“Mik” me Berishën në Facebook ose ik nga puna

543
Sigal

 Administrata  publike detyrohet të hap Facebook për t’i bërë like Kryeministrit

 Duke marrë shkas nga historia e dy shokëve të mi, mësues në arsimin shtetëror, kishin pirë dje dhe ishin bërë tapë! U çudita kur e mora vesh, se nuk janë tipa që pinë zakonisht…

I takova sot dhe i pyeta çne…? Përgjigja ishte :
“Pimë për të harruar! Dje në mëngjes drejtori thirri në një mbledhje urgjente gjithë mësuesit! Menduam ndonjë aktivitet për fundvitin, ndonjë masë sigurie lidhur me ç’ndodhi në USA, ku u vranë fëmijët në shkollë, ndonjë diskutim si ta zgjidhim problemin e ngrohjes në klasa tani që u ftoh dhe koha, a ndonjë gjë tjetër me rëndësi… E di ç’na tha ? “Të nderuar kolegë, u kam thirrur për një çështje të një rëndësisë të veçantë dhe emergjente! Po jua them me pak fjalë: Duhet se s’bën t’i bëni like në FB Kryeministrit! Vlen sa vendi juaj i punës!”. U ngrit kolegu im i fizikës, Shefqeti e i tha: “Me leje drejtor, po unë nuk kam fare FB”. “Hape Shefqet, çfarë pret! Apo je lodhur gjë e do të dalësh në pension ?”. “Mos o zot ! Ç’është ajo fjalë drejtor ! Po unë vetë nuk di…t’i them njëherë time shoqeje Qerimesë, mbase di ajo…” ! “Qerimesë, Hatixhesë apo kujt të duash vetëm hape, e bëji like Saliut ! Ok ? Sipas urdhrit të Partisë, nga shkolla jonë duhen 1000 like, prandaj tani lëshohuni te nxënësit ! O burra në sulm e na zbardhni faqen para Partisë!”
Ja pra pse pimë…dolëm nga shkolla, i bëmë like Kryeministrit dhe shkuam për të pirë, që të harronim faktin, që në njëfarë mënyre mund të quhemi shokë me Saliun ! Puuu-puuu-puuuu….

-Po mirë ju, po nxënësit çfarë ju thanë? U entuziazmuan edhe ata?

– Opo, ka hyrë shejtani edhe në mendjen e fëmijëve. Sa unë mbarova ligjëratën time, për t’i shërbyer sa më mirë partisë e shokut Sali, një nga nxënësit, nga ata që kurrë nuk ua dëgjoj zërin, as për rrëmujë e as për romuze, më pyet: – Zotni mësues, po sikur xhaxhi Saliu ka thënë se xhaxhi Edi bën ciu-ciu në Tuitter, ndaj edhe mbolli mijëra pemë nëpër Tiranë.

– Po ti, çfarë i the nxënësit?

– Ciu- ciu bëhen në Tuitter, por shoku Sali, nuk e ha atë koqe ulliri, ndaj, që xhaxhi Sali të bëjë  tam-tam, hapi faqe në Facebook. Dhe, i mahnita nxënësit, kur u thashë se sa shokë e shoqe ka bërë në 5 vjet xhaxhi Rama në ciu-ciu në Tuitter, shoku Sali i bëri vetëm në dy ditë.

– Tamam-tamam, kështu është, më thotë një nxënës, që është më i gjati në klasë. Ai na tha se babi i tij, që punon në bashkinë e Tiranës, e kishin nderuar me 2 rroga mujore shpërblim dhe një nga qengjat që tepruan nga festa e 28 Nëntorit, meqë hapi FB në një ditë në emrin e tij, në emrin e mamit, në emrin e vëllait, në emrin e motrës dhe i bëri like xhaxhit Sali.

– Ua, si na mburret shalëgjati,- i përgjigjet një nxënës tjetër. – Po babi im, që punon në firmën private të burrit të tezes të gruas  të ministrit, hapi FB edhe në emrin e gjyshit e të gjyshes që kanë mbi 20 vjet që kanë vdekur, dhe që të dukeshin të vërtetë, u vuri fotografinë e tyre, që kishin dalë partizanë dhe i bëri që ditën e parë like xhaxhit Sali. Dhe pronari i dha babait, një tortë të madhe dhe të vërtetë, ku mbi të kishin shkruar me çokollatë: “ Të na rrojë ditëlindja e FB të zotit Kryeministër!”.

– Të gjithë nxënësit pranuan që të hapin FB?

– Kishte edhe nga ata që nuk hapën gojën fare dhe kisha frikën se prindërit e tyre nuk kanë FB.

– Po çfarë bëre ti? Si do t’i raportosh drejtorit të shkollës? Të hoqi nga puna, po i the të vërtetën.

– Nuk ndenja duarbosh. Unë u premtova nxënësve, që të gjithë ata që sot hapin FB dhe bëhen shokë me xhaxhin Sali, nesër që të rriten, liken do ta kenë si dëshmi të shërbimit që i bëjnë partisë dhe do të kenë një të ardhme më të ndritur, sepse do ta kenë të siguruar pranimin në universitetet publike, do ta kenë të garantuar diplomën e universitetit dhe do të jenë të regjistruar që tani në listat e pranimit në administratën publike, pa qenë të detyruar të japin konkursin e pranimit. Nxënësit më besuan, ja ku kam edhe listën që  e gjithë klasa ka FB dhe ka bërë like Kryeministrit në Facebook.