Miliona lekë për lustrokracinë e zbukurimeve të Vitit të Ri, përse të mos u dhurohen familjeve pa bukë?

443
Mbrëmë kryebashkiaku i Tiranës, inauguroi stolisjen e qendrës së Tiranës me rastin e Vitit të Ri. Madje, së bashku me bashkëshorten, kryebashkiaku Erion Veliaj këndoi me fëmijët e kryeqytetit këngë të gëzueshme, duke u përkujdesur, si gjithnjë, që të përcjellë në media dhe në publik profilin e një populisti. Më 29 nëntor, me rastin e festës të çlirimit të Atdheut, po kryebashkiaku Erion Veliaj, organizoi edhe një koncert të madh festiv, ku ftoi edhe këngëtarin britanik John Newman, të cilit i “dhuroi” për mundimin që këndoi edhe 500.000 euro. Buxheti i shtetit për 2016 parashikon më pak fonde për ndihmën sociale, nuk parashikon rritje rrogash dhe pensionesh, parashikon shkurtime vende pune nga administrate publike, ndërkohë që parashikohen investime në 30 milionë euro për rikonstruksione fasadash të ministrive, për mobilime zyrash.

Lustrokracia e pushtetit që përbuz varfërinë e qytetarëve
Bashkia e Tiranës as sot, as kurrë nuk ka bërë publike, sesa miliona lekë do të shpenzojë për festimet e Vitit të Ri, sikurse nuk ka bërë publike dhe transparente, sesa miliona lekë harxhoi për festimet e festave të nëntorit. Mirëpo, ajo që është bërë e ditur, është se në buxhetin e Bashkisë së Tiranës janë pakësuar fondet për ndihmën sociale të bashkisë për qytetarët dhe familjet që nuk kanë asnjë qindarkë të ardhur, për të papunët, ndërkohë që në mënyrë gjeometrike shtohet numri i familjeve të varfra. Bashkia në Këshillin Bashkiak të radhës kërkoi dhe u miratua edhe shtimi i disa taksave që do të vjelë nga qytetarët dhe bizneset, me pretekstin se duhet të përdoren për të rritur shërbimet për qytetarët. Bashkia e Tiranës, ditët e fundit miratoi edhe taksat që do t’u marrë banorëve të kryeqytetit për parkimet e makinave në rrugë.

 Mirëpo, deri tani këto fonde nuk u shpërndahen qytetarëve në nevojë, por harxhohen për lustrokracinë e zbukurime fasadash. Bashkia e Tiranës vetëm me 500.000 euro që dha për këngëtarin britanik, mund të shpërndante mjaftueshëm për Vitin e Ri dhurata për familjet e varfra, që këto ta ndjenin konkretisht dorën dhe përkujdesin e Bashkisë së tyre. Sikur qytetet tona të mos stolisen për Vitin e Ri, por milionat lekë t’u dhurohen familjeve që nuk kanë bukë të hanë. Sikur të mos harxhojmë miliona lekë për zbukurime fasadash për Vitin e Ri, sepse këto zbukurime janë velloja e hipokrizisë së pushtetit, ndaj varfërisë absolute të qytetarëve të thjeshtë. Do ta bënim festën e Vitit të Ri më bujare, më njerëzore, më të ngrohtë për bashkëqytetarët tanë të varfër!

Ata që i emëruan doganierët e korruptuar, nuk kanë përgjegjësi?
7 doganierët që u arrestuan për korrupsion, Lula Njebza, Mirarbër Teneqexhiu, Alfred Bushi, Adrian Alikaj dhe Syrja Misiraj, Ortenca Zorba dhe Elona Jareci, do të përgjigjen para ligjit për krimin e tyre. Mirëpo, kush i ka emëruar këta doganierë? Të gjithë vijnë nga forumet e partisë, kanë qenë komisionerë në qendra votimi, kanë kontribuar për fitoren e partisë dhe u shpërblyen me vendet e punës në dogana. Këta doganierë të korruptuar nuk u emëruan me meritokraci, ndaj sot duhet të mbajnë përgjegjësi edhe ata që i emëruan. Ministri i Financave, deputeti i zonës, koordinatori i partisë për qarkun, shefi i kuadrit të partisë, duhet të përgjigjen politikisht dhe moralisht, që kanë emëruar në dogana njerëz pa karakter, njerëz pa aftësi profesionale, njerëz të inkriminuar, që shpërdorojnë, abuzojnë me detyrën dhe korruptojnë. 

Nëse sot, 7 doganierët janë në burg, ata që i emëruan këta doganierë, duhet të shkarkohen, sepse kanë shkelur ligjet e shtetit dhe kanë inkriminuar strukturat dhe institucionet shtetërore me emërimet nepotike dhe partiake që kanë bërë. Asnjë nëpunës i ulët nuk mund të vjedhë, të abuzojë, të korruptojë në detyrën që ushtron, nëse nuk ka mbrojtjen e drejtuesit të madh të institucionit, nëse korrupsionin nuk e ndajnë midis tyre. Kur buxheti i shtetit për 2016, parashikon ulje të të ardhurave nga doganat, ndërkohë që, njëkohësisht lulëzon korrupsioni në dogana, kjo do të thotë që korrupsionin në dogana drejtuesit e çdo rangu të institucioneve, që nga ministria e Financave, që nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, nuk duan ta luftojnë korrupsionin, sepse, ndoshta edhe ata vetë përfitojnë pjesën e “luanit”. 
Sigal