Meta u prit sot nga Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Kongresit Amerikan, Kongresmeni Ed Royce si dhe nga Senatori John Cornyn

449
Gjatë takimeve të tij në Kongresin dhe në Senatin Amerikan, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta u prit në takime të veçanta nga Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Kongresit Amerikan Kongresmeni Ed Royce si dhe nga Senatori John Cornyn. Gjatë këtyre takimeve Kryetari i Kuvendit, z. Meta diskutoi mbi rëndësinë strategjike të marrëdhënieve transatlantike, duke ndarë bindjen e përbashkët se sfidat globale të terrorizmit dhe situata e sigurisë që është krijuar si pasojë e krizës migratore të refugjatëve nga vende në konflikt, na inkurajojnë që ta forcojmë bashkëpunimin e gjithanshëm mes SHBA dhe Shqipërisë. 
Kongresmeni Royce dhe Senatori Cornyn vlerësuan Shqipërinë si një aleat solid i SHBA dhe evidentuan rolin konstruktiv të vendit tonë në rajonin e Ballkanit, si një faktor stabiliteti, sigurie dhe paqeje. Në këtë drejtim, u vlerësua edhe mbajtja e punimeve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Tiranë gjatë javës që vjen, si një forum tepër i rëndësishëm ku aleatët do të diskutojnë mbi sfidat aktuale të sigurisë me të cilat po përballen vendet e Aleancës. 
Duke biseduar mbi zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta vuri theksin tek rëndësia e përmbylljes sa më shpejt në parlament të miratimit të ndryshimeve kushtetuese për reformimin e sistemit të drejtësisë, duke nënvizuar se reforma në drejtësi është kyçe jo vetëm për cilësinë e funksionimit të demokracisë në Shqipëri por edhe për krijimin e një klime më të besueshme për investitorët e huaj, veçanërisht për grupet investuese amerikane. 
Në përfundim, z. Meta shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara ndaj të gjitha zhvillimeve demokratike në Shqipëri dhe ndau bindjen se forcimi i bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kongresit e Senatit Amerikan i shërben cilësisë së marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve aleate.
Sigal