Miliona euro të pista në fushatë zgjedhore, askush nuk heton

481
Edhe pse Kodi Zgjedhor e përcakton me ligj afatin e fushatës zgjedhore, edhe pse KQZ ka publikuar që më 22 maj fillon zyrtarisht fushata zgjedhore, praktikisht subjektet zgjedhore kanë mëse 1 muaj para afatit, që kanë filluar fushatën zgjedhore. Prapa kësaj shkeljeje të Kodit Zgjedhor, që në dukje është një shkelje e thjeshtë procedurale, problemi më i madh dhe më i pakontrollueshëm është shuma që subjektet zgjedhore, kandidatët në zgjedhje shpenzojnë, dhe kurrë nuk ndodh që këta të bëjnë transparent shumat e harxhuara në fushatë zgjedhore, burimet e financimit, donatorët financiarë. Madje, edhe vetë ligji i auditimi të burimeve financiare në fushata zgjedhore, është hartuar i tillë, që të mos bëhet kurrë e mundur hetimi i vërtetë i burimeve financiare, që harxhojnë realisht subjektet zgjedhore dhe kandidatët. 
Paradokset e auditimit të shpenzimeve zgjedhore
Auditimi i fondeve dhe shpenzimeve të fushatës zgjedhore parashikohet nga Kodi Zgjedhor në nenin 91 (ndryshuar me ligjin nr. 74/2012) 1, i cili thotë se ky audit bëhet jo më vonë se 5 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për çdo parti politike të regjistruar si subjekt zgjedhor, apo kandidatët e propozuar nga zgjedhësit, KQZ-ja emëron me short një apo më shumë ekspertë kontabël të licencuar, të përzgjedhur sipas nenit 92 të këtij Kodi, për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara për fushatën zgjedhore. Sipas prononcimit për gazetën “Telegraf” të ekspertëve të Kodit Zgjedhor, Kristaq Kume, ish kryetar i KQZ, Dëshira Subashi ish, zvkryetare e KQZ, Niazi Jaho, konstuticionalist, ata pohojnë se KQZ nuk mundet të monitorojë, apo auditojë shpenzimet financiare përpara se afati që parashikon Kodi Zgjedhor në nenin 91. Dhe, KQZ, në auditimin e saj, merr parasysh vetëm ato materiale financiare që i paraqitin subjektet zgjedhore dhe kandidatët. Edhe pse KQZ e shikon tani që subjektet zgjedhore, jo vetëm që kanë filluar 1 muaj para afatit fushatën zgjedhore, por shpenzojnë shuma të mëdha financiare, shumë herë më shumë se buxheti që KQZ u jep këtyre, nga buxheti i shtetit, dhe prapë nuk mund të monitorojë dhe auditojë këto shpenzime. 
Burimet e financimit të fushatës zgjedhore
Sipas Kodit Zgjedhor, neni 87/1 (shtuar me ligjin nr. 74 /2012) burimet e financimit të fushatës zgjedhore janë:
a) fondet e dhëna paradhënie nga Buxheti i Shtetit për partitë politike të regjistruara si subjekte zgjedhore;
b) të ardhurat e vetë subjektit zgjedhor të krijuara sipas ligjit;
c) dhuratat në vlerë monetare, natyrë ose shërbime të dhëna, sipas nenit 89 të këtij ligji;
ç) kreditë e marra nga partitë politike sipas ligjit. Në asnjë rast vlera e një kredie nuk duhet të kalojë shumën e parave, sipas pikës 2 të nenit 89 të këtij Kodi.
Kodi Zgjedhor, gjithashtu, sipas nenit 90 (ndryshuar me ligjin nr. 74/2012) parashikon që asnjë subjekt zgjedhor dhe kandidat nuk mund të shpenzojë pa limit shuma financiare për fushatën zgjedhore. Sipas nenit 90 të Kodit Zgjedhor, pika 2, thuhet se shpenzimi total që mund të kryejë një parti politike, përfshirë edhe kandidatët e tyre, për një fushatë zgjedhore nuk duhet të kalojë 10-fishin e shumës më të madhe që një subjekt zgjedhor ka marrë nga fondet publike, sipas nenit 87/3 të këtij Kodi. Çdo shpenzim i kryer për fushatën zgjedhore dokumentohet dhe kryhet duke respektuar legjislacionin tatimor në fuqi. Shpenzimi total që mund të kryejë kandidati i propozuar nga zgjedhësit nuk duhet të kalojë 50 për qind të shumës më të madhe që një subjekt zgjedhor ka marrë nga fondet publike, sipas nenit 87/3 të këtij Kodi.
Krimi dhe korrupsioni financojnë fushatën zgjedhore
Për çudinë e të të gjithëve, asnjëherë deri tani KQZ nuk ka nxjerrë asnjë përfundim me auditimet e saj në zgjedhjet parlamentare dhe vendore, që subjektet politike dhe kandidatët kanë harxhuar shuma më të mëdha nga ato që kanë vetdeklaruar. Mirëpo, ka ndodhur që vetë subjektet zgjedhore, kanë denoncuar kundërshtarin për shuma të mëdha finaciare që janë harxhuar në fushatë zgjedhore, e kjo kuptohet, për qëllime propagandistike dhe populiste. Madje edhe shumë donatorë të ndryshëm, herë pas here kanë (vet)publikuar fakte, dokumenta dhe shuma të mëdha, deri në miliona euro, që kanë financuar fushata zgjedhore të subjekteve zgjedhore, në një marrëveshje të heshtur midis tyre, dhe, kur kjo marrëveshje nuk është respektuar njëanshmërisht, është bërë denoncimi. Edhe në këto raste, asnjëherë KQZ, por as prokuroria nuk kanë marrë mundimin që të hetojnë këto denoncime për financim të fushatave zgjedhore me miliona eruro, të paligjshme, të padeklaruara, thjesht sepse jo vetëm që as KQZ dhe prokuroria nuk duan që të “prishin” marrëdhëniet me subjektet politike, nëse hetojnë, por ka një marrëveshje të heshtur, të pranuar nga të gjitha palët. Të gjithë i dinë faktet, i dinë burimet financiare, por heshtin, se të gjithë kështu veprojnë, pa përjashtim. Dhe për këtë heshtje, të gjithë shpërblehen. Sikurse, dihet, që shpërblimi i “ndihmës” financiare, që japin donatorë të shumtë subjekteve zgjedhore në fushatë zgjedhore, do të jenë lehtësirat që do t’u krijohen atyre nga shpërdorimi i ushtrimit të pushtetit nga subjekti zgjedhor që do fitojë në favor të donatorëve të tij financiarë. Askush nuk mund të dhurojë miliona euro subjekteve zgjedhore, vetëm ngë humanizmi, nga idealizmi apo nga utopizmi. Që këtu, te marrëdhëniet zgjedhore donatorë-subjekte zgjedhore fillon burimi i korrupsionit politik dhe ekonomik të atij pushteti që fitohet nga financimi i miliona euro të jashtëligjshme, të padeklaruara.
Kriminalizimi i kandidatëve
Të shumta janë edhe rastet kur vetë kandidatët marrin përsipër që të gjejnë ata burimet financiare të fushatës zgjedhore, duke bërë fillimisht kompromisin me subjektin zgjedhor, që t’u japin atyre mandatin e të zgjedhurit, sepse në të tilla raste, ata hiqen si shpëtimtarë ekonomikë të këtyre subjekteve zgjedhore e politike. Në kësi rastesh, asnjëherë subjektet zgjedhore dhe politike nuk marrin mundimin që të mësojnë se ku i gjen kandidati i tyre për pushtetin vendor, apo edhe për mandatin e deputetit, burimin e financave për fushatën zgjedhore. Madje nuk janë të paktë rastet, që partitë e dinë dhe janë të ndërgjegjshme që shuma të tilla financiare të kandidatëve të tyre, në rastin më të mirë, janë të paligjshme, të padeklaruara, të pa taksuara dhe në rastin më të keq, mund të vinë nga veprimtaria e botës së krimit. Kjo dukuri shpjegon përse shumë kandidatë të subjekteve zgjedhore edhe në zgjedhjet e 21 qershorit 2015 kanë rekorde kriminale, ndërkohë, që vetë subjektet zgjedhore nuk pranojnë që t’i heqin nga lista këta kandidatë, sepse kanë përparësi në politikë, jo transparencën, jo ndershmërinë, jo zbatimin e ligjit, jo standartet demokratike, por, fitoren e pushtetit me çdo mjet dhe me çdo çmim.
Sigal