Meta, urime nga Britania, Kina e Japonia

544
Presidenti i ri i Republikës, Ilir Meta, ka marrë urime nga liderë të ndryshëm botëror për nisjen e mandatit të tij pesëvjeçar. Presidenti i Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping, në mesazhin e tij urues drejtuar Presidentit Meta, shprehet: “Me rastin e betimit Tuaj si President i Republikës së Shqipërisë, në emrin e qeverisë dhe popullit kinez, si dhe në emrin tim personal, Ju shpreh urimet e sinqerta dhe të mira. Jam i bindur që nën udhëheqjen Tuaj, vendi Juaj do të arrijë të zhvillohet me rezultate të reja”. “Të dy popujt tanë përgëzojnë miqësinë e thellë tradicionale. Vitet e fundit, marrëdhëniet midis dy vendeve tona kanë njohur zhvillime të vazhdueshme dhe të shëndetshme me shkëmbimet dhe bashkëpunimet në fusha të ndryshme që janë duke u thelluar pa ndërprerë. Jeni miku i vjetër i popullit kinez dhe keni bërë punë të shumta për nxitjen e miqësisë kino-shqiptare. Unë i kushtoj rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve kino-shqiptare, dhe jam i gatshëm të bëj përpjekje së bashku me Ju, për të thelluar bashkëpunimet mes dy vendeve në të gjitha fushat në kuadër të ndërtimit ‘Një brez, një rrugë’, për të shtyrë vazhdimisht përpara marrëdhëniet miqësore kino-shqiptare, në të mirë të dy vendeve dhe popujve tanë”, theksohet në mesazh. Gjithashtu, kreu i ri i shtetit shqiptar ka marrë një mesazh urimi edhe nga Perandori i Japonisë, Akihito. “Me rastin e marrjes nga ana e Shkëlqesisë Suaj të zyrës së lartë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, kam kënaqësinë e madhe t’ju dërgoj urimet e mia më të mira e të sinqerta si dhe përgëzimet e përzemërta për suksesin dhe lumturinë e Shkëlqesisë Suaj si dhe për mbarësinë e përparimin e popullit të vendit tuaj”, thekson Perandori i Japonisë, Akihito. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka marrë një mesazh urimi edhe nga Mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar, Elizabeta II me rastin e fillimit të detyrës së lartë të Kreut të Shtetit shqiptar. “Dëshiroj t’ju uroj me rastin e përurimit Tuaj si President i Republikës së Shqipërisë! Unë dhe Qeveria ime presim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë dhe të fuqizojmë më tej marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Ju përcjell Ju dhe popullit të Republikës së Shqipërisë urimet e mia më të mira për të ardhmen”, shkruhet në mesazhin e Madhërisë së Saj, Mbretëreshës Elizabeta II.
Sigal