Michael Granoff: “Do të mbështesim parkun logjistik të Tiranës”

42

President i bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve dhe Fondacionit të Zhvillimit, te emisioni PRIZEM në “AS” Tv, ndër të tjera tha:

“Çështja është që në një periudhë të shkurtër kohe Shqipëria ka arritur të menaxhojë një tranzicion tepër kompleks. Unë besoj se jeta e shqiptarëve sot, e shumicës së shqiptarëve është dramatikisht më mirë se kur unë kam ardhur para 17 vjetësh, në 95. Më rezulton që jemi duke folur në një moment  kur Komisioni  Europian i ofroi Shqipërisë statusin kandidat, le të përmendim pranimin e Shqipërisë në NATO.

Cili është çelësi i suksesit të fondit në Shqipëri? Mos vallë sepse investimet kanë qenë të sigurta dhe gjithnjë të mbështetura nga qeveritë  e radhës?

Kriteri i parë është që ne ishim në gjendje të krijonim një partneritet dhe një ekip punonjësish , të cilët e sollën fondin në këtë pikë. E dyta  është dhe më e thjeshtë: ne punuam shumë , punuam shumë dhe nuk u dorëzuam. Dhe aspekti i tretë dhe i fundit që ne na ka bërë të suksesshëm në këtë vend  është diçka që kur erdhëm për herë të parë në Shqipëri nuk e dinim, ishte një dëshirë e pashtershme  e shqiptarëve pas dekadash izolim, dhe një diktature komuniste, për të përmirësuar në mënyrë të pandalshme jetët e tyre.

Cilat janë projektet më të suksesshme të  fondit në Shqipëri? Cila është maja e diamantit? 

Më të suksesshme ndër investimet tona ishin ato ku ne mundëm të bënim partneritet me qeveritë, me kompanitë private për  të bërë ndryshime jo tashmë evolucionare, por revolucionare. Mund t’jua ilustroj këtë. Ta nisim me bankën amerikane të Shqipërisë: është fakt i pamohueshëm që ne e lëvizëm sektorin bankar me atë bankë nga shekulli 18 në atë të 21, dhe ajo çka bëmë rezultoi në një katalizator të fuqishëm  për të përmirësuar të gjithë sektorin bankar në Shqipëri. Bëmë të njëjtën gjë në sigurime në kompaninë SIGAL,kur në investuam në tregun e sigurimeve ka qenë një shqetësim i përhershëm këtu që sigurimet ishin skema e re piramidale e Shqipërisë. Investimi ynë në kompaninë SIGAL , ishte jo vetëm fitimprurës por në të njëjtën kohë një transformim rrënjësor në tregun e sigurimeve.

Fondi e filloi aktivitetin në Shqipëri me 30 milionë dollarë  dhe tashmë portofoli është rreth 200 milion dollarë. Cila është e ardhmja e fondit? Për sa  kohë mendoni se do të vijojë aktiviteti i tij në Shqipëri ?

M.Granoff: Fondi kishte një periudhë fillestare investimi prej 15 vjetësh,  e cila është mbyllur. Investimi i fundit i ri që fondi bëri ishte ai që ne inauguruam në këtë udhëtim të fundit, pra fillimi i punimeve për parkun logjistik të Tiranës. Ne kemi sot një portofol të suksesshëm kompanish detyra jonë është  t’i menaxhojmë derisa në vitet në vazhdim  të dalim prej tyre. Nuk kemi ndonjë kufi kohor që të na thotë që në këtë vit duhet ta mbyllim dhe duhet të dilni. Në të njëjtën kohë ajo që kemi bërë në mënyrë të mençur është që të gjitha fitimet e realizuara nga fondi i kemi kaluar në një fondacion të quajtur ” Fondacioni shqiptaro- amerikan i zhvillimit”  i cili do të zhvillojë identikisht të njëjtat qëllime fisnike si dhe fondi por në një mënyrë tani jofitimprurëse. Ky fondacion do të jetë i përhershëm në Shqipëri.