Meta takohet me kreun e politikave të BE Chiti, mirënjohje për mbështetjen

416
Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta gjatë vizitës së tij zyrtare në Itali, u prit në Romë nga Kryetari i Komisionit të Politikave të Bashkimit Evropian në Senatin Italian, Vannino Chiti. Kryefjala e këtij takimi ishte forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pandalur të Italisë ndaj procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, ndërsa theksoi se përpjekjet e vendit tonë janë përqëndruar tek avancimi i axhendës së 5 prioriteteve, duke u fokusuar në reformën kyçe të sistemit të drejtësisë.
Sakaq, Chiti teksa u ndal tek progres-raporti, ai vlerësoj arritjet e deritanishme të vendit tonë për përmbushjen e disa nga pikave të tij. “Vlerësoj arritjet e Shqipërisë, siç u evidentuan edhe në progres-raportin e fundit të Komisionit Evropian. Italia do të qëndrojë gjithnjë pranë Shqipërisë për avancimin e axhendës evropiane të vendit tonë dhe të të gjithë rajonit.”, pohoi gjatë fjalës së tij Chiti.
Nga ana tjetër, kreu i Kuvendit, Meta dhe Chiti diskutuan gjithashtu edhe mbi zhvillimet rajonale dhe ndanë bindjen se takimet trilaterale mes Italisë, Shqipërisë dhe Serbisë i shërbejnë forcimit të dimensionit evropian të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë drejtim, Chiti bëri një vlerësim të veçantë për përqasjen konstruktive dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë që Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s gëzon me të gjithë fqinjët e saj. Kjo përqasje, vuri në dukje ai, merr një rëndësi të veçantë veçanërisht në këto momente sfidash për sigurinë evropiane.
Sigal