Meta takim me Ministrin për Çështjet e Parlamentit dhe Punëve Publike të Kuvajtit

439
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot Ali Saleh Al-Omair, Ministër i Shtetit për Parlamentin, Ministër i Punëve Publike të Kuvajtit, njëkohësisht Kryetar i Autoritetit Publik për Menaxhimin e Bujqësisë dhe Burimeve të Peshkimit të Shtetit të Kuvajtit. Kryetari i Kuvendit  Meta i uroi mirëseardhjen Ministrit Al-Omair në Tiranë dhe shprehu vullnetin e sinqertë të Shqipërisë për të intensifikuar më tej bashkëpunimin me Kuvajtin, duke nënvizuar se Shqipëria është një vend miqësor dhe tepër i përshtatshëm për investimet kuvajtiane.
Meta, duke vënë në dukje marrëdhëniet e ngrohta vëllazërore mes dy popujve tanë, si dhe përmirësimin në vite të kornizës institucionale e ligjore të bashkëpunimit dypalësh, theksoi se Kuvendi do të nxisë konkretizimin e projekteve të bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e bujqësisë, ushqimit dhe burimeve ujore. Ministri i Punëve Publike të Kuvajtit,  Ali Saleh Al-Omair u shpreh se marrëdhëniet mes popullit shqiptar dhe atij kuvajtian janë të veçanta, dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Kuvendit në drejtim të lehtësimit të klimës së investimeve në Shqipëri.
Në këtë kuadër, Al-Omair vuri në dukje se Memorandumi i Mirëkuptimit në Fushën e Bujqësisë që u nënshkrua sot mes dy qeverive do të kontribuojë në zhvillime konkrete në këtë fushë me interes të veçantë, ku Shqipëria ofron potenciale të mëdha. Duke vlerësuar marrëdhëniet e ngushta parlamentare mes dy vendeve, Ministri Al-Omair përcolli përshëndetjet e përzemërta të Kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit duke konfirmuar se z. Marzouq Al-Ghanim do të vizitojë Shqipërinë së shpejti, në përgjigje të ftesës së dërguar prej Kryetarit të Kuvendit z. Ilir Meta, i cili nënvizoi se kjo vizitë mirëpritet me kënaqësi në Shqipëri.
Sigal