Metabolizmi në Shqipëri, Gjermeni: Zhvillim zonave rurale e urbane

512
Sigal

TIRANE– Procesi i projekteve për zhvillimin urban dhe të turizmit, si dhe sfidat për realizimin e tyre kanë qenë në qendër të workshopit me temë “Metabolizmi në Shqipëri”, organizuar nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Ministrja Eglantina Gjermani, foli për rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, social dhe mjedisor në Shqipëri.
 
“Metabolizmi është një nocion urban që do të shërbejë si një mënyrë për të hulumtuar dinamikat territoriale, duke kryer transformimet e nevojshme që do t’i japin hov jetës së realiteteve urbane e rurale. Gjithçka që zë një hapësirë materiale në qytet, lidhet drejtpërdrejt ose tërthorazi me natyrën e pushtetit që kontrollon qytetin, me kulturën e elitave drejtuese të tij dhe mënyrën e funksionimit ekonomik të zonave urbane. Realizimi i këtij objektivi kombëtar do të jetë i sigurt nëse së bashku do të incentivojmë këto procese me përvojën e akumuluar ndër vite, duke korrigjuar e mospërsëritur gabimet e së shkuarës dhe duke u referuar te praktikat e suksesshme vendase e të huaja, në mënyrë që të përmirësojmë vazhdimisht cilësinë e punës tonë”, tha ministrja Gjermeni.
 
Më tej, ministrja Gjermeni u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve që bashkëpunojnë për këto procese planifikuese, që duke u bazuar në përvojën e deritanishme të mos lejojnë përsëritjen e të njëjtave gabime që janë bërë në të shkuarën.