Meta takim me ministrin e Maqedonisë për investimet e huaja dhe kryetaren e komunës së Preshevës

550
Presidenti i vendit Ilir Meta vazhdon takimet me personalitete të vendeve të ndryshme. Gjatë ditës së djeshme janë zhvilluar disa prej tyre
Vazhdojnë takimet e Presidentit të emëruar në 24 korrik Ilir meta me personalitete të ndryshme të vendeve fqinje dhe më gjerë. Gjatë ditës së djeshme, presidenti meta zhvilloi takim me Ministrin pa portofol të Maqedonisë për investimet e huaja, Ramiz Marko dhe Kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani. Ministri maqedonas Ramiz Marko është duke zhvilluar një vizitë punë në vendin tonë. Presidenti Meta përshëndeti vizitën e Ministrit Merko në Shqipëri dhe vlerësoi qasjen dhe interesin e Qeverisë së re të Maqedonisë për të nxitur dhe rritur edhe më tej bashkëpunimin politik dhe ekonomik mes dy vendeve. Duke u ndalur në mënyrë të veçantë në eksperiencën e suksesshme të Maqedonisë me zonat e lira ekonomike dhe turistike, Presidenti Meta shprehu besimin se komunitetet e biznesit të të dy vendeve do t’i vlerësojnë seriozisht këto mundësi, si dhe frymën e re të bashkëpunimit mes dy vendeve. Të një rëndësie vendimtare e me impakt të drejtpërdrejtë për nxitjen, si të investimeve të ndërsjella ashtu edhe të gjenerimit të projekteve të përbashkëta rajonale, Presidenti Meta konsideroi realizimin sa më shpejt të lidhjes hekurudhore mes dy vendeve.

Takimi me Kryetaren e Komunës së Preshevës
Një takim kortezie Meta zhvilloi edhe me Kryetaren e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani. Presidenti shprehu kënaqësinë për këtë takim me Kryetaren e Komunës së Preshevës, si dhe vuri në dukje interesimin e tij të vazhdueshëm, ndaj problemeve dhe kërkesave për zgjidhje, të cilat ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Komunës së Preshevës dhe shqiptarëve të Luginës në përgjithësi. Presidenti Meta theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi mes bashkive të ndryshme të Shqipërisë me Komunën e Preshevës dhe realizimi i projekteve të përbashkëta që kanë të bëjnë me jetën kulturore, arsimore, sportive, si dhe me zhvillimin ekonomik të Preshevës. Ndër të tjera, Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e madhe që ka integrimi i shqiptarëve në të gjitha nivelet e administratës vendore dhe qendrore në interes të garantimit të së drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Znj. Ardita Sinani, në emër të qytetarëve të Komunës së Preshevës i uroi z. Meta suksese në detyrën e lartë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Takimi me zyrtarin e lartë të Republikës Çeke
Ditën e djeshme gjithashtu Meta priti në takim edhe presidentin e Zyrës së Lartë të Auditimit të Republikës Çeke, zotin Miloslav Kala. Ky i fundit mësohet se është duke zhvilluar një vizitë pune në vendin tonë me ftesë të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj. Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe duke iu referuar ecurinë pozitive të bashkëpunimit në vitet e fundit theksoi se eksperienca çeke në fushën e kontrollit dhe auditimit, veçanërisht për çështjet evropiane është shumë e rëndësishme për institucionet shqiptare. Duke vlerësuar ekspertizën dhe programet e trajnimit të Zyrës së Lartë të Auditimit të Republikës Çeke për institucionin shqiptar të auditimit, KLSH-në, Presidenti Meta, theksoi se ato do të kenë një impakt pozitiv në përmirësimin e punës së institucioneve shtetërore dhe të administrimit të pasurisë publike, konform standardeve më të mira evropiane të transparencës.
Sigal