Meta: Unifikim qëndrimeve të faktorit shqiptar në Mal të Zi

674
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, priti dje në një takim kryetarin e Partisë “Forca Demokratike”, njëkohësisht kryetar i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu. Presidenti Meta vlerësoi kontributin e dhënë nga shqiptarët e Malit të Zi, në forcimin e marrëdhënieve shumë të mira mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, si dhe për Pavarësinë, anëtarësimin në NATO dhe integrimet Evropiane të Malit të Zi. Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e përmirësimit dhe shtimin e pikave të kalimeve kufitare mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, sidomos zgjerimin e kalimit kufitar Sukobinë – Muriqan, si dhe mundësinë për kalimin e mallrave në këtë pikë të kalimit kufitar, duke pasur parasysh që kjo pikë e kalimit kufitar është e projektuar për kalimin e 400 mijë personave dhe tani ka tejkaluar mbi 2 milionë persona në vit. Presidenti i Republikës vuri në dukje rëndësinë e madhe që ka përkrahja e shqiptarëve të Malit të Zi për partitë shqiptare, si në zgjedhjet vendore ashtu edhe në ato qendrore, si parti që mbrojnë drejtpërdrejtë interesat e tyre. “Unifikimi i qëndrimeve të faktorit politik shqiptar në Mal të Zi, do ta bënte më të lehtë realizimin e të drejtave të shqiptarëve, ashtu siç janë në Kushtetutën e Malit të Zi”, theksoi Meta. Nga ana e tij, Cungu kërkoi ndihmë nga Presidenti Meta, që të ndikojë tek autoritetet qendrore të Malit të Zi, në përmirësimin e ligjit zgjedhor në Mal të Zi, i cili do të përmirësonte dukshëm përfaqësimin e shqiptarëve në Parlamentin e vendit.
Kreu i Shtetit: Integrim për shqiptarët e Preshevës
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, priti në një takim kryetarin e Partisë “Alternativa për Ndryshim”, njëkohësisht kryetar i emëruar i Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi. Presidenti i Republikës vuri në dukje interesimin e tij të vazhdueshëm ndaj problemeve dhe kërkesave për zgjidhje, të cilat ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Komunës së Preshevës dhe shqiptarëve të Luginës në përgjithësi. Presidenti Meta vuri në dukje rëndësinë që ka bashkëpunimi mes faktorit politik shqiptar në Preshevë dhe në të gjithë Luginën, për realizimin e nevojave dhe interesave politike, ekonomike dhe të të gjitha fushave të jetës për shqiptarët atje. Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të bashkive të ndryshme të Shqipërisë me Komunën e Preshevës për realizimin e projekteve të përbashkëta kulturore, arsimore, sportive me synim edhe zhvillimin ekonomik të Preshevës. Presidenti i Republikës nënvizoi rëndësinë e madhe që ka integrimi i shqiptarëve në të gjitha nivelet e administratës vendore dhe qendrore. Kjo do të ishte një ndihmesë e madhe për zgjidhjen e problemeve të shumta që kanë banorët e Luginës duke krijuar një perspektivë më të mirë, në veçanti për të rinjtë.
Sigal