Mevlut Buci:Në Normalen e Elbasanit më çoi vetë Thoma Deliana

1223
Sigal

INTERVISTA/ Flet mësuesi, poeti, studiuesi dibran , drejtor i disa shkollave të mesme Mevlut Buci: “Zoti të zbret nga qielli në tokë dhe  mësuesi të ngre nga toka në qiell”

Mbi 44 vjet mësues ai i ka ngjitur shkallët hierarkike në mënyrë të sigurt. Ka punuar në fshatrat më të thellë të vendlindjes Dibrës, por që gjithmonë ka ushqyer një dashuri të madhe për nxënësit. Dhe pse i rritur në një familje patriotike, në regjimin komunist zërat e heshtur donin ta persekutonin, por ai me punë, dije dhe sakrifica mposhti çdo lloj dashakeqësie. Përfundoi Normalen e Elbasanit, që sipas tij, mbetet shkolla më serioze e atyre viteve nga bankat e së cilës kanë dalë me mijëra e mijëra kuadro në të gjitha fushat e jetës. Në këtë shkollë e çoi vetë ish- ministri i Arsimit Thoma Deliana, për të cilin ai ruan kujtimet më të bukura. Gjyshi i tij Hoxhë Buci, (Bajram) ka qenë Sekretar i Lidhjes së Prizrenit. Ishte i mirë në hartime. Gjithmonë hartimet e tij vendoseshin tek stenda e të dalluarve.   Ka  bërë edhe  poezi në atë kohë që përkon me vitin 1963. Poezitë e para kanë qenë me një deri në tre strofa… Mësuesit e falënderonin çdo orë mësimi dhe i vinin vetëm 5 (nota 10 sot). Sipas tij “Babai thoshte se Mehmet Shehu ishte  trim, njeri i besës dhe shumë  atdhetar. Ai ka qenë shok i ngushtë me babain  tim. Dhe kur është sulmuar Dibra për ta çliruar nga gjermanët Mehmet Shehu ka  pyetur se ku e ka shpinë Haziz Buci. Ata ja shpjeguan. Por nga katër grykët tek shtëpia ime mbante 3 orë në  këmbë dhe ai nuk kishte mundësi të vinte. Kjo ngjarje përkon me korrikun e vitit 1944. Me Mehmetin në atë betejë ka qenë dhe Nako Spiru. Ata ndjenjën tek dajat e mi në Luznji. Pra më pas si babanë tim si dajat e mi i shpallën armiq të klasës… Pritën Mehmet Shehun dhe Nako Spiron dhe  mbrapa u bënë armiq klase. U bënë armiq klase thjesht se i pyetën

 

-Nga është origjina juaj?

Origjina ime është nga fshati Lunar i Katër Grykëve të Dibrës. Një zonë malore dhe me shumë tradita kulturore dhe arsimore. Një zonë me atdhetarizëm që buron nga shekujt. Dhe Sabri Godo e ka përmendur në romanin ‘Skënderbeu” Lufta e Katër Grykave  ku janë vrarë mijëra njerëz në kohën e Skënderbeut në një ndër betejat më të mëdha me turqit. Përballë fshatit tim ndodhet Kalaja e Stelushit, ku Skënderbeu qëndroi dhe luftoi në një nga betejat më të mëdha. Në këtë  zonë unë  jam munduar të  eksploroj qysh para 44 vjetësh kur kam dalë mësues në  detyrë dhe kam dalë me mendimin se është një zonë që mund të krahasohet me Progonatin, Lazaratin, Dishnicën dhe me të  gjithë zonat shqiptare që kanë atdhedashurinë dhe madhështinë e tyre që është me të vërtetë fisnikëria kombëtare ku ne i jemi shumë borxhli.

-Çfarë do të veçoni nga vitet e shkollës 7-vjeçare?

Shkolla ishte për mua mbi gjithçka. Atëherë arsimi kishte rregulla, norma, kërkesë, disiplinë. Dhe pse me pantallona me arna dhe pse me çorape të grisura, librin se hiqja nga dora. Klasat ishin të ftohta, kushtet mizerabël, por na ngrohte fjala e mësuesit. Isha ende nxënës kur aty erdhi ministri i Arsimit Thoma Deljana me 15 vetë me të  paharruarin Aziz Ndreu. Erdhën në shkollën tonë ku mua më pyetën në disa lëndë dhe më vlerësuan me notën  -5, që sot vlerësohet 9.5. Në fund më thanë se çfarë shkolle ke dëshirë të vazhdosh? Unë i them se dua të shkoj në Normalen e Elbasanit dhe  se babai im më ka treguar se është shkolla më e mirë në Shqipëri. Po të mos ishte Thoma Deljana  nuk do kisha shkuar në Normalen e Elbasanit.

Pse?

Pasi na quanin familje kulaku. As i dija mirë shumë gjëra ahere. Thoshin se deri dje babai im atdhetar dhe nacionalist, tashmë, ishte kundër sistemit, pasi thjesht nuk e pëlqente. Në atë moshë si kuptoja shumë gjëra.

Pra pa fjalën e Thoma Delianës unë nuk do të kisha  shkuar në atë shkollë. Isha pikërisht në klasën e shtatë (aq ishte cikli fillor ahere) ku në fund të shkollës mu dha Fletë-Lavdërimi me motivacionin,  shembullor, “puna e nderon njeriun”. Unë këtë e mbaj me fotokopje se në shtëpi u dogjën me qindra e mijëra libra. Shkova në Elbasan me shumë dëshirë. Mu përmbush një ëndërr. Njëkohësisht ju përkushtova dhe krijimtarinë të cilën e kam filluar  kam  filluar që në  klasën e pestë. Plot 50 vjet më parë unë fillova të shkruaj me ndihmën e mësuesve  të mi Fadil Ferhati dhe Hysni Lala një nga korifenjt e folklorit shqiptar të krijimtarisë dhe të kulturës shqiptare.

-Çfarë keni shkruar për herë të parë?

Isha i mirë në hartime. Gjithmonë aty vendoseshin tek stenda e të dalluarve.   Kam  bërë edhe  poezi në atë kohë që përkon me vitin 1963. Poezitë e para kanë qenë me një deri në tre strofa. Mësuesit më falënderonin çdo orë mësimi dhe më vinin vetëm 5 (nota 10 sot). Mësuesit e mi ishin zotërinj. Një shkrimtar nga zona ime thotë se: “Zoti të zbret nga qielli në tokë dhe  mësuesi të ngre nga toka në qiell”.

Keni bërë poezi për Enverin?

S’dua të gënjej. Kam bërë. Por edhe shumë që i mohojnë kanë bërë. Ashtu ishte ai sistem.  Edhe unë që të tregohem real edhe në poezitë dhe në hartime duhet të futej patjetër Enveri dhe  partia se përndryshe nuk  botoheshin.

-Po në shkollën e Normales në Elbasan si ishin  mësuesit tuaj dhe si ishte kërkesa e llogarisë?

Normalja e Elbasanit mbetet një ndër shkollat më të shkëlqyera të të gjitha kohërave në Shqipëri. Emri i saj i kishte kaluar kufijtë e Shqipërisë. Aty pashë jetën e një qyteti, por mbi të gjitha, sjelljen, korrektesën, dashurinë, përgjegjësinë e mësuesve. Aty mësova si të respektoj punën, librin, mësuesit, si të bëhem i ditur. Aty mora çelësat e shumë gjërave të shtrenjta në jetë. Elbasanit i jam shumë borxhli, pasi unë u ftova me rastin e 100 vjetorit të Normales si nxënës i shekullit në 2009. Kam qenë një nxënës i shkëlqyer dhe atë ditë dhurova  5 libra nga të mitë, nga 21 që kam botuar. Atë ditë ndjeva shumë keqardhje pasi pashë që shumë shokë kishin vdekur dhe shumë mësues nuk jetonin. Mësuesi i popullit Vasil Kamami mbetet për mua një mësues i arrirë.  Mund të përmend dhe nëndrejtor Grigor Kallaxhiun, apo Boro Sheshkiç që ishte mësuesi i rusishtes. Unë nuk  dija  rusisht fare dhe arrita ta nxjerr 9 me shumë sforco. Boro ishte nga Mali i Zi dhe ishte një pedagog shumë i përgatitur i Normales së Elbasanit

 Në atë periudhë jam marrë me krijimtari dhe profesorët  më inkurajonin, më ndihmonin dhe shkrimet e mia i botoja tek organi i shkollës Normale dhe në “Oshtima” organ i rrethit të  Dibrës. Kërkesa e llogarisë ishte shumë e lartë sepse ata ishin pedagogë shembullorë dhe pedagogë të veprimit dhe të shembullit, të dashamirësisë, të nxitjes, të organizimit dhe të informimit. Ishte një disiplinë e jashtëzakonshme dhe nuk krahasohet absolutisht me shkollat e sotme. Sot edhe pedagogët dhe psikologët merren me evidenca boshe, fiktive, nga zyrat dhe nuk merren në mënyrë ballore me nxënësin. Sot edukohet krimi, padrejtësia, formalizmi dhe të gjithë këta bëhen nën petkun e demokracisë. Atëherë demokracia buronte nga respekti dhe nga kërkesa nga veprimi dhe jo nga evidencat burokratike. Puna me nxënësin ishte e drejtpërdrejtë. .

 -Në shkollën e Normales, kush nga ata nxënës që ke njohur ti është bërë me emër sot?

Nga nxënësit që kam qenë unë janë bërë shumë me emër si: Drejtori i Qendrës Kulturore në ministri Esat Ruka,  Namik Selmani poet dhe shkrimtar Ilmi Leka, studiues, dhe shumë të tjerë.

-Kush nga udhëheqësit e kohës e ka vizituar atëherë  shkollën e normales?

 Kanë ardhur ministrat e arsimit si Thoma Deljana që kishte qenë edhe nxënës në normale. Ishte rasti i dytë që e takoja. Ai foli për rëndësinë e shkollimit, për bashkëpunimit mësues-nxënës dhe rritjen e rezultateve të mësimit. Madje, atë ditë unë e falënderova për herë të dytë pasi më dha shkollën.

-Ku ju caktuan mbas normales?

Mbas normales unë fillova punë në Qafë -Murrë në shkollën Kadri Abdihoxha në zonën e Katër Grykëve në kufi me Matin. Në atë kohë ka qenë shkollë tetëvjeçare dhe isha me ish mësuesit e mi që më kishin mësuar ndërsa unë tashmë unë isha një mësues i ri. Pra ka qenë zona ime. Pastaj më vonë kalova mësues në Selishtë në Lukan dhe më  vonë që nga 1985 me propozim i të gjithë komunitetit dhe deri para 5 vitesh kam qenë drejtor dhe nëndrejtor për 23 vjet në Dibër dhe në Tiranë.

-Si vinin nxënësit e varfër në atë kohë në shkollë?

Koha ka qenë e varfër, por kishte dinjitet dhe fisnikëri. Libra kishte pak, por lexohej shumë. Nxënësit ishin të urtë dhe shumë dashamirës. Mësuesit shumë të lidhur dhe shumë veprimtarë. Mësuesi dallohej nga profesionalizmi dhe veprimtaria e përditshme. N.q.s mësuesit i mungon një nga këto dy cilësi ai nuk mund të jetë mësues. Sot thuhet se mori një titull, por ky person nuk ka provat e veprimtarisë së përditshme, lidhjen me studentët apo nxënësit.  Nëse profesionalizmi nuk përputhet me shpirtin e veprimtarit dhe me shpirtin e humanizmit atëherë do të thotë se diçka nuk shkon.

Ku keni botuar tjetër?

Kam botuar në revistën Hosteni rreth 200 shkrime kritike me pseudonimin “Runa”. Gjej rastin të falënderoj miqtë e mi Filip Çakuli dhe Niko Nikolla për ndihmën dhe mikpritjen që më bënin sa herë vija në Tiranë.

-Gjatë kësaj kohe a ka ardhur ndonjë nga ministrat në Dibër?

Ka ardhur ministri Skënder Gjinushit në zonën time në vitin 1989 kur isha  drejtor shkolle dhe më propozoi për dekorim dhe shpërblim. Kjo pasi ne bëmë një shkollë model. Anekset e godinës i kam bërë vetë me mësuesit e mi dhe me ndihmën e fshatarëve pa marrë asnjë lekë nga shteti. Shkolla kishte plot 1200 nxënës, një rekord për kohën. Kishim arritur të bënim një punë të madhe me nxënësit dhe arritëm që për një vit shkollor të mos kishim asnjë mungesë. Këtu ministri Gjinushi na përgëzoi dhe foli fjalët më të mira. Kishte një autoritet dhe dukej pak mendjemadh. Ishte shumë i zgjuar dhe ato që thoshte i artikulonte bukur. Thonë se solli reformim në arsim pasi kishte mbaruar në Francë. Unë i ngrita disa probleme për kabinetet dhe për mobilimin e shkollës, ai më dëgjoi me vëmendje dhe më miratonte me kokë.

-Ju jeni marrë edhe me veprimtari kulturore?

Kam qenë organizatori i gjithë kulturës së zonës dhe këshilltari i të gjithë kulturës. Ishte hera e parë që një drejtor shkolle caktohej Kryetar i këshillit të Kulturës se ishin 4 vatra kulture. Unë vetë isha valltar dhe krijues dhe gjurmues. Pra kërceja, bëja poezi për shumë këngë por dhe hulumtoja folklorin e vendit.

-A ke marrë pjesë në festivalet e Gjirokastrës?

Në festivalet e Gjirokastrës unë kam çuar nxënësit e mi. Personalisht jam marrë me tekste që në festivalin e  Tepelenës për fëmijë, ku me “Mësuesin veteran” kam marrë çmimin e parë me muzikë të Enver Shëngjergjit. Edhe Anita Bitri ka kënduar një këngë nga teksti Im. Edhe në Bulqizë janë kënduar tekstet e mia me kompozitor Xhelil Imerin.

-Po si valltar në çfarë festivalesh ke marrë pjesë?

Në të gjithë  festivalet e  zonës së Dibrës. Dibra kishte 50 grupe nga më të mirat në  republikë. Çmimin e parë  e merrte Zall Dardha për folklorin dhe për vallet e arrira ku asnjë grup në Evropë nuk i a kalon Zall Dardhës. Unë kam marrë çmime të dyta. Disa nga bashkëpunimet e mia më të mira i kam pasur me Liri Rashën, një këngëtare e mirënjohur, që po lë gjurmë çdo ditë e më shumë. Ne patëm dhe një vajzë të shkëlqyer, një këngëtare që do  arrinte majat, Vjollca Zholi, por ajo vdiq në moshën 22 vjeç. Ajo ka qenë  talentja më e madhe e Dibrës.

-Kur keni bërë këto takime kulturore kush vinte nga këta Sekretarët e parë?

Vinin të gjithë. Në shkollën time është bërë 50- vjetori i shkollës së Qaf –Murrës, ku ka ardhur Kozma Grillo në vitin 1975  dhe ka bërë një shkrim për mua. Ahere ka qenë Drejtor i Institutit të Folklorit.

-Po nga udhëheqësit e  kohës i ke takuar ndonjëherë?

Absolutisht jo. Di vetëm që Mehmet Shehu ka qenë në burg me babain tim në Gjirokastër  në kohën e Zogut por unë nuk e kam takuar Mehmet Shehun. Babai thoshte se Mehmeti ishte  trim, njeri i besës dhe shumë  atdhetar. Ai ka qenë shok i ngushtë me babain  tim. Dhe kur është sulmuar Dibra për ta çliruar nga gjermanët Mehmet Shehu ka  pyetur se ku e ka shpinë Haziz Buci. Ata ja shpjeguan. Por nga katër grykët tek shtëpia ime mbante 3 orë në  këmbë dhe ai nuk kishte mundësi të vinte. Kjo ngjarje përkon me korrikun e vitit 1944. Me Mehmetin në atë betejë ka qenë dhe Nako Spiru. Ata ndjenjën tek dajat e mi në Luznji. Pra më pas si babanë tim si dajat e mi i shpallën armiq të klasës.. Pritën Mehmet Shehun dhe Nako Spiron dhe  mbrapa u bënë armiq klase. U bënë armiq klase thjesht se i pyetën a jeni me këtë regjim dhe ata i thanë se nuk jemi me këtë regjim.

-A je ndjerë i respektuar me atë regjim?

Unë nuk dua të them se jam i persekutuar. U bëra mësues dhe me punë u nderova. Sulmi ndaj meje ishte mbas shpine sepse isha nipi i armiqve të klasës. Familja jonë në kohën e luftës nacional çlirimtare strehoi shumë partizanë por edhe nacionalistë. Pra tek ne ka fjetur edhe Mustafa Gjinishi, por edhe Abaz  Kupi. Për këtë kam kërkuar që në shtëpinë tonë të vihet pllaka përkujtimore si bazë e luftës, por nuk na e kanë dhënë. Xhaxhai  im ka emrin e gjyshit që është dëshmor kombi dhe u vra kundër serbëve dhe babai i gjyshit kanë luftuar kundër serbëve. Gjyshi im Bajram Buci, ose Mulla Bajrami (titull fetar) ka qenë Sekretar i Lidhjes së Prizrenit. Gjyshi kishte titull fetar. Ai ka pasur të gjithë arkivin e mbetur nga Lidhja e Prizrenit por në 1967, na kanë djegur 3 valixhe  hekuri me 30 vula dhe dokumente sepse ishte lufta kundër fesë. U zhdukën gjithë ato dokumente që do ishin një pjesë e mirë e historisë së Dibrës për të gjitha kohët. .

 Në disa shkrime kam lexuar që ju në vitin 1998 u regjistruat për të shkuar në luftën për çlirimin e Kosovës?

Po! Edhe  unë u nisa në luftën e Kosovës në 1998 ku u betuam bashkë me gjeneral Perllakun, por nuk e di përse na kthyen dhe nuk shkuam. U betuam tek flamuri në Muzeun Kombëtar..

 Si do ta komentonit mësimin sot?

Sot ka kushte më të mira, ka laboratorë më të mira, por nuk ka disiplinë, rregull, bashkëpunim mësues nxënës. Mund të them që ka dhe liberalizëm. Por edhe tekstet ndërrohen për çdo vit. Ka lëvizje të shpeshta të mësuesve.