt, në këto 4 vite që qeverisjes së
“Rilindjes”, ushtria dhe strukturat e saj kanë qenë të vetmet që nuk kanë
pësuar asnjë ndryshim pozitiv, duke thelluar degradimin  total të saj. 
Mbushja e Komandove Ushtarake në rrethe me pensionistë, mbetet risia më
negative e cila po kthehet në njollë turpi për Ministrinë e Mbrojtjes, në një
kohë që ka me qindra të rinj që kanë mbaruar shkollat e larta dhe që sot nuk po
merren nga “Rilindja” as për roje vendkomande.