Meta takim me Presidentin Kopf “Austria avoka e Shqipërisë në BE”

491
Sigal

TIRANE – Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti sot Presidentin e Dytë të Këshillit Kombëtar të Austrisë Karlheinz Kopf. Në fjalën e tij, Kryetari i Kuvendit Meta vlerësoi vizitën e Kopf në Tiranë, çka sipas tij konfirmon vëmendjen që Austria i kushton Shqipërisë, duke shprehur njëkohësisht mirënjohjen për mbështetjen e shtetit austriak në kuadër të procesit të integrimit evropian, dhe duke e cilësuar si një avokate jo vetëm e Shqipërisë por e të gjithë rajonit.

“Ju vini në Tiranë në vigjilje të festës së pavarësisë së Shqipërisë dhe kujtojmë me kënaqësi se 102 vjet më parë Austria luajti një rol kyç në mbështetje të aspiratave shqiptare, ndërsa sot është në linjën e parë të vendeve që mbështesin integrimin evropian të Shqipërisë”, u shpreh Kryetari i Kuvendit Meta.

Ndërsa nga ana e tij, Presidenti i Dytë i Këshillit Kombëtar të Austrisë Kopf vlerësoi miratimin e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë duke e cilësuar atë si një hap të madh përpara dhe theksoi se Austria mbetet përkrah Shqipërisë në hapat e mëtejshëm të procesit të integrimit.

meta kopf

Meta dhe Kopf ndanë bindjen se bashkëpunimi mes dy parlamenteve duhet thelluar më tej në funksion të marrëdhënieve dypalëshe si përmes grupeve të miqësisë, komisioneve parlamentare ashtu edhe përmes administratave të të dy institucioneve, duke vënë në dukje se Shqipëria mund të përfitojë nga eksperienca dhe ekspertiza austriake në të gjitha aspektet.

Gjatë takimit, Kryetari i Kuvendit dhe Presidenti Kopf diskutuan gjithashtu mbi situatën në rajon, duke vlerësuar rolin konstruktiv dhe peshën e të dy vendeve mike në funksion të forcimit të stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe në mbështetje të progresit ekonomik e social të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.