Milena Harito: Unë u ktheva për të angazhuar eksperiencën e fituar nga karriera në Europë

583

Surpriza më e këndshme e Edi Ramës, si Kryetari i PS-së, është se solli, para një viti e gjysmë,  në politikë një intelektuale. Quhet Milena Harito,  e cila jeton për një kohë të gjatë në Paris. Shumëkush nuk e njihte, ndaj, fillimisht pati ngurrime, hamendësi, madje edhe dashakeqëse, duke i atribuuar Ramës familjaritet të sëmurë, pa dashur që të vlerësonin më parë aftësitë e Milenës. Ndërsa sot, të gjithë pranojnë zgjedhjen e (atëhershme) të Edi Ramës, për angazhimin e një intelektualeje që la Parisin, për të bërë politikë në Shqipëri, si risinë më të këndshme dhe, së bashku me risinë tjetër të Ramës, tashmë si Kryeministër, për angazhimin e brezit të ri të politikanëve në qeverisje,  e vlerësojnë si një pikënisje shpresëdhënëse e politikëbërjes së re në Shqipëri, drejt konceptimit dhe botëkuptimit demokratik europian. Ftesës për intervistë, zonja Milena, tashmë e emëruar si ministre,  nuk iu përgjigj me klishenë e mendjemadhësisë politike të shumicës “Faleminderit, po jam shumë e angazhuar, nuk kam kohë”. Përkundrazi. Erdhi te mjediset e “Tajvanit”, me këmbë, nga selia e PS-së, madje, kërkoi edhe ndjesë që u vonua 5 minuta nga orari që kishte premtuar. Me një ndjeshmëri të madhe, dikur, kur po bisedonim, Milena shfaq një ankesë: “Më ka prekur akuza kur thonë: Edi e mori në politikë se më ka  kushërirë”. “Ju ka prekur kaq shumë kjo akuzë?”, e pyes. “Po përse ta thonë?”.  Në të vërtetë Milena është farefisni e largët, kushëri e shtatë e zotit Rama, aq sa thotë me humor: “Kam frikë se zotin Berisha  mund ta kem kushëri më të afërt, nëse ai e ka gjenealogjinë e familjes së tij. Pemën gjenealogjike të familjes nga nëna për fat e kam që nga viti 1560  dhe do ta publikoj kur të vijë momenti”.

 

– Zonja Harito, ju u kthyet në Shqipëri të punonit, ngaqë ju ftuan të merreshit me politikë, apo e kishit vendosur, që të riktheheni e të punoni në Shqipëri?

Unë u ktheva për të angazhuar eksperiencën  e fituar nga karriera në Europë si  edhe vullnetin tim në betejën e madhe që gjithë njerëzit progresistë të këtij vendi  kishin më 23 Qershor 2013. Në aspiratën tonë të përbashkët për të rikthyer shpresën dhe besimin  tek një shoqëri, ku duhet të ketë drejtësi, ku e keqja quhet e keqe dhe e mira quhet e mirë. Ku nuk sundon ligji i xhunglës, por zbatohen ligjet e shtetit.

– Duke qenë se ju jeni nga një familje e madhe me tradita patriotike, ka qenë ëndrra juaj që të merreshit me politikë, ndërkohë, që ju keni një karrierë të shkëlqyer akademike dhe profesionale?

– Është e vërtetë që disa nga paraardhësit e mi nga babai, të paktën katër kanë qenë deputetë dhe një tjetër nga nëna ka qenë ministër në qeverinë e Fan Nolit. Por unë vetë kam ndërtuar prej vitesh një tjetër karrierë profesionale në fushën e teknologjisë së informacionit në fillim në Shqipëri e më pas shkallë pas shkalle në Francë. Ndaj mendoj që politika erdhi në jetën time, si diçka e natyrshme. Detyrimi im moral është të nderoj edhe të parët e mi,  dhe me   përkushtimin tim,  të meritoj mirëbesimin që më dhanë edhe zgjedhësit.

– Përse ju i thatë “po” ftesës që të merreni me politikë, kur ju keni një karrierë të shkëlqyer profesionale dhe akademike, madje në Paris?

– Ishte vendim i vështirë sigurisht. Por, në gjykimin tim, zgjedhjet e 2013-s ishin aq të rëndësishme, saqë kushdo, që e kishte mundësinë të angazhohej, duhet ta bënte këtë gjë.

– Çfarë ju tha bashkëshorti dhe fëmijët, kur ju u thatë se do të ktheheni në Tiranë?

– Sigurisht, nuk ju thashë “do të kthehem në Tiranë”. Biseduam gjatë me bashkëshortin dhe fëmijët, mbi arsyet e angazhimit tim, pasojat për ne të gjithë dhe e vendimin e morëm së bashku. Mbështetja e bashkëshortit ishte kusht themelor, pa të, sigurisht, nuk do t’i kisha hyrë dot kësaj rruge të vështirë.

– Po kolegët tuaj të punës në Francë, si e pritën vendimin tuaj që të riktheheni në Tiranë?

– Në të vërtetë kolegët dhe eprorët e mi e pritën më mirë, sesa e mendoja unë.  Ata më mbështetën, më krijuan shumë lehtësira, më inkurajuan, duke parë, besoj,  tek angazhimi im kontributin e vlerave europiane për Shqipërinë. Të jetuarit në jetën e përditshme në një demokraci funksionale të konsoliduar, të bën të besosh tek sistemi demokratik dhe meritokracia. Këto janë vlera, për të cilat Franca ka luftuar që prej dy shekujsh e më pas është përpjekur që t’i përhapë kudo.

– Sa e vështirë ka qenë vendimi  që ju të riktheheni në Shqipëri?

– Të gjithë vendimet e rëndësishme në jetë janë goxha të vështira: shkolla, profesioni që zgjedh, familja, fëmijët, vendi i punës. Në të gjitha këto faza zgjedh diçka, duke lënë mënjanë gjëra të tjera. Por mbështetja e njerëzve të afërt është ajo çka të lehtëson më shumë.

– Cila është këshilla që ju dha bashkëshorti për punën tuaj të re?

Më dha një këshillë shumë të çmuar: Prano, që në këtë rrugë, detyrimisht do të bësh edhe gabime.

– Po fëmijët? Prindërit?

Fëmijët, tashmë goxha të rritur, e shohin me shumë krenari angazhimin tim dhe për fat nuk ankohen për mungesën time fizike, të cilën mundohemi ta kompensojmë darkave në “Skype”. Por ka edhe  gjëra, ku nëna është e pazëvendësueshme, si të llojit, ” ku ndodhet bluza portokalli, që vishja në plazh vitin e kaluar ?”,  ose,  “cili është butoni, që vë në punë lavatriçen ?”.

– Nga vetë karakteri juaj, jeni shumë e ndjeshme ndaj kritikës së padrejtë. Jeni e gatshme, keni forcë të brendshme, së pari që të përballoni sfidat këtu?

– Ky është mësimi i parë që merr, kur i hyn politikës. Kritika e padrejtë është fatkeqësisht pjesë e jetës së përditshme. Por edhe inkurajimet, gjithashtu. Rruga, që kam përshkuar deri tani në jetë, më lejon të mendoj që forcën e brendshme e kam, por kjo gjë mbetet për t’u provuar çdo ditë.

– Çfarë mund t’i japë intelektualizmi juaj politikëbërjes dhe, nga ana tjetër, politika çfarë mund të japë te novacioni juaj intelektual?

Nuk do ta cilësoja intelektualizëm. Njerëz të shkolluar dhe intelektualë Shqipëria ka patur dhe ka. Më duket i rëndësishëm besimi që gjërat mund të bëhen më mirë dhe vullneti për t’ja dalë në krye.

– Ju e mendoni se politikëbërja është një profesion?

– Kam përshtypjen se politika i përfshin të gjitha profesionet. Kjo është vetëm një nga vështirësitë, por edhe bukuria dhe sfida e saj.

– Pushteti e bën njeriun të fuqishëm, apo njeriu e bën pushtetin të fortë?

Unë kam besuar dhe besoj gjithnjë shumë tek njeriu. Pushteti vjen e ikën.

– Çfarë ju bën që të ndryshoni një vendim që e keni marrë? Ndodh shpesh?

Përpiqem t’i marr vendimet pasi t’i kem peshuar dhe analizuar mirë. Por, sigurisht, nëse nuk kam marrë parasysh diçka të rëndësishme, ndryshoj vendim.

– Cili është reagimi juaj ndaj kritikës së drejtë e parimore, por edhe ndaj kritikave të kundërshtarëve, që kanë brenda smirën, keqdashësinë?

– Kritikën e drejtë e shoh si shprehje vëmendjeje, ndaj e quaj ndihmë dhe fat. Të tjerat, kam mësuar të mos i dëgjoj.

– Thoni, lehtë: “Po, gabova, më falni?”

Mbase jo në çast, por e kam shumë të lehtë ta kuptoj, kur kam gabuar, edhe ta them këtë gjë.

– Cilën libër keni lexuar shumë herë dhe përse?

Janë disa që i kam rilexuar, ndonëse gjithnjë e më pak e kam këtë luks. “Idioti” i Dostojevskit, si koncentrat humanizmi, “Në Lindje të Eden” të Steinbek, për besimin e pafund tek dashuria, si esencë e qenies njerëzore.

– Keni idhull në politikë?

Nuk di nëse ka idhuj në këtë fushë, por figura të spikatura për cilësi të ndryshme, që nga Xhorxh Vvashington për integritetin dhe sensin e kompromisit në shërbim të një kauze të madhe, Simone Vveil për kurajon e madhe në mbrojtjen e legalizimit të abortit, i cili qe një hap i madh emancipues për shoqërinë franceze. Sarkozy për vullnetin e madh për të reformuar Francën, që është një vend mjaft i vështirë për t’u reformuar, deri tek Kristine Lagarde, për profesionalizmin, por dhe për elegancën.

– Deri tani, në këtë ndërkohë,  ato që keni thënë në politikë, i keni besuar?

– Gjithmonë. Ndryshe, nuk mund të them gjëra që unë nuk i besoj.

– Në vetvete, sa besoni se mund të konkretizoni nga ato që premtoni në politikë?

– Unë dëshiroj dhe do të punoj fort, që t’i konkretizoj të gjitha.

– Në kohë- ndenjen  e tanishme, në Tiranë, çfarë ju mungon nga Parisi?

Familja, familja … Dhe ndonjë shëtitje e qetë në fshatrat e gjelbëruar dhe të qetë, ku gatuhet shumë mirë.

– Për familjen tuaj, a nuk është vështirësi e pakapërcyeshme ju në Tiranë dhe fëmijët e bashkëshorti në Paris?

– Deri tani nuk duket kështu.

– Fëmijët tuaj, mendojnë të rikthehen edhe ata në Tiranë? Cila është këshilla juaj për të ardhmen e fëmijëve?

– Fëmijët janë në shkollat e tyre, pasi të mbarojnë do të jetojnë atje ku profesionet e tyre do t’i çojnë. Bota sot është gjithnjë e më e vogël dhe njerëzit gjithnjë e më nomadë nga një vend në tjetrin.

– Këshillat tuaja sa ndikojnë në vendimmarrjen e fëmijëve për të zgjedhur në cilën degë do të studiojnë?

Ne i kemi mësuar që përgjegjësitë e tyre t’i marrin vetë në çdo fazë të jetës. E vetmja këshillë në këtë fushë është të zgjedhin profesione sa më pranë zhvillimit të botës së sotshme dhe t’i bëjnë me përkushtim.

– E keni jetuar çastin më të lumtur të jetës?

– Kam patur shumë të tilla për fat. Por kjo pyetje nuk ka përgjigje deri në ditën e fundit të jetës.

– E keni realizuar ëndrrën që ju keni ushqyer për atë që donit të arrinit në jetë?

– Mendoj që kam patur fat, sepse, shumë nga gjërat që kam dashur, kam patur mundësinë t’i realizoj. Me shumë punë, sigurisht.

– A ka ndonjë objektiv që ju, edhe pse keni luftuar e punuar fort, ende nuk e keni realizuar?

– Çdo ditë e jetës sjell objektiva të rinj.

– Falni lehtë gabimet apo fajet e të tjerëve ndaj jush?

Kërkoj shumë nga vetja e si pasojë edhe nga të tjerët dhe fal më kollaj të tjerët, sesa veten.

– Po cilat, ju, nuk mund të falni dot te sjellja e njerëzve?

– E kam të vështirë të fal gënjeshtrën.

– Cilat janë virtytet që ju çmoni te njerëzit?

– Humori, përgjegjshmëria, të qënit i drejtë.

– Larg qoftë, por ju pyes diçka: Nëse, ju ikën kujtesa, cilat gjëra ju mbeten të pashlyeshme, të paharruara, nga ato që ju keni jetuar, qoftë për mirë, qoftë për keq?

– Një shkrimtar francez, nuk jam e sigurt se cili, thoshte : “E  kaluara e jetës së gjithkujt nuk është më tepër e pranishme, sesa një libër i lexuar, gjithë peshën e ka e sotmja”.

– Dini mirë të gatuani?

– Gjëra të zakonshme, por që nuk kërkojnë shumë kohë.

– Në familjen tuaj, tani që ju jeni deputete dhe ministre, kush e ka “pushtetin” e familjes? Ju, apo bashkëshorti juaj?

– Si në çdo familje, secili ka pushtet në disa fusha, sipas shijeve dhe dëshirave. Por, për fat, edhe familja moderne është demokratike, askush nuk ka pushtet absolut.

– Ju faleminderit!

 

Filozofia udhërrëfyese e jetës së Milenës

Çfarë ka ndryshuar te Milena, pasi jeni votuar deputete dhe jeni emëruar ministre?

– Ndjesia e një përgjegjësie të madhe, që shkon përtej përgjegjësive personale, që çdo njeri i rritur duhet të mbajë në jetë. E përzier me përunjësinë ndaj një mali me probleme, për të cilët shpesh është goxha e vështirë të gjesh, cila është zgjidhja më e mirë.

– Cila është filozofia juaj që ju udhëheq në jetë?

– Të bëj gjithnjë, në çdo rrethanë maksimumin e mundshëm.

– Duke qenë se ju keni jetuar gjatë aktivisht në Francë dhe, natyrshëm, e keni ndjerë pulsin e politikëbërjes atje, çfarë objektivi i keni vendosur ju vetvetes, duke qenë se tani jeni aktore kryesore e politikëbërjes në Shqipëri?

– Ta kryej këtë punë që kam marrë përsipër me përkushtim dhe me të njëjtin seriozitet me të cilin  kam bërë gjithnjë punët. Duke patur rezultate sa më të prekshme.

Profili i Milena Harito

E diplomuar me rezultate të shkëlqyera në degën e Informatikës, në Fakultetin e Shkencave Tiranë (1989). Milena Harito ka kryer studimet pasuniversitare në Francë, në Universitetin Paris VI, “Pierre et Marie Curie” ku u diplomua në Master (1993) dhe më pas, falë një sërë punimesh shkencore mori titullin Doktore e Shkencave në Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimeve Elektronike (1997).

Karriera

Në prill të vitit 1991, menjëherë pasi u martua dhe u vendos në Francë, filloi punë si inxhiniere në një ndërmarrje informatike në Paris (COVEMA), falë studimeve që kishte kryer në Shqipëri. Milena ishte kështu ndoshta shqiptarja e parë që filloi punë si kuadër i lartë në një vend të Europës, menjëherë pas rënies së regjimit komunist dhe hapjes së Shqipërisë. Pasi mori titullin Doktore e Shkencave, Milena u punësua në qendrën më të rëndësishme kërkimore-shkencore në fushën e telekomunikacioneve në Europë (CNET) tek operatori France Telecom –Orange. Milena Harito e vazhdoi si drejtore në disa fusha :në fillim në fushën e inovacionit, më tej në strategjinë e zhvillimit të rrjeteve të komunikimit dhe më pas në marrëdhëniet me Entet Rregullatore franceze dhe pranë Komisionit Europian.

Familja

E martuar me Isidor Shteto, Milena ka dy fëmijë. Të dy prindërit e saj janë mjekë. Milena Harito vjen nga një familje e madhe me tradita patriotike. Nga ana e nënës, Milena është stërmbesë e Spiro Jorgo Kolekës ministër në qeverinë e Fan Nolit, i dekoruar nga Kuvendi i Shqipërisë me rastin e 100 -vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar. Gjithashtu, nga familja e të atit të Milenës kanë dalë disa breza patriotë e atdhetarë që kanë dhënë kontributin e tyre në qeverisjen e vendit. Gjyshi i saj Qirjako Harito ka qenë aktivist i luftës antifashiste dhe deputet në disa legjislatura deri në vitin 1968. Xhaxhai i tij Petro Harito ka qenë deputet në Parlamentin e mbretit Zog dhe babai i këtij të fundit Mihal Harito ka qenë veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare, deputet në perandorinë osmane dhe i vetmi i krishterë pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit (3)