Meta: Tirana po kthehej në Gaza, shmanga përplasjen e fortë në 30 qershor

497
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi sot në intervistën për gazetarin Blendi Fevziu se me dekretin e tij për të anuluar 30 qershorin si datë të zgjedhjeve vendore, kishte shmangur një përplajse të fortë që pritej të ndodhte në ditën e zgjedhjeve.

PJESË NGA INTERVISTA

Gazetari: Përse do të kishte përplasje?

Presidenti Meta: Sepse 30 qershori ishte dita e ballafaqimit me forcë….

Gazetari: Përplasjen e evituan disa deklarata të Shteteve të Bashkuara të Amerikës….

Presidenti Meta: Vetëm dekreti i Presidentit Ilir Meta ka evituar përplasjet!

Gazetari: Përse jeni të bindur që do të kishte përplasje?

Presidenti Meta: Kjo është 100 % kështu siç po e them unë.

Gazetari: Kishit informacion apo bindje?

Presidenti Meta: Unë i kisha të gjitha informacionet. Janë edhe të klasifikuara ato informacione, që nga përpjekja për të djegur Parlamentin, që nga përpjekje të tjera….

Gazetari: …Po kush donte ta digjte Parlamentin? Se ju keni folur për një model Rajshtagu…

Presidenti Meta: Zotëri, më dëgjo më vëmendje. Çfarë interesi mund të ketë një Kryeministër normal i një vendi i cili dëshiron të çelë negociatat me Bashkimin Europian, që një opozite që ka dalë në rrugë t’i përgjigjet në të njëjtën mënyrë? Opozita lë miting sot në Tiranë, ai lë miting nesër në Berat. Opozita lë miting prapë sot në Tiranë para institucioneve, ai lë miting në Vlorë. Çfarë interesi ka? Kur ai mitingun mund ta bëjë edhe një ditë tjetër dhe nuk ka nevojë që t’i provokojë ata.

Gazetari: Po pse qenka provokim të mbledhësh mbështetësit e tu në një vend tjetër krejt ndryshe nga ai ku është mbledhur opozita?

Presidenti Meta: Sepse në momentin që t’i ata i ke përballë Kryeministrisë i ke përballë Parlamentit, përballë institucioneve shtetërore….

Gazetari: …Ti takon mbështetësit e tu në një qytet 100 kilometra më larg….

Presidenti Meta: Jo, kjo është të flasësh në kushtet e papërgjegjshmërisë. Ti të jesh Kryeministër, ke për detyrë të qeverisësh vendin e para. E dyta, ti si Kryeministër nga pikëpamja kushtetuese je Kryeministër i të gjithë shqiptarëve. Ata të gjithë paguajnë taksa për qeverinë tënde dhe një nga arsyet kryesore është që ky zotëri i ka identifikuar të dyja, kryetari i mazhorancës dhe Kryeministër.

Gazetari: Ka mëri personale mes Jush dhe zotit Rama?

Presidenti Meta: Zero! Çfarë mërie duhet të kem unë ndaj Ramës? Unë po të kisha mëri nuk do të kisha bërë koalicion me Ramën. Të mos harrojmë se ne para vitit 2013 kishim ngjarje edhe më të rënda në planin personal, sepse ai ishte orkestruesi kryesor me gjithë enturazhin e tij për 21 janarin.

Gazetari: Dhe ju e falët?

Presidenti Meta: Nuk kam mbajtur gjë unë. Se ju këtë thoni, e mban ky Berishën, e mban ky Ramën dhe vazhdoni e votoni. Unë respektoj votat e qytetarëve shqiptarë.

Gazetari: Kur jeni ulur vetëm për vetëm, keni folur për një darkë në Pallatin e Brigadave, i keni thënë që zoti Rama jemi në një situatë të tillë, çfarë zgjidhje do të kemi? A keni folur normalisht?

Presidenti Meta: Atëherë, para se të kalojmë te këto, më datën 24 maj ka një deklaratë zyrtare të Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Merreni dhe shikojeni, që është një paralajmërim jo vetëm për të gjetur një zgjidhje, por edhe për të treguar që unë do ta luaja rolin tim në mënyrë që vendi të kishte një mundësi për të dalë nga kriza. Pastaj duan apo nuk duan palët është çështje e tyre.

Dhe pas deklaratës zyrtare të CDU-CSU-së lidhur me këtë situatë ku ata kërkojnë një dialog, kërkojnë një marrëveshje, kërkojnë mundësinë edhe të një date të re gjithëpërfshirëse për zgjedhjet vendore dhe thonë se sa e rëndësishme është kjo për të garantuar rrugën europiane të Shqipërisë, ka një deklaratë nga Presidenti i Republikës, i cili mbështet këtë qëndrim. Mbështet një rol moderator të tyre për të qenë të pranueshëm nga të dyja palët etj., dhe shpreh gatishmërinë e tij si i vetmi institucion që ka të drejtë të caktojë datën e zgjedhjeve për të caktuar një datë të re zgjedhjesh në varësi me dakordimin e mundshëm të dy palëve, duke i nxitur…

Gazetari: Por partitë nuk ranë dakord, pse u bëtë ju aktor në këtë mes zoti President ….

Presidenti Meta: Sepse partitë për fat të keq nuk u dakorduan ngaqë kishin një marrëveshje me dashje / pa dashje për ta çuar vendin në përplasje.

Gazetari: Kishin marrëveshje PS-ja me PD dhe LSI?

Presidenti Meta: Nuk po them marrëveshje me dashje apo pa dashje, këtë do ta tregojë koha. Kishin një kalkulim sepse mendonin që përfitonin nga përplasja.

Gazetari: Pra, ju mendoni se palët ishin të gatshme të përplaseshin dhe ju shmangët përplasjen?

Presidenti Meta: Palët u përplasën. Harroni ju sa policë u dëmtuan, harroni ju gishtat e asaj polices së re që u këputën, apo ju i harruat këto?

Gazetari: Dhe ju shmangët përplasjen zoti President?

Presidenti Meta: Harruat ju Sait Dollapin, një nga udhëheqësit kryesorë të opozitës që u rrah në mënyrën më barbare dhe jo profesionale nga policia përpara kamerave dhe që edhe mund të humbiste jetën, sepse kishte bërë një operacion në zemër. Dhe ka ndërhyrë Presidenti i Republikës dhe ka bërë presion në media edhe policisë që të dërgohet urgjentisht në spital dhe pasi ka shkuar në spital ka bërë ndërhyrje kirurgjikale. Por të kishte ndodhur diçka tjetër do të ishte tjetër historia e Shqipërisë.

E pra, Ilir Meta nuk mund të priste as për qejfin e Edi Ramës, as për qejfin e Lulzim Bashës dhe as për qejfin e Monikës, që t’i mbajë iso Lulzim Bashës dhe as për qejfin e disa ndërkombëtarëve, që disa herë u bënë palë dhe ndonjëherë u bënë edhe palaço të vriteshin shqiptarët dhe pastaj të thonin: Po Presidenti çfarë bëri?

Gazetari: Pse mendoni ju se i kishit këtë rol që të paqtonit shqiptarët dhe të zgjidhnit këtë krizë?

Presidenti Meta: Ajo ishte detyra ime dhe detyrën time e kam bërë me përgjegjësi të plotë, me transparencë të plotë dhe këtë e dinë të gjithë qytetarët shqiptarë. Të gjithë ata që jo vetëm flasin shqip, por edhe që ndihen shqiptarë.

Gazetari: A jeni i bindur që e keni bërë mirë zoti Meta dhe që nuk jeni bërë palë në këtë krizë?

Presidenti Meta: Zero palë! Palë këtu është vetëm një njeri në këtë krizë, i cili donte zgjedhje me një palë, i cili donte votues vetëm me një palë….

Gazetari: Edi Rama?

Presidenti Meta: Po. Ilir Meta kërkoi që të gjithë qytetarët shqiptarë të shkonin të votonin. Jo vetëm atyre, që kjo e drejtë mund t’u mohohej për shkak të sjelljeve të papërgjegjshme të Lulzim Bashës, Monika Kryemadhit, Fatmir Mediut, Shpëtim Idrizit, Nard Ndokës, etj., por edhe atyre që duan të votojnë për Partinë Socialiste apo Partinë e Unitetit Kombëtar të shkojnë të votojnë si qytetarë europianë në mënyrë të fshehtë.

Sepse votimet me një kandidat nuk janë të fshehta, nuk janë demokratike.

Gazetari: Por kështu krijohet precedenti që nëse njëra palë nuk hyn në zgjedhje Presidenti mund t’i shtyjë ato…

Presidenti Meta: Precedenti është krijuar në vitin 2007, nuk është ky rast kur u krijua precedenti. Tani situata është shumë e rëndë se në vitin 2007, sepse asokohe ne kishim Gjykatë Kushtetuese….

Gazetari: Atëherë data e zgjedhjeve u shty pas një marrëveshjeje mes partive….

Presidenti Meta: Po edhe tani kishte një marrëveshje për të përplasur shqiptarët. Kjo është shumë e qartë. Nëse unë ju thërras që ta zgjidhim këtë marrëveshje, të lëmë një datë dhe ju nuk doni e vazhdoni të tregonit forcën…. marrëveshja ishte.

Shikoni kronikat e kohës dhe shikoni policët e lënduar, shikoni qytetarët e lënduar, kthejuni pamjeve tuaja televizive kur Tirana ishte me gaz, sikur të ishim në Gaza dhe jo në mes të Europës. Shikoni se sa policë janë ndjekur nga Prokuroria për tejkalim kompetencash, shikoni thirrjet edhe të ambasadave, që edhe policia duhet të sillet në mënyrë proporcionale etj.

Shikoni more zotëri, thirrjet e 5 udhëheqësve të komuniteteve fetare në Shqipëri, shikoni se çfarë thonë ata. Mirë Ilir Meta mund të ketë interes, mirë edhe Edi Rama ka një interes dhe ju keni një interes. Po këta udhëheqësit e komuniteteve fetare shikoni se çfarë thonë: Mos e çoni kombin drejt vëllavrasjes! Mos na çoni prapa në ‘97-n. Janë deklaratat e tyre, sepse udhëheqësit fetare nuk kanë asnjë interes politik. Ata jetojnë me hallexhinjtë, ata jetojnë me fukarenjtë.

Dëgjoni OSBE/ODIHR-in se çfarë thotë, e thotë shumë qartë. Njerëzit tanë, pra vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it, në takimet që patën me të gjitha palët përgjatë gjithë spektrit politik arritën në mendimin se duhej një marrëveshje për të shpëtuar zgjedhjet, për të shpëtuar besimin te demokracia.