Meta zbulon telefonatën me deputetin socialist: Më tha “fol me rrugën e Elbasanit”

845
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka folur në lidhje me qëndrimin e tij ndaj ambasadorëve që vijnë në Shqipëri, marrë shkas dhe nga fakti që shpalli non-grata ambasadorin e OSBE-së, Bernd Brochardt. Teksa i quajti “lecka të kryeministrit Edi Rama” disa prej ambasadorëve, Meta kujtoi edhe Donald Lu-në.

“Ai më kërkonte falje gjithmonë. Më thoshte më fal se dija, më gënjeu Partia Socialiste,”– tha Meta në emisionin “Open” .

Presidenti kujtoi edhe debatet për reformën në drejtësi kur ai ishte kryetar i Kuvendit. Meta tha se kur ishte arritur konsensusi pritej që të mblidhej Komisioni i Reformës në Drejtësi që ta zyrtarizonte, por ai po vonohej.

“Mora në telefon Fatmir Xhafajn i cili mezi ma hapi dhe i kërkova sqarim se çfarë po ndodhte. Më tha: “Fol me rrugën e Elbasanit”. Kjo ishte e papranueshme për mua. Atëherë i thirra ambasadorët e BE dhe SHBA dhe i kërkova që të vinin në zyrë Lul Basha që ishte në bashki dhe Edi Rama kryeministër.

Nga të gjithë vetëm Rama nuk erdhi. I thashë Bashës se çfarë kërkonte. Më tha vetëm atë nenin që ia kishte njohur Komisioni Venecias. Unë kërkova që meqë ia kishte dhënë Venecia ajo të rregullohej.

Atëherë i thashë Donald Lu që të bënte një deklaratë që “Rama po vonon reformën në drejtësi”. Ai u zu ngushtë dhe më pas ndodhi ajo që ndodhi dhe të gjithë e votuan reformën” – kujtoi Meta.