Milo: Politika gjermane ndaj Shqipërisë nuk ndryshon

571
Gjermania nuk duhet të lejojë që varka e integrimit të plotë të Ballkanit Perëndimor në BE të marrë ujë, tha në bisedë për “Dojçe Velen” Paskal Milo, ish-ministër i Jashtëm, politikan dhe historian. “Mendoj që përfaqësimi i ri politik në Bundestagun gjerman nuk do të ndikojë në politikën e Gjermanisë, si ndaj Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe Shqipërisë. Argumentet në favor të mosndryshimit të politikës gjermane: Fituesit e zgjedhjeve janë CDU/CSU dhe kancelarja Merkel. Nuk ka arsye që ata të rishikojnë një kurs politik në marrëdhëniet me Ballkanin Perëndimor, që e kanë përcaktuar vetë, që ka gjetur mbështetje dhe ngjallur shpresa në rajon”, u shpreh Milo. Sipas tij, e vetmja rezervë që mund të shfaqet mund të vijë nga partnerët e rinj të koalicionit të mundshëm qeverisës me liberalët dhe të gjelbërit. “Kjo është thjesht një hipotezë, sepse në programet e këtyre dy partive nuk janë shfaqur qëndrime që të kundërshtojnë perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër, vetë SPD nuk ka arsye të kundërshtojë një politikë për të cilën ka qenë dakord në bashkëqeverisjen me CDU/CSU dhe për më tepër ka pasur drejtimin e Ministrisë së Punëve te Jashtme, gjatë dy mandateve të fundit”, u shpreh ish-ministri i Jashtëm. Sipas tij, për sa i përket AfD për shkak të qëndrimeve të saj ksenofobe mund të priten rezerva në Bundestag për politikën gjermane në Ballkanin Perëndimor, për masa restriktive dhe kushtëzime për vendet e rajonit, veçanërisht ndaj çështjes së emigrantëve. Milo shtoi se Gjermania është lokomotiva e Bashkimit Evropian. “Procesi i Berlinit, që kancelarja Merkel inicioi në 2014 në adresë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka si synim kryesor përgatitjen e këtyre vendeve për anëtarësimin e plotë në BE. Kjo është sa përgjegjësi aq edhe sfidë për Gjermaninë dhe kancelaren Merkel, që nuk mund ta lënë një proces të iniciuar vetë në mes të rrugës, pasi ka të bëjë me një objektiv të rëndësishëm të politikes së tyre evropiane. Se cilat do të jenë ritmet e angazhimit të Gjermanisë në procesin e zgjerimit, mbetet për t’u parë dhe kushtëzohet nga dy arsye: e para, nga solidariteti i mbështetjes edhe të vendeve të tjera anëtare të BE, e dyta nga vetë angazhimi i vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor për të plotësuar standardet dhe kushtet e kërkuara. Pa lënë mënjanë zhvillimet e pritshme brenda vetë BE, kur njihen vështirësitë aktuale dhe vendimi për të mos pranuar ende edhe për disa vite anëtarësime të reja”, tha ish-ministri i Jashtëm.
Sigal