Meta takon Vuçiç: Serbia dhe Shqipëria vende me peshë në rajon, bashkëpunimi forcon paqen e stabilitetin

515
Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti Kryeministrin e Serbisë z. Aleksandar Vučić
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta priti sot Kryeministrin e Serbisë z. Aleksandar Vučić. 
Kryetari i Kuvendit Meta e vlerësoi vizitën e Kryeministrit Vučić në Tiranë si një moment historik për ecurinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, e cila konfirmon trendin pozitiv të shkëmbimeve dypalëshe, i cili duhet materializuar në një angazhim edhe më konkret për avancimin e projekteve të përbashkëta në rajon. 
Z. Meta vuri në dukje se dy parlamentet reciproke kanë nisur një bashkëpunim i cili do të forcohet edhe më tej në mbështetje të axhendës ndërqeveritare për rritjen e shkëmbimeve dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik. 
Kryeministri i Serbisë z. Aleksandar Vučić shprehu kënaqësinë për realizimin e kësaj vizite të parë të një kryeministri serb në Tiranë si dhe mirënjohjen për mikpritjen e ngrohtë që ka gjetur në vendin tonë. 
Në këtë drejtim, Kryeministri Vučić nënvizoi se duke patur parasysh që marrëdhëniet mes popullit serb dhe atij shqiptar janë kyçe në rajon, detyra e politikanëve të të dy vendeve është ndërtimi i mirëbesimit reciprok, me qëllim ngritjen e bashkëpunimit në një stad tjetër. 
Kryetari i Kuvendit Meta theksoi se “Shqipëria dhe Serbia janë dy vende të ndërgjegjshme për peshën e tyre specifike në rajon, ndaj dhe bashkëpunimi mes nesh i shërben forcimit të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale”. Në këtë kuadër u vlerësuan përpjekjet e përbashkëta në nismat rajonale, veçanërisht në drejtim të ndërlidhjes infrastrukturore, energjitike dhe inkurajimit të investimeve reciproke. 
Z. Meta u shpreh në përfundim se të dy vendet duhet të maksimizojnë energjitë e tyre në mbështetje të perspektivës së përbashkët evropiane, duke patur parasysh se heqja e barrierave dhe axhenda e integrimit evropian janë në funksion të mirëqenies dhe zhvillimit ekonomiko-social të të gjithë qytetarëve të rajonit tonë. 
Sigal