Meta: Tirana mund të përfitojë shumë nga përvoja e Vjenës

541
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti dje kryetarin e Bashkisë së Vjenës, Michael Haupl, të cilit i uroi mirëseardhjen në këtë vizitë të parë të tij në Tiranë. Kryeparlamentari vlerësoi rolin historik të Haupl në krye të Bashkisë së Vjenës që prej vitit 1994 dhe vuri në dukje se bashkëpunimi mes Vjenës dhe Tiranës duhet thelluar më tej, duke marrë në konsideratë se kryeqyteti shqiptar mund të përfitojë shumë nga përvoja e shkëlqyer e Bashkisë së Vjenës.

Kryetari i Bashkisë së Vjenës, Michael Haupl, shprehu kënaqësinë e tij për këtë vizitë në Tiranë dhe konfirmoi vullnetin për të rritur bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës si dhe me qytete të tjera të Shqipërisë në mbështetje të zhvillimit urban të kryeqytetit, duke vënë në dukje se Austria ka një eksperiencë shumë të gjerë në drejtim të zhvillimit urban dhe fuqizimit të pushtetit lokal.

Meta e falënderoi edhe një herë Haupl për vëmendjen e tij ndaj Shqipërisë dhe shprehu mbështetjen e plotë të tij ndaj çdo bashkëpunimi apo programi mbështetës që i shërben përmirësimit të cilësisë së jetesës së qytetarëve të Tiranës dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë.
Sigal