Meta: Zgjerimi i sektorit privat është prioritet për punësimin e të rinjve

415
Sigal

TIRANE– Zgjerimin e sektorit privat në vend, kreu i LSI Ilir Meta, njëherësh kryetar i Kuvendit, e sheh si një prioritet për të realizuar rritjen e punësimit. Gjatë ceremonisë së shpërndarjes së certifikatave për disa të rinj në Paskuqan për përfundimit të një trajnimi disamujor, Meta tha se duhet të gjenden forma dhe alternativa për të ndihmuar të rinjtë e të rejat për t’u integruar në tregun e punës. Kreu i LSI u shpreh se kjo është një ngjarje shumë pozitive dhe është vetëm fillimi një projekti afatgjatë, i cili ka të bëjë me prioritetin që do t’i jepet formimit profesional. “Mësimi i gjuhëve të huaja për të rinj dhe të reja nuk është thjesht luks, nuk është thjesht demonstrim i kulturës dhe njohurive, por është një domosdoshmëri për t’u integruar në tregun e ri të punës, sidomos në sektorin e shërbimeve, i cili është një sektor që ka nevojë për kualifikimin e të rinjve dhe të rejave në mënyrë që të marrim një zhvillim akoma më të madh, pasi potencialet dhe mundësitë që Shqipëria ofron janë të jashtëzakonshme”, tha Kryetari i LSI-së, i cili theksoi se tregu i kufizuar i punës ka qenë një pengesë serioze deri tani. Meta tha se jo të gjithë mund të punojnë në administratë, dhe se zgjerimi i sektorit privat është një prioritet për të realizuar objektivin kryesor, që është punësimi. “Zgjerimi i sektorit privat është një prioritet për të realizuar objektivin kryesor, që është punësimi. Mbështetja e këtij sektori, rritja e ekonomisë, rritja e shërbimeve, do të bëjnë të mundur punësimin e të gjithë atyre që duan të punojnë. Këtu ka një popullsi mjaft aktive, ka një rini mjaft aktive, e cila kërkon të integrohet në tregun e punës në shoqëri dhe ne do të bëjmë gjithçka për t’i dhënë mbështetjen më të plotë jo vetëm në këtë mënyrë, por edhe në gjitha mënyrat e tjera. Dhe kjo është një nga detyrat, mendoj unë, edhe të LRI-së dhe të LSI-së, që të jetë krijuese në gjetjen e formave dhe alternativave për të ndihmuar të rinjtë dhe të rejat për t’u integruar në tregun e punës për t’i mbështetur që të ecin më shpejt dhe në një rrugë më të sigurt për të ardhmen e tyre. Jam i bindur se këta dhjetëra të rinj dhe të reja sot kanë hyrë në një rrugë më të sigurt për të ardhmen e tyre”, vijoi Meta. Në këtë aktivitet morën pjesë edhe Zv. Kryetari i LSI-së, Petrit Vasili, deputetja Monika Kryemadhi, deputeti Bujar Derveni dhe Kryetari i LRI-së, Endrit Braimllari. Të rinjtë që u pajisën me certifikata, ju nënshtruan një kursi intensiv gjatë muajve të verës për gjuhët e huaja. Shumë shpejt, me ardhjen e një kompanie të huaj që do të hapë një filial në zonën e Paskuqanit, ata do të kenë mundësi të ushtrojnë aftësitë e tyre në biznesin e “call-center”.