Meta uron Presidentin Macron: Fitorja juaj riktheu shpresën dhe besimin në BE

443
Presidenti i zgjedhur, Ilir Meta, ka uruar Emmanuel Macron për detyrën e re si President i Francës. Në një mesazhin e tij, Meta i përcjell homologut francez urimet për fitoren plebishitare në garën për President i Republikës Franceze.
Meta shprehet se fitorja e Macron, “riktheu shpresën dhe besimin se projekti më i madh i mbas Luftës së Dytë Botërore i paqes, bashkëjetesës e harmonisë mes kombeve, respektit të vlerave të ndërsjellta, do të mbetet projekti i së ardhmes evropiane”.
Presidenti i zgjedhur tha se Shqipëria do të mbëshetet tek Franca për t’u integruar plotësisht në BE.
MESAZHI I URIMIT I PLOTE

Emmanuel Macron
President i Zgjedhur i Republikës Franceze,
Shkëlqesi,
Kam privilegjin e madh që në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal t’Ju përgëzoj për fitoren tuaj plebishitare në garën për President i Republikës Franceze.
Fitorja juaj madhështore është shumë e rëndësishme, jo vetëm për kombin francez, por për të gjithë kombet e Evropës së Bashkuar.
Ajo riktheu shpresën dhe besimin se projekti më i madh i mbas Luftës së Dytë Botërore i paqes, bashkëjetesës e harmonisë mes kombeve, respektit të vlerave të ndërsjellta, do të mbetet projekti i së ardhmes evropiane.
Kam kënaqësinë t’ ju konfirmoj, se Shqipëria do të mbështetet tek Franca dhe në vecanti tek Presidenca Juaj, në përpjekjet e saj për t’u integruar plotësisht në Bashkimin Evropian.
Ju siguroj, zoti President i zgjedhur, se marrëdhëniet dypalëshe të miqësisë dhe të parneritetit mes dy vendeve dhe popujve tanë do të forcohen më tej dhe do të zhvillohen në fushat me interest ndërsjelltë.
Duke Ju uruar suksese në misionin tuaj të rëndësishëm, mbetem me shpresën të bashkëpunojmë ngushtë në të ardhmen për të ndarë së bashku mendimet për sfidat dypalëshe, rajonale dhe globale që na duhet të përballim sot.
Sinqerisht
Ilir META,
Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë,
President i zgjedhur i Republikës së Shqipërisë
Sigal