Meta vijon turin: Lidhja ime me qytetarët do të vazhdojë

405
Ish-kryetari i LSI-së dhe presidenti i zgjedhur bisedon me banorët e Skraparit dhe premton bashkëpunim për të sjellë mirëqenie

Ish-kryetari i LSI-së dhe presidenti i zgjedhur, Ilir Meta, zhvilloi një takim me banorët e Skraparit, në vijim të turit të tij të falënderimeve në rrethe të ndryshme të vendit. Në këtë takim, Meta ishte i shoqëruar nga kandidatët për deputet të Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun e Beratit. Në fjalën e tij përpara qytetarëve të Skraparit, Meta theksoi se lidhja e tij me qytetarët do të vazhdojë, duke shkuar deri në fshatrat më të thellë për të mbajtur të gjallë kontaktin dhe lidhjen me njerëzit. Gjithashtu, presidenti i ardhshëm i Republikës theksoi, se nëpërmjet bashkëpunimit do të bëhet e mundur që Skrapari të zhvillohet dhe të ketë një mirëqenie më të mirë për banorët e Skraparit. “Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë për t’i dhënë Skraparit gjithçka që i ka munguar deri tani dhe jam i sigurt se me kontributin tuaj, me angazhimin tuaj do të bëjmë gjithçka që Skrapari të lulëzojë dhe të lulëzojë e ardhmja e familjeve dhe në mënyrë të veçantë e fëmijëve tuaj sepse kjo është më e rëndësishmja për çdo prind”, u shpreh Meta. Kryesuesi i listës së kandidatëve për deputet të LSI-së në qarkun e Beratit, Nasip Naço, u shpreh përpara qytetarëve të Skraparit se LSI është forca politike e cila e do të japë një shans të gjithëve pasi ajo do të dalë forca e parë politike në zgjedhjet e përgjithshme. “Jemi avangardë e LSI në qarkun e Beratit dhe i mbijetuar mjaft sfidave dhe sot jemi për të dhënë një shans për të gjithë. Ne dimë ta marrim pushtetin por edhe dimë ta miradministrojmë atë. Do të jemi forcë e parë dhe të tillë do të qeverisim Shqipërinë. Ky është viti i LSI-së”, u shpreh Naço. Ndërsa kandidatja për deputete e LSI-së në qarkun e Beratit, Silva Caka, vlerësoi rolin e gruas në politikë duke shtuar se Lëvizja Socialiste për Integrim do t’i japi një shans çdo gruaje dhe vajze për t’u nder e përfaqësuar dhe e barabartë me qytetarët evropian. “Lëvizja Socialiste për Integrim punon çdo ditë që t’i japi një shans çdo vajze të re dhe çdo grua të ndihet e përfaqësuar në mënyrë të barabartë që tashmë i ka ardhur koha që të jenë banor të një vendi evropian jo vetëm për shkak të gjeografisë por për shkak të vlerave dhe parimeve morale që duhet ë udhëheqin një komb”, tha Caka. Ndërsa kandidati tjetër për deputet i LSI-së në qarkun e Beratit, Gledion Rehovica, u shpreh se LSI kërkon t’i japë një shans çdo shqiptari. “Ne nuk luftojmë për pushtetin, ne luftojmë për të qenë forcë e parë dhe sot është koha t’i japim një shans të gjithë Shqipërisë”, u shpreh Rehovica. Prej zgjedhjes nga Kuvendi si president i ardhshëm i Republikës, Ilir Meta, ka nisur një tur takimesh për të falënderuar mbështetësit e tij dhe zgjedhësit e LSI-së. Ai do të betohet si Kreu i ri i Shtetit më 24 korrik, kur do të marrë edhe zyrtarisht detyrën nga presidenti aktual, Bujar Nishani. 
Sigal