Milva Ekonomi “bën kurban” 600 milionë lekë tender konsulence ditën e Bajramit

509
Sigal

Shërbimet e
konsulencës janë një nga tenderat më të preferuara për shumicën e
institucioneve qeveritare. Në disa raste, këto tendera kanë shërbyer për të
mbushur xhepat e biznesmenëve që financojnë fushatat e partive politike. Por
kur këto tendera bëhen në një mungesë të theksuar transparence me publikun,
atëherë situata paraqitet akoma edhe më dramatike. Gazeta “Telegraf” disponon
dokumente se Agjencia Kombëtare e Turizmit, ka hapur një thirrje për
pjesëmarrje në tender me objekt “Shërbim konsulence” për promovimin dhe
hartimin e strategjisë së zhvillimit në fushën e turizmit. Tenderi ka një fond
limit prej rreth 600 milionë lekësh, ndërkohë që pritet të zgjasë për një
periudhë 12-mujore që nga momenti i lidhjes së kontratës. Por kjo aferë për
shërbime konsulence ngre hije të forta skandali, pasi Agjencia Kombëtare e
Turizmit e ka shpallur në 12 shtator njoftimin në Agjencinë e Prokurimit Publik
dhe po në 12 shtator është zhvilluar edhe tenderi. Sipas të dhënave të siguruar
nga gazeta data e dorëzimit të dokumentacionit për shprehje interesi është 12
shtatori në orën 10:00 ndërsa afati kohor për hapjen e kërkesave është sërish
në të njëjtën datë dhe orë, pra 12 shtator ora 10:00. E sikur të mos mjaftonte
kjo, 12 shtatori është një festë botërore si ajo e Kurban Bajramit dhe e gjithë
administrata është pushim. Por për pushtetarët, kjo festë shihet si një mundësi
e mirë për të grabitur në ditën me diell fondet publike. Ende nuk dihet se kush
është kompania e cila ka fituar këtë tender në një ditë pushimi dhe në një
procedurë të dyshimtë. Tenderi prej 600 milion lekësh për shërbime konsulence
për Agjencinë Kombëtare të Turzimit vjen në një kohë kur sezoni turistik veror
që shënon kulmin e turizmit në Shqipëri, ka përfunduar. Shpenzimet marramendëse
për konsulencë turizmi janë të panevojshme teksa mijëra shumë qytetarë rreken
për të siguruar çdo ditë ushqimin për mbijetesë. Dyshime të forta lindin sesi
do të përdoren këto para për rritjen e turizmit gjatë dimrit nga kompania që ka
fituar tenderin. Agjencia Kombëtare e Turizmit është në varësi të Milva
Ekonomi, Ministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.