Mhill Gecaj/ Parimet e lirisë Demokristiane

470
Sigal

*(Kryetar i Lidhjes Demokristiane)

Liria, është parësore e mbetet e shenjtë për secilin qytetar në një shoqëri, e cila evoluon e mendon për progresin. Zoti e krijoi njeriun sipas imazhit të tij dhe ngjashmërisë me të, si i tillë koncepti kristian i njerëzimit beson në dinjitetin e qenies njerëzore, ku dinjiteti i të gjithë njerëzve është i njëjtë, pavarësisht nga seksi, ngjyra, kombësia, mosha, bindjet fetare dhe politike, aftësia e kufizuar, shëndeti, performanca, suksesi ose dështimi i tyre dhe gjykimi i të tjerëve. Ne demokristianët, e konsiderojmë ç’do individ si unik dhe të domosdoshëm në të gjithë fazat e zhvillimit. Dinjiteti i njeriut, duke përfshirë edhe të palindurit ( në barkun e nënës ) dhe ata që vdesin është i pacenueshëm. Absolutisht ç’do qenie njerëzore është e gabueshme dhe kjo është edhe arsyeja përse vendosen kufij për planifikimin politik, risi, krijimtari, etj, kjo është mbrojtje kundër doktrinës ideologjike e totalirizmit. Në kohën e Garibaldit (heroi kombëtar i Italisë ), e të Gjergj Kastriotit (Heroi ynë kombëtar ), nuk kishte parti e shumë demokraci, por liria ishte parësore, ku dhe këta kolosë për këtë luftuan, duke bashkuar principatat, por me një ndryshim të madh në fund; Garibaldi shkoi duke mbjellë qepë, pasi i bashkoi italianët, kurse Gjergj Kastrioti dha mesazhe të çmuara për të ardhmen. Për t’u veçuar ishte tufa e thuprave, ku së bashku ato nuk thyheshin. Mesazhi i heroit tonë kombëtar me tufën e thuprave së bashku, duhet të jetë mesazh i qytetarisë shqiptar, por më duhet të veçoj ata të orientimit demokristian, kjo jo se ne rrezikohemi nga ndonjë pushtues apo qytetari tjetër, por duhet së pari, të jemi shembull i mirë për kombin në kohë moderne, pasi historia na favorizon. Edhe qepët që mbolli Garibaldi, duhet t’i pasojmë, pasi pa të mbjella nuk korret, por bashkimi në kohë moderne do të thotë unifikim mendimi pa cenuar individualitetin, kjo më duket referencë e shkëlqyer. Rrënjët tona te koncepti kristian i njerëzimit dhe dinjitetit, nga i cili varen vlerat bazë të lirisë, solidaritetit e drejtësisë, janë një orientim i sigurt për të ardhmen. Prona, familja dhe ligji janë të shenjta, kurse individi i fortë një shtet i fortë, këto parime janë bazë për demokracinë kristiane. Mbi këto themele kristiane, në 1945 u bashkuan arkitektët e Europës: Adenauri, Shuman e Çurçilli, ku së bashku ndërtuan ura lidhëse e bashkëpunimi me një qëllim të vetëm bashkim në të ardhmen. Ajo u pasua në mënyrë perfekte nga H. Koli, me bashkimin e Gjermanisë, BE dhe monedhën e përbashkët. Këta kolosë duhet të jenë referenca jonë dhe e gjithë kontinentit. Ne demokristianët shqiptarë, edhe pse në kohë moderne nuk kemi kolosë të tillë, për fat të keq i mungojnë edhe Evropës, por së paku, duhet dalë mbi lirinë e tepruar, duke arritur një mirëkuptim, bashkëpunim e solidaritet, jo vetëm për të ardhmen e demokracisë kristiane, por si nevojë e shoqërisë për sfidat e së ardhmes. Fraksionimet, hatërmbetjet e egoizmi duhen mënjanuar, vetëm afrimi sy më sy me qëllimin, e vetëm unifikimin e shëndoshjen e demokracisë kristiane mbetet përgjegjësi e secilit. Mbahet përgjegjësi pasi i kemi të gjitha kapacitetet njerëzore e intelektuale, por duhet mirëpërdorur e vitalizuar. Bashkimi i mendimit e përpunimi i tij, ndaj sfidave të kohës moderne mbetet frymëzim për të ardhmen e demokracisë kristiane në Shqipëri, e cila pastaj do t’i shërbejë së ardhmes së shoqërisë, do të integrojë më shpejt vendin në krah të vendeve të zhvilluara. Nuk duhet pritur për nesër se është vonë, nesër duhet një hap tjetër.