Militanti pa diplomë, emërohet drejtor

821
Sigal

Emërimet, me urdhër nga Tirana, nga ministra e deputetë. Janë me dhjetëra të tjera të kësaj natyre. Reagon ashpër baza e LSI-së

 Një i ri pa diplomë, në krye të Hipotekës së Librazhdit, institucionit më të rëndësishëm e më problematik, ku kanë trokitur për 23 vite qytetarët për të konfirmuar pronësinë apo për të kërkuar një pronë që ja kanë grabitur të tjerët me dokumente false e me ryshfete. Ky është një nga skandalet e hapura, në ‘ditë me diell’ që koalicioni qeverisës i ‘Rilindjes’ aplikon në zëvendësimet masive në administrate, përfshi dhe institucionet më të rëndësishme. Ky emërim, që ka emra konkretë dhe forcën politike që shpërblen militantin që punoi për ‘të në fushatë, ka ngjallur indinjatë tek militantët e koalicionit të Majtë dhe vetë brenda funksionarëve më të lartë, përfshi ministra e deputetë të forcës politike që e ka zgjedhur. I emëruari në krye të hipotekës së Librazhdit, prej gati një jave, është Adri Çota, student në Tiranë, por që nuk ka përfunduar studimet dhe nuk ka marrë diplomën, një nga elementët kryesorë të kërkesës ligjore për këtë funksion të rëndësishëm. “Drejtori i ri i hipotekës së Librazhdit, është përfaqësues i LSI-së. Në emërimin e tij ka ndikuar një ministër dhe një deputet i kësaj force politike, si shpërblim të kontributit të Çotës në Qarkun e Elbasanit në shtabet e deputetëve të LSI-së. Ky emërim i jashtëligjshëm, është bërë me ndërhyrjen direkt të drejtuesve të LSI-së, por është kundërshtuar në opinion dhe nga vetë drejtuesit lokal të kësaj force politike”,- shtojnë burimet e besueshëm për “Telegraf”.

SKANDALI

Studenti Çota ka vetëm shtatë ditë që është emëruar në krye të hipotekës së  rrethit të Librazhdit dhe emërimi i tij jo vetëm që ka bërë bujë po ka shokuar të gjithë qytetarët e këtij rrethi, por dhe më gjerë. Duhet theksuar se, ai si person, është një njeri shumë i mirë, por këtu bëhet fjalë për një titullar të rëndësishëm shtetëror e jo për dëshmi sjelljeje të mirë siç jepeshin dikur në shkolla e universitet. Kështu, drejtori i ri që do ta drejtojë hipotekën e Librazhdit për katër vite, nëse LSI që e drejton këtë drejtori do të vazhdojë ta mbajë atë drejtor pa diplomë të shkollës së lartë në xhep dhe pa asnjë orë eksperiencë pune. Drejtori i ri i hipotekës së Librazhdit, Andri Çota  ende nuk e ka marrë diplomën  e shkollës së lartë. Për më tepër, minuta e parë e punës së tij është në zyrën e drejtorit të hipotekës!. “Që të jesh drejtor i hipotekës duhet të jesh jurist dhe këtë gjë, ligji e ka të shkruar më së miri  dhe të paktën të kesh pesë vjet eksperiencë pune në administratën shtetërore dhe jo sapo të kesh mbaruar të lartën për Inxhinieri Ndërtim dhe ende të mos e kesh marrë diplomën, si rasti në fjalë. Por kur në fakt nuk flet ligji, por miku dhe ministri, i cili dihet publikisht që me drejtorin në fjalë ka një lidhje miqësore shumë të fortë (lidhur ndoshta në fushata) nuk është e nevojshme të kesh diploma apo master në xhep dhe as eksperiencë pune. Burimet nga Universiteti i Tiranës për gazetën “Telegraf”, konfirmon se  studenti me emrin Andri Çota nuk është diplomuar ende. Ndaj ne i bëjmë thirrje prokurorisë, gjykatës dhe të gjithave institucioneve përkatëse që të hetojnë mbi këtë emërim skandaloz. LSI-ja, ka në Librazhd intelektualë e profesionistë të fushave përkatëse, por ato nuk afrohen në institucione. Ndaj ne kemi një mesazh për  kreun e LSI-së që të ndërhyjë për këtë emërim nepotik që është bërë dhe të vendosë njerëz të aftë, profesionistë e në përputhje me ligjet, jo me gjoja konkurse të paravendosura”,- pohuan mbështetës të LSI-së për gazetën “Telegraf”.

FENOMENI

Mësohet se rasti i mësipërm, nuk është i vetmi në listën e gjatë të emërimeve në administratë në Librazhd e në institucionet e Qarkut të Elbasanit, brenda kufijve administrativë të të cilit ndodhet dhe Librazhdi. Më praktike, më shpërblyese në emërimet e reja është treguar LSI, e cila ka afruar në poste të rëndësishme militantët e saj, duke mos konsideruar edhe kërkesat thelbësore të ligjit për funksionet përkatëse. Në të njëjtën linjë, është dhe PS. Por kjo forcë politike, duket më e mefshtë, pasi shumë drejtues, ende i ka lënë me statusin e ‘të komanduarit’. “Janë shumë skandale në emërime, jo vetëm se po largohen dhe shumë specialistë nga administrata e po zëvendësohen nga të afërt me PS e LSI, por po bëhen emërime në kundërshtim të hapur me kërkesat e ligjit. Bie fjala, janë emëruar kohët e fundit prefektë që ka kohë që kanë dalë në pension, njerëz që kanë biznese, por nuk kanë shkollë, kryetarë lokal të këtyre partive në hipoteka e dogana… Titullari i Qendrës Spitalore jo vetëm ndërron partitë sipas maxhorancave (herë me PD, herë me LSI), por dhe qytetet, herë në Përrenjas, herë në Librazhd”,- shtojnë burimet për “Telegraf”.

REAGIMI

Mbështetësit e LSI-së, por dhe të PS-së, për raste të njëjta me emërimin skandaloz në hipotekë, kanë reaguar ashpër për këto emërime që janë jo vetëm nepotike në shumicën e rasteve, por dhe në kundërshtim të plotë me ligjin. Ndërsa në opinion, ka një pakënaqësi të hapur me qeverisjen aktuale, e cila me këto emërime, jo vetëm që nuk jep shpresë për realizimin e  premtimeve në fushatë, por rrezikon përkeqësimin e më tejshëm të situatës aktuale. “Lidhur me emërimin e fundit në hipotekën e Librazhdit, ka pasur kundërshtime jo vetëm tek drejtuesit e saj lokal, por dhe mes deputetëve e ministrave. Por, me sa duket, ka dominuar më i ‘forti’. Nga dega lokale e LSI-së në Librazhd mësohet se ka pasur një reagim të fuqishëm, shoqëruar dhe me informacion për kreun e  LSI-së Ilir Meta që të ndërpresë këto emërime skandaloze. “Ne shpresojmë që të ketë reagim në këtë aspekt, ndryshe, ne nuk kemi pse të mbështesim ashtu si në fushatë më ata që na premtuan shpresën, por po ulin në karrige të afërmit e tyre e të pashkollët”,- shtojnë burimet e mësipërme..

 Altin XHYRA