Milo i kthen krahët PS, marrëveshje me Vasilin: LSI nuk i hedh aleatët në kosh

666
Paskal Milo një ditë pasi deklaroi se nuk do të bëjë marrëveshje me Ramën, sepse nuk ndihej i vlerësuar, i është bashkuar LSI-së duke besuar te vlerat e saj 
Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos nënshkruan marrëveshje me Lëvizjen Socialiste për Integrim të Petrit Vasilit. Paraditen e djeshme në një dalje nga selia e LSI, Vasili tha se bashkëpunimi do të shtrihet edhe përtej zgjedhjeve, duke e cilësuar si një marrëveshje të natyrshme. Madje ai u shpreh i hapur për bashkëpunim me forca të tjera politike që synojnë mbështetjen e votës së lirë. Nga ana e tij Milo tha se marrëveshja nuk drejtohet kundër një partie të tretë, por për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe para së gjithash në interes të gjithë shqiptarëve. Vasili e ka cilësuar këtë një moment politik të rëndësishëm dhe sinjifikativ, pasi në këtë marrëveshje sipas tij është ndërtuar një bashkëpunim politik. “Besoj që është një moment politik shumë pozitiv, ku ne ecim në hullinë e një bashkëpunimi politik, por edhe në mënyrë të veçantë dhe etik dhe qytetar, në këtë moment ku politika shqiptare ka nevojë më shumë se çdo gjë tjetër për këtë komunikim të këtij dimensioni dhe me këto përmasa edhe të karakterit etik, por edhe të karakterit politik”, tha kryetari i LSI-së, Petrit Vasili. Ndërsa nga ana e tij, Milo e konsideroi marrëveshjen të natyrshme mes dy partive, të cilat sipas tij ndajnë vlera të përbashkëta dhe të gjithanshme. “Është një marrëveshje që institucionalizon një bashkëpunim, që do të materializohet gjatë fushatës zgjedhore, gjatë procesit të administrimit të votave si edhe në perspektivë gjatë qeverisjes së ardhshme të vendit. Është një marrëveshje, e cila nuk drejtohet kundër asnjë partie të tretë, por niset gjithmonë nga interesat për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të maksimalizuar rezultatin e partive tona dhe është para së gjithash në interes të gjithë shqiptarëve”, -tha Milo. Po kështu ai e konsideroi këtë pakt përmes të cilit do të arrihet një synim i vetëm, ai për ta pasur një rezultat maksimal të dy partive.

Milo tha në fjalën e tij se ky nuk është një bashkëpunim thjesht pragmatist, por një bashkëpunim vlerash të dy partive. “Prandaj, nuk më mbetet gjë tjetër veçse ta çoj këtë mesazh edhe përmes këtij mikrofoni në të gjithë anëtarësinë e Partisë Demokracia Sociale, që të shikojë në këtë marrëveshje që ne sapo kemi nënshkruar, një garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe në të njëjtën kohë një garanci, që Partia Demokracia Sociale merr nga një parti mike dhe partnere se do të ketë mbështetje të plotë në fushatën e saj elektorale dhe do të ketë një mbështetje të plotë në procesin e administrimit të votave, si edhe një perspektivë të qartë në bashkëqeverisjen e ardhshme të vendit. 

Për të gjithë këto vlera, kjo marrëveshje që ne sapo kemi nënshkruar është një marrëveshje shumë e dobishme dhe jo vetëm për dy partitë tona, por është e dobishme dhe model për mënyrën se si dy parti që ndajnë vlera të përbashkëta duhet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Ndonëse nuk na lejohet që të kemi një koalicion mbështetur në kodin zgjedhor për arsye tashmë të njohura, kjo është një formë dhe një mënyrë bashkëpunimi që na lejohet, që është e dobishme dhe që do t’i shërbejë të njëjti qëllim sikur të kishim një koalicion zyrtar midis nesh. Prandaj të gjithë duhet të shohin te kjo marrëveshje një model bashkëpunimi, një model që politika shqiptare duhet ta bëjë pjesë të kulturës së saj tani e në të ardhmen”, përfundoi Milo. 

Milo dhe Vasili iu përgjigjën edhe pyetjeve të gazetarëve të interesuar për atë që po ndodhte. Ata e pyetën Milon nëse kjo marrëveshje ishte e parashikuar kohë më parë. 
“Maksimalizimi i votës për ne nënkupton që kemi tashmë një koalicion vlerash ku shqiptarë do të shohin në këtë bashkëpunim midis dy partive vlerën tonë. Ne ngjallim besim tek elektorati shqiptar, sepse jemi dy parti të cilat do të bashkëpunojnë për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme në një kohë kur të tjerët po sillen shumë më ndryshe, në një kohë kur të tjerët nuk respektojnë partitë, në një kohë kur të tjerët përpiqen që partitë të humbasin identitetin e tyre politik dhe integritetin e tyre në këto zgjedhje, kjo marrëveshje shënon një sjellje tjetër politike. Është një marrëveshje që mbështetet në vlerat dhe si e tillë na paraqet neve para opinionit publik shqiptar si dy parti tek të cilat duhet të kihet besim, sepse nuk punojnë kundër të tjerëve, por bashkëpunojnë me të tjerët për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Dhe këtu e kam fjalën unë kur flas për maksimalizimin e votave të partive tona. Sepse LSI në këtë moment po dëshmon që është një parti e hapur, është një parti që e kërkon bashkëpunimin dhe e respekton atë dhe është një parti që vlerëson aleatët e partnerët dhe nuk i hedh ato përtej ose në kosh në një kohë kur të tjerët kanë dëshmuar gjatë këtyre viteve dhe gjatë këtyre ditëve të fundit një sjellje tjetër. Unë e nënvizova që kjo marrëveshje është një marrëveshje vlerash, nuk është marrëveshje që drejtohet kundër të tretëve”, u tha Milo gazetarëve. 

Po kështu pyetjeve iu përgjigj edhe kryetari i LSI-së Petrit Vasili
“Nuk desha të shtoj asgjë më shumë nga ato që profesor Milo tha. Që ne themel janë edhe arsyeja politike, por edhe etike e nënshkrimit të marrëveshjes. Bindja jonë ka qenë vetëm një: çdo forcë politike bashkë ndan me aleatët ato vlera programore dhe vlera morale. Këtu ne kemi afërsi të dukshme, që e bëjnë të natyrshme këtë marrëveshje. Së dyti, është shumë e rëndësishme për ne të bashkëpunojmë me ato parti që ndajnë të njëjtën qasje ndaj votës së lirë dhe të ndershme. Së treti, raporti ynë me votën e lirë dhe të ndershme është një raport i patjetërsueshëm. Kemi mbështetur zbatimin e ligjit dhe mosprekjen e asnjë vote kurrë dhe në asnjë rast duke u nisur nga vetëdija jonë politike por edhe nga eksperienca negative e provuar në kurrizin tonë në të shkuarën”, deklaroi Vasili. Një tjetër interesim i gazetarëve ishte edhe fakti nëse Paskal Milo e kishte konsumuar apo jo më parë me kryeministrin Edi Rama mundësinë e bashkëpunimit në këto zgjedhje. 

“Së pari, unë nuk kam pasur mundësinë që të takoj z. Rama. Mund të kem mbi një vit e tre muaj që nuk e kam takuar dhe jo për fajin tim, kështu që kjo nuk mund të shtrohet si pyetje. Së dyti, Partia Demokracia Sociale në marrëdhëniet me partitë e tjera, cilado qofshin ato, është një parti sovrane që vendimet e veta i merr në gjykimin e saj dhe brenda institucioneve të saj dhe nuk i merr leje askujt cilido qoftë ai, si individ apo si subjekt politik, që të kushtëzojë marrëdhëniet me një parti tjetër. Aleancat nuk janë të përjetshme. Aleancat ndërtohen mbi bazën e parimeve, të objektivave të përbashkëta dhe në momentin që njëra palë as nuk respekton parimet e bashkëpunimit, as nuk respekton edhe marrëveshjet e nënshkruara, atëherë aleancat zhbëhen në mënyrë të natyrshme. Jo për fajin tonë si Parti Demokracia Sociale, sepse ne kemi qenë vazhdimisht shumë korrektë në zbatimin e marrëveshjeve që kemi nënshkruar me partnerët tanë të djeshëm dhe po kështu do të jemi shumë korrektë me gjithçka tjetër që marrim përsipër si përgjegjësi politike në marrëdhëniet me partitë e tjera. E kemi dëshmuar me kohë këtë dhe do ta dëshmojmë akoma më me forcë edhe gjatë këtyre zgjedhjeve”, përfundoi fjalën kreu i Partisë Demokracia Sociale.
Sigal