Meta: Zvicra, një nga donatorët kryesorë për Shqipërinë

568
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, priti sekretaren e Shtetit për Çështjet Ekonomike të Konfederatës Zvicerane, Marie-Gabrielle Ineichen-Fleisch. Kreu i Shtetit vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira e miqësore midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e madhe financiare dhe asistencën teknike që Zvicra i ka dhënë Shqipërisë që prej vitit 1992 e në vijim. Zvicra është një nga donatorët kryesorë dhe partnere e qëndrueshme ekonomike e tregtare. Mbështetja zvicerane për qeverisjen demokratike, decentralizimin dhe rritjen e kapaciteteve lokale, përmirësimin e infrastrukturës urbane dhe energjetike, përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe në fushën e arsimit profesional, ka qenë shumë domethënëse për zhvillimin social dhe ekonomik të vendit, nënvizoi me mirënjohje Presidenti Meta. Duke iu referuar interesit të përbashkët për të zhvilluar dhe intensifikuar më tej bashkëpunimin ekonomik, Presidenti Meta përshëndeti praninë dhe kontributin e kompanive zvicerane në Shqipëri dhe inkurajoi një prani më të madhe të tyre në sektorët strategjikë. Nga ana e saj, sekretarja zvicerane e Shtetit Ineichen-Fleisch e siguroi Presidentin Meta për vijimin e mbështetjes zvicerane, duke sjellë në vëmendje dhe qëllimin dhe objektivat e strategjisë së bashkëpunimit zviceran me Shqipërinë për 2018-2021.
Sigal