Milionerët e institucioneve qendrore dhe “bejlerët” e qyteteve kryesore

557
Shpesh përfliten pasuritë e vëna me shpejtësi rrufe nga zyrtarët e lartë dhe politikanët që e kanë konsumuar përgjatë këtyre 25 viteve pushtetin. Shpesh atyre u bëhen edhe llogaritë bazuar apo jo në deklaratën e tyre të pasurive, por asnjëherë nuk preken dhe nuk hetohen zyrtarët milionerë të rretheve, ata që punojnë dhe drejtojnë në poste kyçe. Edhe ata janë të pasur, edhe ata kanë prona dhe llogari të konsiderueshme bankare, madje kanë edhe para në qindra e miliona euro të mbyllura në bankat e vendeve fqinje. Duke u ndalur në qytete kryesore si në Durrës, Elbasan, Fier, Vlorë, Korçë, Shkodër, Gjirokastër, Dibër dhe pothuaj në të 61 njësitë e reja administrative mëson se edhe në këto qytete veprojnë milionerët e rinj. Ka milionerë në çdo institucion, në çdo sektor ku futet paraja e buxhetit të shtetit, apo atje ku kryhen shërbimet jetike për jetën e njeriut, apo atje ku jepet drejtësia e pronave, apo e shkeljeve abuzimeve dhe llojeve të tjera antiligjore e kriminale. Duke u bazuar mbi disa informacione të sigurta dhe në rrugë operative mësuam se në njësitë e reja administrative është krijuar shtresa e milionerëve. Ata kanë qenë dhe gjenden në institucionet e shtetit, kryesisht ata me mbi 20 vjet eksperiencë pune, por edhe ata që nuk kanë mbushur 5 vitet në poste dhe zyrat e shtetit, duke nisur nga mjekët, doganierët, gjyqtarët, prokurorët, juristët, drejtorët e institucioneve dhe duke përfunduar tek pedagogët, dekanët, të gjithë të pasuruar jo me biznes, por me para qyl. Jo më pak të pasur janë edhe titullarët e drejtësisë, drejtuesit e policisë, drejtuesit e pikave kufitare, të hipotekave dhe doganave, të porteve, të ministrive të linjës që kanë lidhje me shoqëritë koncesionare, të Autoritetit Rrugor dhe Ministrisë së Transporteve, të drejtorive shëndetësore dhe Ministrisë së Shëndetësisë, të Naftës dhe Gazit dhe Ministrisë së Energjisë, etj. Ata kanë në dorë sot jetën ekonomike të qytetit, drejtojnë dhe japin tenderat, milionat e investimeve, ata sot japin vendime që dalin ndesh hapur me ligjin, ata kanë sot në dorën dhe xhepin e tyre krejt organikën e punësimit dhe largimit për të mbajtur njerëzit e bindur. Ka prej tyre që kanë drejtuar sektorë jetikë të qytetit si mjekësia, arsimi, policia e ushtria, gjykatat dhe organet e hetimit, dhe kanë ikur prej postit duke palosur milionat me të cilat kanë blerë pa bërë pazar fare prona pa fund. 
Statistikat e frikshme në Elbasan
Por ku janë ata sot, ku janë dhe ku gjenden milionerët e shtetit në Elbasan.
Në mjekësi-spital-shërbimi i shëndetit publik – Janë 24 persona me pasuri që shkon nga 250 mijë euro deri 2.5 milion euro.
Në Gjykatë – Janë 13 persona që kanë një pasuri që shkon nga 300 mijë euro deri 2 milionë euro. 
Në Prokurori – Janë 7 persona që kanë një pasuri që shkon nga 250 mijë euro deri 1 milion euro.
Në avokaturë e noteri- Janë 10 persona që kanë një pasuri e cila varion nga 300 mijë euro deri 1 milion euro, dhe janë pikërisht ata që marrin mbi 90 për qind të çështjeve për t’i “mbrojtur”, apo janë pikërisht ata noterë që kryejnë mbi 90 për qind të noterizimeve në pronat e qarkut, duke lënë të tjerët me gisht në gojë, prej muajsh e vitesh. 
Në Polici – Janë 15 persona që kanë një pasuri nga 150 mijë euro deri 700 mijë euro.
Në banka –Janë 10 persona që kanë një pasuri, e cila nis nga 250 mijë euro deri 1 milion euro.
Në arsim – universitet- ish-drejtues- pedagogë- Janë 23 persona që kanë një pasuri, e cila varion nga 400 mijë euro deri 1.5 milion euro. Mëgjithëse KLSH deri tani, me auditimet e saj, ka zbuluar me dhjetëra abuzime të fondeve publike në shumë ministri, askujt zyrtari deri tani nuk i ka hyrë “gjëmbi” në këmbë, nuk e ka prekur fare ligji, pasi institucionet që kanë detyrën kshtetuese të hetojë dhe të gjykojnë, çuditërisht, heshtin.
Dinamika e milionerëve të tjerë në qytete të tjera është disafish më shumë, për shkak edhe të resurseve që kanë këto qytete, ndryshe nga Elbasani.
Pasurimi i kastave të vjetra dhe të reja
E gjithë kjo kastë, e cila sa vjen e pasurohet, ka pas më të rinjtë që kanë nisur rrugëtimin e tyre për të arritur pasurinë përrallore. Pazaret e vendimeve, proceseve gjyqësore, dosjeve hetimore, pazaret me jetët e njerëzve dhe zhvatjen e parave nga investimet, mbeten në plan të parë. Nuk mbeten mbrapa edhe garuesit e shërbimeve të tjera, siç janë avokatët dhe noterët, shefat e policisë, pedagogët dhe pozicionet e tjera të drejtimit të arsimit dhe institucioneve të tjera. Kushdo që ka drejtuar dhe ka ikur nga posti, e pakta ka ikur me një pasuri prej 150 mijë euro, e cila është 5 fishuar më pas me shitjen e pronave të fituara gjatë kohës që kishte në dorë “zgjidhjen” e halleve dhe problemeve të qytetarëve. Këtu futen toka, objekte, pallate dhe vila të ndërtuara, apo të blera në Elbasan, apo zonat turistike bregdetare e malore. Ka milionerë të këtyre rangjeve, që kanë deri 18 apartamente në Elbasan, dhe që kanë nisur t’i japin me qira, apo t’i shesin. Shtresa e milionerëve në rrethe është krijuar dhe ka ardhur qetë-qetë në rrugën e saj, duke iu shmangur rreziqeve të ligjit. Ata kanë krijuar imunitetin e tyre, rrjetin e tyre, dhe i gjenden njëri-tjetrit sa herë u kanoset ndonjë hetim, ndonjë kallëzim, apo ndëshkim ligjor. Ata nuk i prek as “dekriminalizimi”, që pritet të miratojë Kuvendi, pasi e quajnë veten me mburrje “të paprekshëm”. 
Sigal