Milena Harito: Ja si do të zhvillohen konkurset reale për punësim në Administratën Publike

455
Sigal

*Ministre e Inovacionit dhe e Administratës Publike

 Historia e qytetërimit europian, pjesë e të cilit dëshirojmë fort të jemi, fillon me një vrasje.

Dhe jo me një vrasje të çfarëdoshme. Me vrasjen e vëllait nga vëllai, të Kainit nga Abeli.

Është histori shumë e vjetër e njerëzimit, lufta violenca, dhe dominimi ndaj njëri-tjetrit. Qytetërimit europian iu deshën qindra vjet  për ta kaluar këtë fazë të historisë së vet, për të kaluar nga instinkti primitiv i violencës me mundim, drejt kompromisit. Duke e parë nën këtë këndvështrim, duhet të kemi durim. Qytetërimi kërkon kohë dhe jo të gjithë ecin dot me të njëjtin hap. Por ne, vdekatarët e zakonshëm, kohën kemi gjënë më të vyer. Neve perëndia na ka dhënë vetëm një kohë të fundme, më pak a më shumë të gjatë.  Nuk mund të presim, jo me qindra, por as dhjetëra vjet që ta kapërcejmë urrejtjen dhe dhunën. Ndaj, çdo herë që kapërcejmë tentacionin primitiv të dhunës dhe violencës, secili nga ne, kemi bërë një hap përpara drejt qytetërimit. Dhe kjo nuk është pak.

Për këtë dhe vetëm për këtë arsye do të flas shumë pak sot për çka ka bërë qeveria 8 vitet e shkuara me administratën publike.  Sipas të dhënave zyrtare të Departamentit të Administratës Publike:

 Në pothuaj 100 % të rasteve  të nëpunësve të larguar nga shërbimi civil dhe që i janë drejtuar  KSHC dhe gjykatave, ata kanë fituar të drejtën e rikthimit në detyrë dhe marrjen e pagave. Janë  afër 100  procese gjyqësore të fituara vetëm nga nëpunësit civilë. Në të gjitha këto raste, janë paguar dy veta për një vend pune. Kjo ka përbërë dhe përbën  akoma një barrë financiare për buxhetin e shtetit, për të cilën do të mbahet përgjegjësi. Rastet  e largimeve abuzive në kundërshtim me kërkesat e ligjit kanë ardhur duke u rritur. Në shumicën e tyre këto raste janë konstatuar që në momentin e paraqitjes së ankesës nga nëpunësit në KSHC, por DAP nuk ka kryer rolin e tij, në disa raste, duke mos kërkuar  dhe në raste të tjera, duke kërkuar vetëm formalisht institucioneve qendrore të zbatonin vendimet e KSHC.

Formalizmi konstatohet fare lehtë, mbasi ka qënë po DAP që ka shpallur procedura konkurrimi për vende pune, të cilat kanë qenë në procese gjyqësore, apo për të cilat ish nëpunësit e larguar kishin fituar të drejtën të ktheheshin në detyrë.

Konkurset e pranimit në shërbimin civil, prej kohësh kanë humbur besimin tek publiku dhe paragjykohen si të manipuluara që në fillim të tyre. Dhe jo me kot. DAP ka shkelur në mjaft raste dispozitat  ligjore në lidhje me kërkesat specifike të vendeve të punës të shpallura për konkurrim, duke pranuar raste të tilla si inxhinier mekanik të konkurrojë dhe të emërohet në pozicionin Drejtor i Përgjithshëm …..i Turizmit !!

Marrja në punë në pozicione të shërbimit civil, me kontratë të përkohshme në tetor të vitit 2010 ishte rreth 25%, çështje kjo e ngritur në vazhdimësi në progres raport. Emërimet në mënyrë të përkohshme nuk janë shoqëruar me shpalljet e vendeve të punës dhe kanë zgjatur mesatarisht nga 6 muaj deri në 1 vit. Ngritja në detyrë dhe lëvizja paralele, pra karriera e nëpunësve civilë pothuajse nuk është zbatuar fare (mesatarisht 1% e emërimeve). Përdorimi i ristrukturimit të institucioneve, si arsye për largimet e nëpunësve civilë, vetëm në periudhën e parë të ristrukturimit pas krijimit të qeverisë së djathtë në vitin 2005-2006, kanë dalë në listë pritjeje rreth 405 nëpunës civilë, një pjesë e të cilëve janë ankimuar dhe kanë fituar proceset gjyqësore. Të gjitha këto janë përmendur edhe në progres raportet në vazhdimësi.  Po kthehem në çfarë po bëjmë ne me Administratën Publike, jo nesër, jo në të ardhmen, por sot,  çdo ditë, për çdo pozicion të lirë pune. Po bëjmë një gjë të jashtëzakonshme në fakt, që kërkon një vullnet të hekurt në këtë vend, po zbatojmë ligjin dhe vetëm ligjin në frymën dhe në germën e tij. Për herë të parë po bëjmë konkurse reale në administratën publike.

Si? Do të pyesni ju.

Thjesht, duke ftuar me dhjetëra e qindra kandidatë të vijnë në konkurse. Është kaq e thjeshtë. Po përdorim bazën e të dhënave me mbi 15 mijë CV, të cilën gjetën mënyrën ta anatemojnë gjatë beharit. Po lajmërojmë çdo njeri të fushës dhe kompetent, që të marrë pjesë në konkurse, duke shumëzuar me 10 numrin e kandidatëve dhe duke penguar

kështu manipulimin e rezultateve. Respekt të meritës, profesionalizmit dhe integritetit moral: kjo është kryefjala jonë për administratën publike.

Ka një arsye për këtë. Shpesh meritokracia dhe integriteti moral janë të pandashme,  sepse kush e merr pozicionin me meritë, respekton në radhë të parë veten dhe punën e vet. Më kryesorja, nuk do të nxisim paaftësinë, për ta përdorur administratën si armatë partiake.  Do t`i kthejmë administratës dinjitetin, por njëherazi do t`i kthejmë edhe përgjegjësinë. Asnjë punonjës i administratës nuk do të poshtërohet me siç ndodhi  rëndomtë në fushatën e këtij viti, duke u përdorur për të mbledhur vota me listë.

Për këtë, unë jam personalisht garant.

Si do t’ju kthejmë dinjitetin do të thoni ju; Është e thjeshtë. Njeriu ruan dinjitetin kur është në vendin e duhur, në pozicionin të cilit është në gjendje t`i dalë zot.  Nuk do të vëmë truprojat, drejtorë, duke i vënë përpara punësh që nuk dinë t`i bëjnë, shkresash që nuk dinë t`i shkruajnë. Asnjë punonjës hipoteke nuk do të rrijë  aty për të kërkuar copa të pronave të qytetarëve, ose para prej tyre. Nuk do të vëmë mësuese pa gjimnaz të edukojnë fëmijët tanë, sepse nuk duam të shkatërrojmë fëmijët, por nuk duam të poshtërojmë as mësueset.

 Nuk do të vëmë të paaftët në drejtim, duke demotivuar gjithë administratën,  thjesht për t`i patur nën thundër. Por, njëherazi, do t’ju kthejmë përgjegjësinë;  çdo nëpunës do të jetë aty për t’i shërbyer qytetarëve, askush nuk do mund të sillet sikur zyra e shtetit është pronë e babait, sepse për këtë do të mbajë përgjegjësi, çdo abuzues do të ndëshkohet dhe nuk do të ketë mbrojtjen e askujt.  Kur je më i forti, kur je fitimtari ke shumë detyrime.

“Noblesse oblige”, thotë frëngu. I takon fitimtarit  të përpiqet të ngrejë humbësin në lartësinë e vet. Por është, sidoqoftë, përgjegjësia e humbësit ta pranojë, ose jo përpjekjen për t`u ngjitur një stad më lart.