Presidenti Meta takon Komisionerin për Zgjerimin: Integrimi europian, projekti më i rëndësishëm strategjik për Shqipërinë

409
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, priti sot në takim Komisionerin e ri për Politikën e Fqinjësisë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, z. Oliver Varhelyi.

Presidenti Meta uroi Komisionerin Varhelyi për detyrën e re, dhe vlerësoi angazhimin e tij për përparimin e Shqipërisë dhe të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE.

Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen ndaj Komisionit dhe vendeve anëtare për organizimin e konferencës së donatorëve në 17 shkurt në Bruksel dhe akordimin e ndihmës së 15 milion eurove, pas tërmetit të nëntorit që goditi Shqipërinë.

Meta theksoi se, integrimi europian mbetet projekti më i rëndësishëm strategjik për Shqipërinë dhe se përmbushja sa më parë e 9 kushteve të Bundestagut është rruga më e shpejtë për çeljen dhe përparimin e negociatave të anëtarësimit me BE.

Në një status në rrjetet sociale, Presidenti Meta shkruan se anëtarësimi në Bashkimin Europian është objektivi ynë kombëtar strategjik.

“Kënaqësi të takohesha me Komisionerin e ri për Politikën e Fqinjësisë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, z. Oliver Varhelyi.

Anëtarësimi në Bashkimin Europian është objektivi ynë kombëtar strategjik. I hapur për bashkëpunim të ngushtë për forcimin e besueshmërisë dhe cilësisë së procesit të anëtarësimit në BE të Shqipërisë. 🇦🇱🤝🇪🇺”, shkruan Kreu i Shtetit.