Meta thumbon Ramën e Bashën: Elitë politike e zhytur në individualizëm dhe egoizëm

380
Kreu i Kuvendit Ilir Meta ka marrë pjesë në konferencën e vendeve të Ballkanit Perëndimor ku ka folur për të rinjtë dhe vëmendjen që politika duhet t’u kushtojë të rinjve. Ai ka folur për karrierën e tij të nisur që student, si kryetar i FRESSH dhe në fund kryeministër shumë i ri. Ndoshta duke iu referuar përplasjeve në politikën shqiptare, Meta tha se sot politika është zhytur në egoizëm duke vrarë humanizmin ndaj mbështet të rinjtë.
“Sot kemi një elitë politike të zhytur në individualizëm dhe egoizëm duke vrarë vlerat e humanizmit, prandaj promovoj të rinjtë. Të rinjtë ndihmojnë vendin të zhvillohet në kapacitetet e tij”, tha Kreu i Kuvendit në detyrë.

Meta ka rrëfyer edhe se kur ka vendosur ministren e Integrimit në listën e kandidatëve për deputetë shumë figura të tjera të LSI nuk kanë pranuar të rrinin në listë.

“Gjithçka që kam bërë për fuqizimin e të rinjve. E nisa politikën student dhe u zgjodha deputet e kryeministër. Kam qenë kreu i FRESSH-it në një kohë shumë të keqe. Rinia eurosocialiste u shndërrua në një fuqi të jashtëzakonshme besimi shumë shpejt. Ajo që na duhet sot janë të rinjtë. Të rinjtë duan ritëm ndryshimi më të shpejtë. Politika t’i përgjigjet këtij padurimi që këta të rinj të rrinë këtu e të punësohen këtu. Duhet të çojmë më shumë të rinj e të reja në parlament dhe më pak biznesmenë. Ky është angazhimi im. Këtu diskutohet për listat e deputetëve. Kur vendosa Klajda Gjoshën të dytën shumë figura nuk pranonin të rrinin në listë. Klajda u bë ministre, Kejdi u bë deputete. Kejdi Mehmetaj ishte shumë aktive në parlamentin e ardhshëm, nuk duam të diskutojmë për deputetë me rekorde kriminale por për problemet e qytetarëve”, theksoi Meta.

Ai u shpreh se në parlamentin e ardhshëm duhet të kemi të rinj që flasin për problemet e të rinjve e të të gjithë shqiptarëve.
Sigal