Meta, takim me të rinjtë e njësisë 4 në Tiranë

447
Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi një takim me të rinjtë e LRI-së së Njësisë administrative nr. 4 në Tiranë. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ish-Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, kryesuesja e listës së kandidatëve të LSI-së për Qarkun Tiranë, Klajda Gjosha etj.

Në fjalën e mbajtur në këtë takim, ish-kryetari Meta tha se rinia është forca kryesore e ndryshimeve dhe e transformimeve të Shqipërisë. Sipas z. Meta, fuqia e LSI-së është solidariteti dhe të rinjtë e LRI-së.

“Forca kryesore e ndryshimeve, e transformimeve të Shqipërisë në të gjitha kohërat ka qenë rinia dhe nuk mund të jetë ndryshe. Nuk ka forcë më të madhe, nuk ka fuqi më të madhe, nuk ka shpresë më të madhe për një popull se sa ëndrrat e fëmijëve dhe të të rinjve. Fuqia e LSI-së është solidariteti. Fuqia e LSI-së është rinia, dhe fuqia e vërtetë e rinisë është bashkimi i saj i cili është i konkretizuar kaq mirë dhe kaq bukur tek Lëvizja Rinore për Integrim”, – u shpreh ish-Kryetari Meta.

Kryesuesja e listës së kandidatëve për deputetë të LSI-së për qarkun Tiranë, Klajda Gjosha, njëkohësisht Kryetare e LGI-së, deklaroi përpara të rinjve të Njësisë administrative nr. 4, se politika nuk është një lojë, por ka në dorë jetën e çdo qytetari dhe kërkon sakrifica të mëdha dhe përgjegjësi.

“Ne besojmë dhe sot është dita më shumë se kurrë për t’u thënë të rinjve se ky është shansi juaj, sepse ne nuk mendojmë se askush më shumë se të rinjtë mund të luftojnë për vendin e tyre, të punoj për vendin e tyre dhe realisht të ofrojë një shans më pas për gjithë vazhdimësinë e jetës që pason dhe gjithë familjet tuaja. Ne prandaj kemi zgjedhur të kemi të rinj në politikë, sepse unë nuk mendoj që politika është një lojë. Politika ka në dorë jetën e gjithsecilit prej nesh dhe nuk mund të jetë një lojë. Është përgjegjësi, është punë dhe sakrificë shumë e madhe”, – nënvizoi Klajda Gjosha.
Sigal