Miku i kryebashkiakut, drejtor dhe kryetar partie

126
Në Elbasan prej afro dy muajsh, drejtori është edhe kryetar partie. Dega e PS në Elbasan, prej afro 2 muajsh ka për kryetar drejtorin e Drejtorisë së Punësimit Ardit Demirin, i cili në “zgjedhjet” e fundit ka marrë falë mbështetjes nga lart, edhe postin e kreut të PS duke mbajtur në mënyrë të paligjshme dy poste. Deri afër zgjedhjeve, askush nga drejtorët nuk e ka pranuar kandidimin për kryetar dege, pasi i duhej të linte postin e drejtorit dhe të punonte fort për ringritjen e organizatave. Burime nga dega e PS Elbasan i thanë “Telegraf” se “Ardit Demiri ka shkelur rëndë edhe statutin e ri të partisë, i cili nuk lejon mbajtjen e një posti të lartë në administratë, kur ke postin e drejtuesit të partisë, ky është ngritur si problem, dhe na është thënë prerë se “është miku Ramës”. Mbajtja e dy posteve, drejtorit dhe kryetarit, mbetet shkelja më flagrante e ligjit në institucionet e këtij vendi, duke mos marrë në konsideratë faktin se ai ka shkelur apo jo statutin e partisë.

 Kjo i përket punëve të brendshme të PS. Duke u kthyer tek posti drejtorit, mësojmë se “drejtori Demiri që sot është edhe kryetar partie, prej afro 2 vitesh nuk arrin të sistemojë në vendet vakante dhe të plotësojë kërkesat e të paktën 172 bizneseve për punësime, fakt ky që e ka kthyer Drejtorinë e Punësimit në institucionin më inefiçent që ka sot ky qytet. Elbasani realisht numëron në regjistrat e Drejtorisë së Punësimit mbi 47 mijë persona të papunë, ndërkohë që lista shtohet çdo javë dhe çdo muaj, nga largimet që bëjnë firmat pasi shpallin falimentin. Marrja edhe e postit të kryetarit të PS, padyshim do të sillte edhe ndryshimet në specifikat e punëve në strukturat e Drejtorisë Punësimit Elbasan. Pavarësisht se kërkuesit enjë vendi pune ulen në sportele dhe pasi pyeten japin edhe të dhënat e tyre, duket se përkatësia politike mbetet kriteri bazë për të cilin i papuni mund të ketë fatin të punësohet. Kthimi i Drejtorisë së Punësimit Elbasan në strukturë të PS, mbetet një tjetër shkelje ligjore , e cila është kthyer në normalitet, ashtu siç është kthyer në normalitet dypunësimi i drejtorit dhe kryetarit. Shpesh sipas burimeve nga Elbasanit “drejtues të strukturave të degës PS Elbasan, takimet e tyre, apo qokat e tyre me militantët e dypunësuar i bëjnë në zyrat e Drejtorisë Punësimit, që e kanë kthyer në seli të dytë partie. Kërkesat e të papunëve për takimin me drejtorin, shpesh delegohen në selinë e re të PS, sepse “atje pret kryetari, shkoni më mirë tek partia”. Më shumë se asnjë tjetër institucion shtetëror, Drejtoria e Punësimit në Elbasan ka nisur qysh tani kthimin në zyrë fushate elektorale, dhe shumë shpejt atje edhe pasditeve do të mbahen takimet me krerët e organizatave të lagjeve dhe personat e paracaktuar që do të ndahen në zonat ku rrezikohet PS në zgjedhjet e 2017. E dukshme mbetet edhe lufta e “bërrylave” brenda degës së çoroditur të PS Elbasan. 

Personat me kontribute në atë parti, kanë 2-3 muaj që kërkojnë tek qendra në Tiranë, postin e drejtorit-kryetar, por duket se gjithçka e ka (jo Ruçi) vetëm Rama në dorë. Madje thonë se ishte vetë kryeministri Rama ai që duke lexuar listën me emrat e propozuar për drejtor Punësimi në Elbasan, kishte zgjedhur Ardit Demirin. Por gjithsesi lufta klanore që ka nisur prej afro 3 vitesh në gjirin e degës së PS Elbasan, ( theksojmë faktin se prej 3 vitesh dega ishte pa kryetar) nuk ka lënë pa prekur edhe faktin se “si mund të mbajë dy poste një njeri që pretendon të drejtojë partinë e shkërmoqur nga qejfmbetjet e bazës”. Klanet kundër kryetarit –drejtor, shprehën indinjatën e tyre, lidhur edhe me nxitimin e hartimit të listave 10 muaj para zgjedhjeve , duke lakuar lart e poshtë emra të personave që mund të jenë favoritë për deputetë(?). Klanet kundër drejtorit-kryetar qartësuan faktin se “në Elbasan është punuar keq nga ata që rrëmbyen pa asnjë meritë poste dhe ofiqe, dhe se duke parë zhgënjimin, shumë shpejt në 2017 kjo situatë e krijuar do të sjellë fuqizimin e LSI, tek e cila janë sulur militantët socialistë, dhe rilindjen e aleancës së vjetër me PD, dhe kjo vetëm për shkakun e drejtimit keq të partisë, e korrupsionit që ka mbërthyer institucionet e shtetit, dhe frymës nepotike që karakterizon përfituesit e tortës së pushtetit, të kthyer në borgjezë të kripur në para”.