Meta takohet me Müller: Shqipëria, partner i rëndësishëm i BB-së

428
Në ditën e fundit të vizitës së tij në Uashington DC, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, zhvilloi një takim me Zëvendëspresidentin e Bankës Botërore për Evropën Qendrore dhe Rajonin e Azisë, z. Cyril Müller. Z. Müller vlerësoi Shqipërinë si një partner të rëndësishëm të institucionit që ai përfaqëson, partner i cili ka shënuar progres të qenësishëm gjatë viteve të fundit. 
Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore për Evropën Qendrore dhe Rajonin e Azisë, z. Cyril Müller u shpreh se është besimplotë që marrëdhënia e konsoliduar tashmë mes Shqipërisë dhe Bankës Botërore do të vazhdojë të thellohet në vitet në vijim. Më tej, z. Meta dhe z. Müller diskutuan mbi ecurinë e projekteve ekzistuese në fusha si ujësjellës-kanalizime, transporti, energjia, etj, duke u ndalur tek nevoja për disbursimin sa më të shpejtë të fondeve, me qëllim finalizimin e tyre. Bashkëbiseduesit u ndalën gjithashtu dhe tek zgjerimi i bashkëpunimit dhe vënia në jetë e projekteve të reja që do të nxisin veprimtarinë ekonomike në vend.
Z. Meta vlerësoi bashkëpunimin që ekziston midis institucionit të Kuvendit dhe Bankës Botërore duke u ndalur veçanërisht tek projektet i kësaj të fundit për parlamentet dhe rritjes së bashkëpunimit me parlamentin shqiptar në veçanti. Në këtë kuadër, z. Meta theksoi se pala shqiptare vlerëson rritjen e bashkëpunimit mes stafit të Kuvendit dhe atij të Bankës Botërore sa i përket rritjes së transparencës, llogaridhënies dhe bashkëpunimit me publikun. 
Sigal