Meta: Turizmi këtë vit, falë projekteve do të njohë rritje të jashtëzakonshme

456
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, mori pjesë në çeljen e sezonit veror në qytetin e Gjirokastrës. Ilir Meta ishte i shoqëruar në këtë inaugurim nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj. Gjatë këtij aktiviteti Meta vizitoi Parkun e Viroit nga ku theksoi se qyteti i Gjirokastrës po përjeton ndryshme duke shtuar se investimi i bërë në Parkun e Viroit është një nismë mjaft pozitive për të rritur potencialet turistike të Gjirokastrës. “Unë doja të shprehja kënaqësinë që jam në këtë ambient kaq të bukur që nuk e kisha vizituar më parë të Parkut të Viroit dhe dua të falënderoj kryetarin e bashkisë z. Bime dhe stafin e tij, por edhe qeverinë për mbështetjen që ka dhënë dhe që vazhdon të japi në mënyrë që ky park, me këtë kompleks të jashtëzakonshëm ambientesh çlodhëse, argëtuese dhe sportive për të gjitha gjeneratat, t’i shërbejë akoma më shumë komunitetit të mrekullueshëm të Gjirokastrës, sepse kemi nevojë për hapësira të tilla, kemi nevojë për ambiente të tilla, kemi nevojë që të gëzohemi më shumë dhe mbi të gjitha t’i rrisim fëmijët në ambiente më të shëndetshme por edhe të moshuarit të kenë mundësi të çlodhen në ambiente të tilla”, – tha z. Meta.
Meta: Turizmi këtë vit do të njohë rritje të jashtëzakonshme
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta shprehu bindjen se këtë vit turizmi në Shqipëri, por sidomos në Gjirokastër do të njohë një rritje të jashtëzakonshme, falë projekteve që janë dhënë nga qeveria. “Absolutisht që janë dhënë mjaft fonde dhe mbështetje në këtë drejtim. Për këtë qëllim jemi edhe me Ministrin e Ekonomisë, Arben Ahmetaj dhe kjo mbështetje do të vazhdojë. Gjirokastra është një prioritet i jashtëzakonshëm dhe i padiskutueshëm për arsye të gjithë vlerave të jashtëzakonshme kulturore, historike që përfaqëson dhe presim që këtë vit turizmi në të gjithë Shqipërinë, por sidomos në Gjirokastër, të ketë një rritje të jashtëzakonshme. Investimi në ambiente të tilla i rrit kapacitetet turistike dhe mikpritëse të Gjirokastrës dhe gjirokastritëve”,- tha Meta. Kryetari i Kuvendit zhvilloi edhe një inspektim të pedonales në hyrje të qytetit të Gjirokastrës.
Ilir Meta prezanton kandidatët për kryebashkiakë në Tepelenë dhe Memaliaj
Kryetari i LSI-së Ilir Meta mori pjesë në takimin e përbashkët me strukturat e PS-së dhe LSI-së në Tepelenë, ku u bë edhe prezantimi i kandidatëve të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Tepelenës, Tërmet Peçi dhe për Bashkinë e Memaliajt, Durim Roshi. Në këtë takim morën pjesë edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj. Në fjalën e tij përshëndetëse, Ilir Meta theksoi se dy kandidatët për kryetarë bashkie kanë eksperiencat e duhura për administrimin e dy bashkive dhe se do të kenë mundësi më të mëdha për të zhvilluar projektet e tyre falë reformës administrativo-territoriale. “Se Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur dhe unë jam i bindur që Tepelena dhe Memaliaj do t’i thotë një ‘po’ shumë të fortë këtij drejtimi sepse e ka zgjedhur vetë në 23 qershor të vitit 2013”, theksoi mes të tjerave Meta. 
Qëndrimi im do të jetë i pakompromis ndaj çdo deputeti që sfidon ligjet dhe vendimet e gjykatave
Kryetari i Kuvendit u proponcua edhe për takimin që flitet në media, të deputetit Braho me Mark Frrokun në spitalin privat në Tiranë. Ilir Meta deklaroi së qëndrimi i tij do të jetë i pakompromis ndaj çdo deputeti që sfidon ligjet dhe vendimet e gjykatave. “Qëndrimi im do të jetë i pakompromis ndaj çdo deputeti që sfidon ligjet dhe vendimet e gjykatave. Drejtori i Kabinetit të Kryetarit të Kuvendit, Sokol Dervishaj, më para, në një deklaratë, tha se “Kryetari i Kuvendit i ka kërkuar Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, Ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço dhe Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla të verifikojnë e të hetojnë sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi nëse ky takim i pretenduar nga media ka ndodhur. Drejtori i Kabinetit të Kryetarit të Kuvendit thekson se Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta nënvizon me forcë se deputetët janë të parët që duhet të respektojnë ligjet e vendit dhe vendimet e gjykatave, aq më tepër kur kemi të bëjmë me një deputet që është Kryetar i Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare. Nëse nga verifikimet dhe hetimet do të rezultojë e vërtetë se ky takim ka ndodhur, Kryetari i Kuvendit do të bëjë publik qëndrimin e tij duke qenë i bindur se asnjë deputet, cilido qoftë ai, nuk ka të drejtë të sfidojë ligjet dhe vendimet e gjykatave.
Sigal