Meta:Duhet të jemi krenarë sepse pa Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, Shqipëria nuk do të ekzistonte

460
Sigal

Kreu i Kuvendit, z. Ilir Meta merr pjesë në ceremoninë përkujtimore të mbajtur në kuadër të 70-vjetorit të Kongresit të Përmetit

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të mbajtur në kuadër të 70-vjetorit të Kongresit të Përmetit. Në këtë aktivitet, Kryetari i Kuvendit shoqërohej nga Kryetari i Bashkisë së Përmetit, z. Gilbert Jaçe, ministra të qeverisë,deputetë të mazhorancës si dhe nga dhjetëra veteranë dhe pasardhës të dëshmorëve të atdheut.

Fjalën e hapjes e mbajti Kryetari i Bashkisë së Përmetit, z Gilbert Jaçe, i cili falenderoi Kryetarin e Kuvendit për pjesëmarrjen në këtë ditë të shënuar, ndërsa vlerësoi sakrificën e djemve dhe vajzave që dhanë jetën për çlirimit e vendit.

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta vlerësoi Kongresin e Përmetit duke theksuar se në këtë Kongres u morën vendime të cilat përshpejtuan arritjen e çlirimit të atdheut në 29 nëntor. Z.Ilir Meta theksoi se Kongresi i Përmetit, duke ecur në gjurmën e Konferencës së Pezës, realizoi atë hop të jashtëzakonshëm sasior dhe cilësor të Ushtrisë Antifashiste Nacional Çlirimtare e cila në pak muaj u shumëfishua dhe u bë e aftë jo vetëm që të çlirojë të gjithë qytetet e Shqipërisë, por njëkohësisht, u bë e aftë për ta ndjekur pushtuesin deri në Bosnjë. “Ne vijmë sot këtu në Përmet dhe përkulemi me respekt të thellë ndaj atyre që realizuan Kongresin e Përmetit, por njëkohësisht, përkulemi me respekt të thellë ndaj popullit të Përmetit, këtij populli patriot dhe mjaft mikëpritës, këtij populli që ka nxjerrë figura të jashtëzakonshme dhe madhore të historisë sonë, të Rilindjes sonë, të atyre burrave të mençur të cilët i çuan shqiptarët drejt 28 nëntorit të vitit 1912. Dhe për nderin e tyre ne nesër do të jemi në Frashër, për të kujtuar jo vetëm Naim Frashërin, dhe jo vetëm vëllezërit Frashëri, por njëkohësisht për të kujtuar të gjithë patriotët dhe rilindasit që nxori kjo trevë e jashtëzakonshme”, tha z.Meta.

Në fjalën e tij përshëndetëse, z.Ilir Meta theksoi se Kongresi i Përmetit frymëzoi të gjithë shqiptarët për të realizuar 29 nëntorin e vitit 1944, Ditën e Çlirimit të Atdheut, ndërsa theksoi se shqiptarët duhet të ndihen krenarë që morën pjesë në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. “Duhet të jemi krenarë sepse pa Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, Shqipëria nuk do të ekzistonte. Shqipëria do të ishte copëtuar. Shqipëria me gjithë atë kontribut të jashtëzakonshëm që dha, dhe përsëri u ballafaqua me debate të jashtëzakonshme në Konferencën e Paqes me kërkesat e shumë vendeve të tjera të cilat kërkuan që Shqipëria të trajtohej si shkaktare e luftës dhe si bashkëpunëtore e pushtuesve. Mendoni ju sikur të kishte ndodhur e kundërta! Prandaj jemi shumë krenarë dhe nuk do ta harrojmë asnjëherë sakrificën që bënë partizanet dhe partizanët e Shqipërisë, gjakun e derdhur për liri, sepse ajo na e ktheu 28 nëntorin e Ismail Qemalit në 29 nëntor të vitit 1944”, tha z.Meta.

Kryetari i Kuvendit u shpreh se Shqipëria përveç Bashkimit Sovjetik, ishte i vetmi vend që jo vetëm u çlirua me forcat e saj, por arriti që të kontribuojë në luftën kundër okupatorit edhe jashtë vendit. “Dha një kontribut i cili u njoh dhe u vlerësua më pas. Dhe këtë e dha një popull modest, një vend i vogël, por që tregoi një dimension të jashtëzakonshëm solidariteti edhe me popujt e tjerë, Kjo i shërbeu jo pak Shqipërisë më pas për të mbrojtur edhe luftën e saj”, tha z.Meta. Kryetari i Kuvendit u shpreh se gjatë luftës, populli shqiptar tregoi se është një popull jashtëzakonisht fisnik duke ndihmuar hebrejtë. “Jemi i vetmi vend në Europë që sipas të gjitha statistikave, rezultonte se popullsia hebreje pas lufte në Shqipëri të ishte shumë më e madhe se sa para lufte. Ndërkohë që në vendet e tjera ne e dimëse çfarë ndodhi. Dhe kjo falë solidaritetit të jashtëzakonshëm njerëzor, falë atij dimensioni të jashtëzakonshëm të fisnikërisë dhe të bujarisë së popullit tonë, i cili jo vetëm që i mbrojti dhe i ruajti hebrejtë nga genocidi, por përkundrazi u kthye në një vatër të ngrohtë për këtë popullsi të persekutuar gjatë atyre viteve të errëta. Dhe ne duhet të jemi shumë krenarë për këtë gjë dhe duhet t’ua themi edhe të tjerëve që ky është populli ynë”, tha z.Meta, ndërsa shtoi se populli shqiptar di edhe të falë dhe këtë e tregoi dhe gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. “Me mijëra dhe mijëra ushtarë italianë me të cilët populli ynë u ndesh gjatë luftës, më pas me kapitullimin e Italisë fashiste u morën në mbrojtje, u ruajtën nga pushtuesit e rinj nazistë deri në çlirimin e vendit. Dhe ky është një dimension tjetër i jashtëzakonshëm i atij solidariteti dhe i zemrës së madhe që kanë shqiptarët”, tha z.Meta.

Kryetari i Kuvendit theksoi se këto janë vlera para të cilave ne duhet të përkulemi me nderim dhe me respekt përpara atyre që bënë atë luftë të madhe antifashiste nacional çlirimtare.“Sot ka vende në Europë që u vjen turp që i pritën nazistët me lule,të cilët shpikin dëshmorë se nuk patën dëshmorë. Ndërsa ne nuk mundet kurrsesi të lejojmë që të hidhet baltë mbi luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, të hidhet baltë mbi dëshmorët e atdheut sepse ata janë krenaria jonë e përjetshme dhe janë një frymëzim për ne për të bërë më të mirën,për t’i çuar deri në fund realizimin e ëndrrave të tyre. I përjetshëm qoftë kujtimi i dëshmorëve të atdheut. Lavdi Kongresit historik të Përmetit që padyshim mund të quhet si Kongresi i Çlirimit të Atdheut sepse këtu u morën të gjitha vendimet që përgatitën 29 nëntorin”, tha z.Meta. Kryetari i Kuvendit u shpreh se veteranët janë dëshmitarët më të gjallë, më të vërtetë dhe më të respektuar të asaj historie.

Takimin e përshëndeti dhe Kryetari i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ-it,z .Rustem Peçi, i cili u shpreh se Kongresi i Përmetit dhe lufta antifashiste i dhanë një kthesë të madhe historisë së vendit tonë. “Kongresi i Përmetit u mblodh plot 7 dekada. Që kur u mblodh Kongresi i Përmetit dhe koha as nuk ia humbi, as ia zbehu rëndësinë e tij historike. Që në ditën që u ndodh dhe deri më sot ata që kanë dashur t’i bëjnë varrin Shqipërisë, kanë dashur që ta fshijnë edhe këtë vend nga faqja e dheut, por ai mbijetoi dhe do t’i mbijetojë furtunave armiqësore sepse me vendimet që mori për kohën dhe rrethanat kur i mori, për vlerat që patën për Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, për pushtetin e ri që po dilte nga gryka e pushkës, i dhanë një kthesë të madhe historisë së këtij vendi të lavdishëm”, tha z. Peçi.

Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, z. Gramoz Ruçi, u shpreh se ky 24 maj është i veçantë pasi hodhi themelet e 29 nëntorit që është 70 vjetori i Çlirimit të Atdheut. Z.Ruçi theksoi se e gjithë historia e luftës është e lavdishme, ndërsa veçoi si të paharruar Konferencën e Pezës dhe Kongresin e Përmetit. “ Ja pse së bashku me Kryetarin e Parlamentit, z.Meta,ja pse së bashku me dy ministra, z. Ahmetaj dhe Veliaj, ja pse së bashku me të gjithë kolegët deputetë të dy forcave politike, Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, dy forca politike që e kanë në themel të programit të tyre lavdinë, historinë, patriotizmin, atdhetarizmin dhe s’kemi asnjë kompleks nga e kaluara, se e kaluara jonë është e lavdishme. Dhe ne duhet ta rrisim atë, duhet të jemi krenarë për të. Pikërisht në këtë sallë ku u mblodhën edhe të majtë edhe të djathtë sipas përkufizimit të sotëm, u vendosën shumë gjëra të rëndësishme, por tre janë në themel të kësaj dite që jemi ne. Fronti për të çliruar në një luftë frontale Shqipërinë. Dy, për të vendosur një Shqipëri të lirë dhe demokratike dhe tre për të çliruar jo vetëm Shqipërinë, por të gjithë trojet shqiptare”, tha z.Ruçi.

Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit, z.Ilir Meta:

 

I nderuar z. Kryetar i Bashkisë së Përmetit!

I nderuar z. Rustem Peçi, Kryetar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare!

I nderuar z.Ruçi, e nderuar znj. Dade, të nderuar zotërinj ministra dhe deputetë!

Të dashur qytetarë të Përmetit!

Keni shumë arsye që të jeni krenarë se jeni përmetarë, por 24 maji është një arsye gjithashtu shumë e rëndësishme. Jo më kot 70 vjet më parë, qyteti i Përmetit u zgjodh nga ata që udhëhoqën Luftën Antifashiste të popullit shqiptar për të qenë Kongresi i Çlirimit të Atdheut, Kongresi i fitores mbi pushtuesit sepse këtu u morën ato vendime të cilat përshpejtuan arritjen e çlirimit të atdheut në 29 nëntor. Kongresi i Përmetit, duke ecur në gjurmën e Konferencës së Pezës, realizoi atë hop të jashtëzakonshëm sasior dhe cilësor të Ushtrisë Antifashiste Nacional Çlirimtare e cila në pak muaj u shumëfishua dhe u bë e aftë jo vetëm që të çlirojë të gjithë qytetet e Shqipërisë, pra nga Përmeti e deri në Shkodër, por njëkohësisht u bë e aftë për ta ndjekur pushtuesin deri në Bosnjë. Duke dhënë kështu një kontribut të jashtëzakonshëm për çlirimin edhe të fqinjëve dhe të gjithë Europës nga murtaja naziste. Ndaj ne vijmë sot këtu në Përmet dhe përkulemi me respekt të thellë ndaj atyre që realizuan Kongresin e Përmetit, por njëkohësisht, përkulemi me respekt të thellë ndaj popullit të Përmetit, këtij populli patriot dhe mjaft mikëpritës, këtij populli që ka nxjerrë figura të jashtëzakonshme dhe madhore të historisë sonë, të Rilindjes sonë, të atyre burrave të mençur të cilët i çuan shqiptarët drejt 28 nëntorit të vitit 1912. Dhe për nderin e tyre ne nesër do të jemi në Frashër, për të kujtuar jo vetëm Naim Frashërin, dhe jo vetëm vëllezërit Frashëri, por njëkohësisht për të kujtuar të gjithë patriotët dhe rilindasit që nxorri kjo trevë e jashtëzakonshme. Dhe në rast se Naim Frashëri me të gjithë gjeneratën e tij, në atë evokim të jashtëzakonshëm që i bënë Heroit tonë Kombëtar Skënderbeut, por edhe bukurive të jashtëzakonshme të vendit tonë, i frymëzuan shqiptarët për të realizuar Pavarësinë në 28 nëntor të vitit 1912, Kongresi i Përmetit frymëzoi të gjithë shqiptarët për të realizuar 29 nëntorin e vitit 1944, Ditën e Çlirimit të Atdheut. Nuk dua të flas edhe më gjatë sepse kemi dhe shumë aktivitete të tjera dhe kemi edhe shumë njerëz të nderuar këtu, që mund të thonë shumë më tepër se sa unë, por unë dua të nënvizoj dy-tre elementë të rëndësishëm se pse ne duhet të jemi krenarë për Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Duhet të jemi krenarë sepse pa LuftënAntifashiste Nacional Çlirimtare, Shqipëria nuk dotë ekzistonte.Shqipëria do të ishte copëtuar. Shqipëria me gjithë atë kontribut të jashtëzakonshëm që dha, dhe përsëri u ballafaqua me debate të jashtëzakonshme në Konferencën e Paqes me kërkesat e shumë vendeve të tjera të cilat kërkuan që Shqipëria të trajtohej si shkaktare e luftës dhe si bashkëpunëtore e pushtuesve. Mendoni ju sikur të kishte ndodhur e kundërta! Prandaj jemi shumë krenarë dhe nuk do ta harrojmë asnjëherë sakrificën që bënë partizanet dhe partizanët e Shqipërisë, gjakun e derdhur për liri, sepse ajo na e ktheu 28 nëntorin e Ismail Qemalit në 29 nëntor të vitit 1944.

Së dyti, Shqipëria përveç Bashkimit Sovjetik, ishte i vetmi vend ku nuk u arrit të futej asnjë fuqi mbështetëse për çlirimin e vendit, por përkundrazi, jo vetëm që u çlirua me forcat e saj, por arriti që të kontribuojë duke shënuar një kontribut të rëndësishëm edhe në luftën kundër okupatorit jashtë vendit. Pra, dha një kontribut i cili u njoh dhe u vlerësua më pas. Dhe këtë e dha një popull modest, një vend i vogël, por që tregoi një dimension të jashtëzakonshëm solidariteti edhe me popujt e tjerë, Kjo i shërbeu jo pak Shqipërisë më pas për të mbrojtur edhe luftën e saj.

Por dua të theksoj se dhe dy elementë të tjerë që ne nuk duhet t’i harrojmë, aq më tepër në kohët e sotme. Ne treguam se jemi një popull jashtëzakonisht fisnik. Ndoshta i vetmi vend në Europë, dhe padushim që jemi i vetmi, që sipas të gjitha statistikave, rezultonte se popullsia hebreje pas lufte në Shqipëri të ishte shumë më e madhe se sa para lufte. Ndërkohë që në vendet e tjera ne e dimëse çfarë ndodhi. Dhe kjo falë solidaritetit të jashtëzakonshëm njerëzor, falë atij dimensioni të jashtëzakonshëm të fisnikërisë dhe të bujarisë së popullit tonë, i cili jo vetëm që i mbrojti dhe i ruajti hebrejtë nga genocidi, por përkundrazi u kthye në një vatër të ngrohtë për këtë popullsi të persekutuar gjatë atyre viteve të errëta. Dhe ne duhet të jemi shumë krenarë për këtë gjë dhe duhet t’ua themi edhe të tjerëve që ky është populli ynë.

Dhe njëkohësisht një gjë tjetër që nuk duhet ta harrojmë është që populli di të falë dhe këtë e tregoi dhe gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Me mijëra dhe mijëra ushtarë italianë me të cilët populli ynë u ndesh gjatë luftës, më pas me kapitullimin e Italisë fashiste u morën në mbrojtje, u ruajtën nga pushtuesit e rinj nazistë deri në çlirimin e vendit. Dhe ky është një dimension tjetër i jashtëzakonshëm i atij solidariteti dhe i zemrës së madhe që kanë shqiptarët. Ndaj këto janë vlera të cilat na bëjnë nder, dhe këto janë vlera para të cilave ne përkulemi me nderim dhe me respekt sot përpara atyre që bënë atë luftë të madhe Antifashiste Nacional Çlirimtare. Sot ka vende në Europë që u vjen turp që i pritën nazistët me lule,të cilët shpikin dëshmorë se nuk patën dëshmorë. Ndërsa ne nuk mundet kurrsesi të lejojmë që të hidhet baltë mbi Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, të hidhet baltë mbi dëshmorët e atdheut sepse ata janë krenaria jonë e përjetshme dhe janë një frymëzim për ne , për të bërë më të mirën,për t’i çuar deri në fund realizimin e ëndrrave të tyre. I përjetshëm qoftë kujtimi i dëshmorëve të atdheut. Lavdi Kongresit historik të Përmetit që padyshim mund të quhet si Kongresi i Çlirimit të Atdheut sepse këtu u morën të gjitha vendimet që përgatitën 29 nëntorin. Jetë të gjatë veteranëve që i kemi këtu sepse ata janë dëshmitarët më të gjallë, më të vërtetë dhe më të respektuar të asaj historie që na ka mbledhur edhe sot këtu në Përmet. Rroftë populli i Përmetit!

Prononcimi i Kryetarit të Kuvendit,z.Ilir Meta dhënë pas interesimit të medias:

Z.Meta! Cili është vlerësimi juaj për Kongresin e Përmetit?

Sigurisht që ky është një eveniment i rëndësishëm historik. Kongresi i Përmetit është Kongresi i cili vendosi bazat kryesore për çlirimin e atdheut në 29 nëntor. Është një Kongres i cili mori disa vendime historike, ku më i rëndësishmi natyrisht ishte aiqë synonte realizimin e një Shqipërie të lirë dhe demokratike. Natyrisht, pas çlirimit pati devijime nga disa nga vendimet më të rëndësishme të këtij Kongresi, por ne jemi këtu për të respektuar Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare të cilën Kongresi i Përmetit e ngriti në fazën më të lartë. Dhe padyshim, pas Konferencës së Pezës, kjo ishte ngjarja më e rëndësishme dhe më përcaktuese për fitoren e 29 nëntorit të vitit 1944.

Z. Meta është dita e katërt e grevës së urisë, si do ta komentoni grevën e marrë nga opozita?

Sot është 24 maji dhe nuk do të doja të shprehesha për aktivitete të tjera. Megjithatë, greva e urisë mendoj se është një e drejtë e qytetarëve që kanë zgjedhur të bëjnë këtë grevë. Dhe në këtë drejtim, unë e respektoj, por nuk e shikoj si një rrugë të zgjidhjes dhe më vjen keq për politizimin ekstrem të bërë nga lidershipi i Partisë Demokratike dhe do t’i ftoja që të mos e nxisin dhe të motivojnë më tej politikisht këtë grevë sepse nuk duhet të cenohet shëndeti i asnjë qytetari dhe qytetare të këtij vendi.