Meta: Të mos i minojmë zgjedhjet, pluralizmi ka ardhur që në ’90

479
Kryetari i Kuvendit shfaqet në një aktivitet me kryebashkiakun e Tiranës. Diferenca PS-LSI për 18 qershorin e opozitën dhe batutat për Veliajn e fiqtë.

Qëndrimet e dy partive kryesore në koalicionin qeveritar janë të ndara për sa i përket mundësisë së zhvillimit të zgjedhjeve pa Partinë Demokratike. Pa kaluar 24 orë nga deklarata e kryeministrit Rama se Partia Socialiste do të futet edhe e vetme në zgjedhje, kryeparlamentari Ilir Meta dha një mesazh të ndryshëm. “Njoftojini të gjithë që pluralizmi ka ardhur që në 12 dhjetor të vitit 1990 në Shqipëri”, deklaroi Meta. Megjithatë, Ilir Meta përsëriti thirrjen e disa ditëve më parë kur iu drejtua opozitës së vendit, se nuk i shërbenin mesazhet ultimative. “Ne duhet të gjithë të punojmë që këto të jenë zgjedhje të shkëlqyera, larg qëndrimeve kategorike që mund të na sillnin pasoja katastrofike të padëshiruara për Shqipërinë, shqiptarët dhe sidomos për të ardhmen e këtyre fëmijëve të mrekullueshëm”, tha Meta. Kryetari i LSI i bëri këto komente gjatë inaugurimit për rindërtimin e shkollës së tij të fëmijërisë “Kongresi i Lushnjes”. Ai ishte atje i ftuari kryesor i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili tentoi të ulte tensionet mes palëve, duke pajtuar Metën me Lindita Nikollën, pas replikave të fundit me Monika Kryemadhin. “Sa herë që dëgjoni që politikanët bëjnë debate apo kritika për njëri-tjetrin duhet të kuptoni se bëhen gjithmonë për të përmirësuar punën. Kur vjen momenti për vendimet finale, ne marrim vendimet e duhura për qytetin dhe për shtetin që puna të na shkojë mbarë dhe fëmijët e gjeneratës së ardhshme të kenë kushte të mira, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë”, tha Veliaj. Bashkëpunimin e ngushtë me kryebashkiakun Veliaj, Ilir Meta e provoi edhe nëpërmjet një batute me nxënësit. “Disa u mërzitën se e panë me duar bosh dhe kërkuan fiq. Tani, unë ju siguroj që po dolët me dhjeta do të vijnë edhe fiqtë këtu. Do të vijmë edhe ne prapë këtu”, tha Meta. “Për mua nuk mund të ishte një ditë më të bukur, më me diell dhe me fëmijë kaq të gëzuar e plot ëndrra për t’u rikthyer në shkollën ku unë kam mësuar abetaren dhe ku kam pasur kënaqësinë t’i dhuroj mësueses sime të parë lulet e para. Këtë ndjesi e pata sot kur i dhurova lule drejtoreshës së shkollës ‘Kongresi i Lushnjes’. Shumë kanë ndryshuar që atëherë. Kjo ka qenë një shkollë fillore, sot është një shkollë 9-vjeçare”, tha kryetari i Kuvendit, duke shtuar se “Kongresi i Lushnjes” është një shkollë moderne sot falë angazhimit të Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Arsimit. “Dua t’i falënderoj për këtë modernizim të jashtëzakonshëm që i kanë bërë shkollës ‘Kongresi i Lushnjes’ ku vërtet ke ndjesinë njëkohësisht se mund të jesh në çdo shkollë të nivelit më të lartë evropian. Në mënyrë të veçantë do të doja të falënderoj drejtoreshën dhe gjithë ekipin e mësuesve dhe stafin pedagogjik për punën plot përkushtim që bëjnë për t’i edukuar këta fëmijë me vlerat më të mira në radhë të parë qytetare, por natyrisht edhe për t’i përgatitur ata me dijet më të mira për sfidat e të ardhmes”, theksoi Meta, teksa vlerësoi rolin e mësuesve në procesin e mësimdhënies. Në vijim të fjalës së tij, Meta vlerësoi edhe fëmijët që po arsimohen në shkollës “Kongresi i Lushnjes” dhe uroi që në të ardhmen fëmijët e Shqipërisë të shohin sa më pak debate politikanësh në televizion. “Takuam shumë mjekë të ardhshëm, takuam shumë futbollistë të ardhshëm, takuam shumë shkencëtar të ardhshëm. Shpresojmë të ardhmen të takojmë më shumë politikan të ardhshëm nga kjo shkollë që të jenë më të mirë se sa ne, që të jenë më të përgjegjshëm se sa ne dhe të jenë më tolerant me njëri tjetrin më shumë se sa ne. Në mënyrë që fëmijët e Shqipërisë të shohin sa më pak politikan dhe debate politikanësh në televizion dhe të shohin sa më shumë filma apo dokumentar. Të doni njëri-tjetrin më shumë, t’i doni mësueset tuaja dhe mbi të gjitha t’i doni sa më shumë librat, laboratorët dhe dijet, sepse ajo do t’ju çoj përpara jo vetëm ju dhe familjet tuaja, por do të çojë përpara gjithë vendin dhe kombin tonë”, tha ndër të tjera kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.
Sigal