Meta: Zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, janë një mundësi e shkëlqyer për të demostruar bindshëm progresin që Kosova ka shënuar gje

68

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta priti sot në Kuvend, Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), z. Ramush Haradinaj.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta priti sot në Kuvend, Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj. Kryetari i Kuvendit z. Meta  vlerësoi z. Haradinaj për rolin që ka luajtur gjatë ushtrimit të detyrës si Kryeministër i Kosovës dhe komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Z. Meta tha se biseda me z.Haradinaj u përqendrua për një të ardhme më të mirë për Kosovën, Shqipërinë dhe për rajonin tonë. Kryetari i Kuvendit theksoi se zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në 8 qershor në Kosovë, janë një mundësi e shkëlqyer për të demostruar bindshëm progresin që Kosova ka shënuar gjer tani, por në mënyrë më të veçantë, progresin që e pret për të ardhmen përmes zgjedhjeve të standardeve europiane.

 “Ishte kënaqësi e veçantë që të takoja sot kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z.Ramush Haradinaj, ish-Kryeministër i Kosovës dhe komandant legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por e gjithë biseda jonë ka qenë e përqendruar te e ardhmja, tek një e ardhme më e mirë për Kosovën, për Kosovën dhe për Shqipërinë dhe për të gjithë rajonin tonë. Prandaj edhe zgjedhjet e ardhshme tashmë të konfirmuara të 8 qershorit në Kosovë, i shoh si një mundësi të shkëlqyer për të demostruar bindshëm progresin që Kosova ka shënuar gjer tani, por në mënyrë më të veçantë dhe më kuptimplotë, progresin që e pret për të ardhmen përmes zgjedhjeve të standardeve evropiane për të cilat edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e angazhuar dhe për të realizuar një vizion i cili i duhet Kosovës, i cili i duhet Shqipërisë dhe i duhet rajonit tonë për të forcuar paqen dhe për të rritur prosperitetin e qytetarëve tanë”, tha z. Meta.

Kryetari i Kuvendit uroi të gjithë qytetarët e Kosovës që të kenë zgjedhje shembullore, ndërsa shtoi se zgjedhjet do të jenë baza e sigurt për një të ardhme të shkëlqyer për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe një nxitje e fuqishme për një bashkëpunim më të suksesshëm midis Shqipërisë dhe Kosovës. “Edhe unë e falënderoj kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj. Uroj suksese në zgjedhje Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, por mbi të gjitha të gjithë qytetarëve të Kosovës që të kemi zgjedhje shembullore të cilat do të jenë baza e sigurt për një të ardhme të shkëlqyer për të gjithë qytetarët e Kosovës, por edhe një nxitje e fuqishme për një bashkëpunim më të suksesshëm midis Shqipërisë dhe Kosovës, por mbi të gjitha do të theksoja për një bashkëpunim më të suksesshëm rajonal”, tha Meta.

Duke e vlerësuar një takim të çmuar, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj, falënderoi Kryetarin e Kuvendit, z. Ilir Meta. “Faleminderit z. Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë dhe Kryetar i LSI-së po ashtu. Sa herë që vij në Tiranë edhe ju takoj, e vërtetë është që mësoj diçka, kuptoj më shumë për dinamikat tona ndërshqiptare. Edhe sot ishte një takim i çmuar. U bisedua ashtu siç e shpjeguat për gjërat që na presin në të ardhmen. Unë prej natyrës jam optimist dhe ju faleminderit për kujdesin dhe për të gjithë shpjegimet për procesin që presin Shqipërinë dhe Kosovën në të ardhmen”, deklaroi z.Ramush Haradinaj.