Meta: Zgjedhjet vendore, me ndarjen e re territoriale

440
Sigal

Ilir Meta në Fier: Viti 2014, vit i reformave të mëdha për vendin. Opozita të bëhet pjesë e reformës Administrativo-Territoriale

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka zhvilluar një takim me strukturat drejtuese të LSI-së në Fier. Në këtë takim, z. Meta ka qenë i shoqëruar nga deputetët e LSI-së për Qarkun Fier, Petrit Vasili dhe Robert Bitri. Në fjalën e tij lideri i LSI-së deklaroi se, viti 2014 është shumë i rëndësishëm për vendin, por edhe për maxhorancën qeverisëse për vetë rëndësinë e reformave, që duhet të ndërmerren, të cilat sipas tij, do të jenë vendimtare për të paktën dy dekadat e ardhshme.  “Është kënaqësi që të jemi përsëri sot në Fier, pas disa muajsh ndërtimi dhe funksionimi të koalicionit qeverisës dhe njëkohësisht në këtë fillimviti që është një vit mjaft i rëndësishëm edhe për mbarëvajtjen e qeverisjes së vendit, por njëkohësisht edhe në funksion të objektivave që kemi si vend, si qeveri e si maxhorancë në raport me shumë reforma të rëndësishme dhe vendimtare për të ardhmen”, tha Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Duke folur për mbledhjen për herë të parë, edhe të Komisionit Parlamentar për reformën Administrativo-Parlamentare, kreu i LSI-së, Ilir Meta theksoi se kjo reformë do të jetë vendimtare për të ardhmen edhe të pushtetit vendor në të gjithë vendin, të paktën për dy dekadat e ardhshme. “Kjo është një reformë, të cilës i ka kaluar koha, pra duhet të ishte bërë shumë më përpara, e cila domosdoshmërish do të bëhet gjatë këtij viti,edhe për arsye se zgjedhjet e ardhshme vendore në maj të viti 2015 duhet të zhvillohen sipas ndarjes së re administrativo-territoriale.Dihet që Shqipëria ka 385 Njësi Vendore, ndërkohë që, Kosova ka vetëm 37, Maqedonia ka vetëm 80, Mali i Zi ka vetëm 21 dhe nuk është çështje numrash por është çështje përmbajtësore, çështje aftësish dhe kapacitetesh që duhet t’i ketë realisht pushteti vendor për t’i shërbyer qytetarëve, për t’i shërbyer biznesit dhe për t’i zhvilluar Njësitë Vendore edhe në të ardhmen. Shumica e këtyre njësive sot krijojnë maksimumi 2% të të ardhurave vetë dhe gjithçka e marrin nga buxheti i shtetit dhe shumica e këtyre fondeve shkojnë për shpenzime administrative dhe jo në dobi të qytetarëve apo të zhvillimit të komunitetit”. Më  tej ai apeloi përsëri në drejtim të opozitës që të marrë vendet e saj në komision për të dhënë kontributin e saj.  “Ndaj edhe shpresojmë edhe urojmë dhe dëshirojmë, edhe këtu nga Fieri të apelojmë edhe opozitës që ajo të marrë pjesë me vullnet të plotë, sepse ka qenë gjithmonë edhe ajo për të bërë këtë reformë Administrativo-Territoriale, në këtë komision, ku si asnjë herë tjetër ajo, edhe pse ka një diferencë të dukshme në përfaqësimin në Kuvend, përsëri i ka të gjitha të drejtat e barabarta e maxhorancën, 8 anëtarë me 8 anëtarë dhe bashkëkryetarë të dy palët. E theksoj rëndësinë e reformës Administrativo-Territoriale sepse ajo do të hedhë hapa të rëndësishëm për modernizimin e shoqërisë sonë dhe njëkohësisht për të rritur cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve tanë. Jo vetëm kaq, por edhe për të përshpejtuar shumë investime private në zona të caktuar të vendit. Ky fragmentim i jashtëzakonshëm vetëm se shton zvarritjet burokratike për shumë aktivitete private, për shumë iniciativa, të cilat e kanë të domosdoshme bashkëpunimin, lejet dhe miratimet nga ana e strukturave vendore . Duhet kuptuar drejtë se kjo reformë nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjet e vitit 2017 sepse ne jemi të vendosur që për sa i takon çdo lloj ndryshimi në Kodin Zgjedhor t’i përmbahemi konsensusit me opozitën”. Duke folur për Policinë e Shtetit, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha se, kohët e fundit Policia e Shtetit  ka  arritur rezultate mjaft pozitive, sidomos në drejtim të çmontimit të bandave të tritolit dhe të shumë elementëve të tjerë kriminalë dhe meriton mbështetjen e të gjithëve”. Por kreu i Kuvendit harroi  të përmendte  emërimet nepotike dhe krahinore të ministrit Saimir  Tahiri dhe disa lidhje të dyshimta të tij apo njerëzve të tij me  krimin dhe  ato të prokurimit në Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme.