Miliona euro të humbura në gjyqet ndërkombëtare me investitorin e hidrocentralit të Kalivaçit

436
Zbulohet pagesa për “Wragge Lawrence Graham & Co”, që është përfaqësuesja ligjore e Shqipërisë 
Të paktën 4 milionë euro ka paguar deri tani qeveria për avokatët që mbrojnë Shqipërinë në arbitrazhin ndërkombëtar kundër biznesmenit Francesco Beccheti. Pagesa është bërë ndaj firmës ndërkombëtare “Wragge Lawrence Graham & Co”, e cila është përfaqësuesja ligjore e Shqipërisë në dy çështje arbitrazhi që po shqyrtohen në gjykatën e arbitrazhit ICID të Bankës Botërore në Washington (SHBA) midis biznesmenit Becchetti dhe Republikës së Shqipërisë. 
Në nëntor 2014, Becchetti dhe partnerët e tij u ankuan në ICSID në lidhje me prishjen e kontratës së koncesionit për ndërtimin e një impianti të përpunimit të mbetjeve dhe prodhimit të energjisë elektrike prej tyre midis kompanisë së tyre “Albaniabeg” dhe qeverisë shqiptare. Ndërsa në nëntor 2015, Becchetti dhe kompania e tij “Hydro SRL”, e cila ka koncesionin e ndërtimit të hidrocentralit të Kalivaçit u ankuan në ICID në lidhje me dëmet ekonomike të shkaktuara nga vendimi i qeverisë për ngrirjen e të gjitha aseteve të Zotit Becchetti dhe kompanive të tij në Shqipëri. 
Për t’u mbrojtur në arbitrazh, qeveria Rama pajtoi firmën e njohur ndërkombëtare ligjore me qendër në Londër “Wragge Lawrence Graham & Co”. Procedurat e përzgjedhjes së kësaj firme dhe detajet e kontratës e pagesës së saj nuk janë bërë asnjëherë publike. Por ajo që dihet është se deri më tani firma ka paraqitur tre opinione të thelluara pranë ICID-it dhe ka dhënë dy përgjigje të pretendimeve të palës tjetër. 
Për këtë punë që ajo ka bërë është paguar të paktën 4 milionë euro me vendime të posaçme të qeverisë. Më 22 shtator 2015, Këshilli i Ministrave (KM) vendosi pagesën prej 220 mijë dollarë për shpenzime administrative të arbitrazhit dhe pagesën prej 200 mijë eurosh për avokatët mbrojtës. Po më 22 shtator 2015, KM vendosi pagesën prej 39 050 000 lekësh (rreth 280 mijë euro) për avokatët mbrojtës për çështjen e impiantit të plehrave. Më 9 dhjetor 2015, KM vendosi një pagesë shtesë prej 1,95 milionë eurosh për avokatët mbrojtës të çështjes së hidrocentralit të Kalivaçit. Më 2 nëntor 2016, KM vendosi një tjetër pagesë shtesë prej 1,18 milionë eurosh dhe 125 mijë dollarësh për avokatët mbrojtës të çështjes së hidrocentralit të Kalivaçit. 
Nisja e konfliktit
Konflikti mes qeverisë dhe biznesmenit Becchetti nisi pas zgjedhjeve të vitit 2013. Me ardhjen në pushtet, Kryeministri Rama anuloi dy koncesione dhënë Francesco Becchettit nga Qeveria Nano dhe të rinegociuara nga Qeveria Berisha: një për ndërtimin dhe shfrytëzimin e hidrocentralit të Kalivaçit dhe një për ndërtimin dhe shfrytëzimin e një impianti mbetjesh. Ndërkohë në vitin 2015, prokuroria po e heton Becchettin për mos pagim taksash dhe evazion fiskal. Akuzat fillestare ishin për pastrim parash dhe krijim të skemave mashtruese, por ato u reduktuan në çështje taksash. 
Ndaj Becchetti u lëshua urdhër arresti ndërkombëtar dhe iu sekuestruan të gjitha pasuritë, duke çuar ndër të tjera në mbylljen e televizionit “Agon Channel”, në verën e 2015-ës, duke hedhur në rrugë rreth rreth 500 punonjës. Hetimi ndaj tij është interpretuar nga vetë Bechetti dhe komentatorë të tjerë si sulm i qëllimshëm i qeverisë Rama, për shkak të qëndrimeve kritike të “Agon Channel” ndaj qeverisë. Deklaratat e Kryeministrit Rama pak minuta pas urdhrave të prokurorisë për sekuestrimin e pasurive të Bechettit u dhanë besueshmëri këtyre pretendimeve vërtetojnë këto dyshime: “Bllokimi i burimit të parasë së zezë që ushqente ‘Agon Channel’ është një sukses”. 
Në nëntor 2015, Zoti Becchetti u arrestua në Londër. Qeveria shqiptare kërkoi ekstradimin e tij. Në korrik 2016, gjykata angleze rrëzoi kërkesën e qeverisë shqiptare për ekstradim dhe urdhëroi ndërprerjen e çdo procedure të lidhur me këtë kërkesë. 
Gjykata angleze kundër qeverisë
Gjykata angleze zbuloi se qeveria shqiptare në kërkesën e ekstradimit kishte bërë, në mënyrë të qëllimshme, pohime të rreme përfshi keqinformim në lidhje me ligjet e Shqipërisë. Ajo i i cilësoi përpjekjet e qeverisë shqiptare “manipulim dhe uzurpim” të procesit gjyqësor. Për këtë arsye ajo vendosi kundër qeverisë shqiptare. 
Qeveria deklaroi fillimisht se do ta apelonte vendimin. Por ditën e fundit të afatit të apelimit, ajo njoftoi gjykatën angleze se nuk do të apelojë. Po ashtu, në fillim të vitit 2016, Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar i kërkoi qeverisë shqiptare të pezullojë procedimin penal dhe urdhrin e arrestit dhe ekstradimit kundër  Francesco Becchettit dhe partnerit të tij, Mauro de Renzis, deri në shqyrtimin e plotë të çështjes prej saj. Pavarësisht kërkesave të arbitrazhit, qeveria Rama vazhdon të japë miliona euro për “betejën” kundër Francesko Becchettit.
Sigal