Meta takim me komunitetin rom

582
Nën kujdesin e Kryetarit të Kuvendit dhe në bashkëpunim me UNDP-në u zhvillua në mjediset e Kryesisë së Kuvendit tryeza me temë: “Forcimi i rolit të Kuvendit të Shqipërisë në kontrollin e zbatimit të legjislacionit që prek problematikat e komunitetit rom në Shqipëri”. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Koordinatori i Përhershëm i OKB-së dhe Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së, z. Brian J. Williams, përfaqësues të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, deputetë të Parlamentit Shqiptar, Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, znj. Irma Baraku, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe të komunitetit rom.

Në fjalën përshëndetëse, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta deklaroi se Kuvendi inkurajon intensifikimin e dialogut midis të rinjve romë dhe të komuniteteve të tjera me përfaqësuesit parlamentarë për të evidentuar sfidat sociale dhe zhvillimore të këtij komuniteti si dhe rritjen e kapitalit social të të rinjve romë dhe egjiptianë.

Z. Meta tha se respektimi i parimit të barazisë dhe jo diskriminimit, të drejtës së arsimimit, strehimit, mbrojtjes sociale dhe të punësimit, të cilat mbrohen dhe nga Kushtetuta e vendit tonë dhe njëkohësisht dhe nga vetë Kuvendi si institucion ligjvënës, ka një rol kyç jo vetëm në miratimin e legjislacionit, por në mënyrë të veçantë për implementimin e tij në bashkëpunim me të gjithë aktorët qeveritarë dhe jo-qeveritarë.
“Në përmbushje edhe të rekomandimeve të Bashkimit Evropian, Kuvendi e ka forcuar ndjeshëm bashkëpunimin me institucione të pavarura si Avokati i Popullit që e përshëndes për angazhimin e tij të përhershëm në bashkëpunim dhe me Kuvendin, nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, në interes të të drejtave dhe integrimit të të gjithë pakicave në vendin tonë, por veçanërisht të komunitetit rom. Vendi ynë ka pasur dhe vazhdon të ketë një angazhim të përhershëm për përmirësimin e vazhdueshëm të standardeve të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, ndaj dhe vitin e kaluar është miratuar Plani Kombëtar i Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve për periudhën 2016-2020”, u shpreh z. Meta.
Z. Ilir Meta deklaroi se Plani Kombëtar i Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve për periudhën 2016-2020 pritet të adresojë fusha prioritare si Regjistrimi Civil, Punësimi, Arsimi Profesional, Kujdesi Shëndetësor dhe Strehimi.
“Arsimi është sfidë kombëtare, por mendoj se përfshirja veçanërisht e të gjithë fëmijëve romë në arsimin parashkollor, i cili duhet të jetë i detyrueshëm për të gjithë, duhet të jetë një nga prioritetet tona. Kjo nevojshmëri kërkon një legjislacion që sanksionon dhe garanton këtë përfshirje. Por e rëndësishme është që të identifikohen ato arsye objektive dhe subjektive, të mbartura nga e shkuara dhe tradita apo dhe krijuara rishtaz që çojnë në moszbatimin në praktikë të arsimimit të fëmijëve romë”, tha z. Meta.
Kryetari i Kuvendit apeloi për më shumë vullnet për zbatimin legjislacionit, ndërsa theksoi se niveli arsimor i fëmijëve romë është problem i të sotmes, por akoma më shumë i të ardhmes, pasi pa arsimin e duhur ata nuk do të jenë realisht të integruar, por do të jenë të mënjanuar nga tregu i punës dhe në këtë mënyrë nuk do të kenë të drejtat e barabarta që meritojnë me të gjithë gjeneratën e tyre.
“Duke njohur këtë realitet, duke e kuptuar këtë sfidë, ne jemi të vendosur të kontribuojmë për ta ndryshuar atë. Kuvendi është një aktor i rëndësishëm në këtë përballje. Në aktivitetin e tij ai e ushtron vullnetin legjislativ përmes komisioneve parlamentare. Komisioni i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë i ka kushtuar vëmendje të posaçme trajtimit dhe problemeve të komunitetit rom në Shqipëri. Rekomandimet janë përcjellë në të gjitha ministritë përkatëse për të realizuar iniciativa legjislative për arsimin, për kriteret lehtësuese për përfitimin e ndihmës ekonomike, për mbrojtjen e interesave jetësore të komunitetit Rom në Shqipëri si dhe për marrjen e masave për regjistrimin në Gjendjen Civile”, tha z. Meta.
Duke theksuar problematikën e strehimit për komunitetin rom, z. Ilir Meta kërkoi marrjen e masave për lehtësimin e kritereve për përfitimin e strehimit.
“Pikërisht problemi i strehimit është një nga sfidat më të rëndësishme që kushtëzon jetën standarde normale të këtij komuniteti. Një vëmendje të veçantë duhet të marrë edhe pozita e gruas dhe vajzave rome në Shqipëri, veçanërisht të rinjtë romë dhe egjiptianë, të cilët duhet të kenë mundësi të reja për formim profesional, njëlloj si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre në vend, me qëllim që të jenë sa më të aftë për tregun e punës e punës në të ardhmen”, tha z. Meta.
Kryetari i Kuvendit garantoi se Kuvendi i Shqipërisë do të mbetet maksimalisht i angazhuar për të mbikëqyrur të gjitha institucionet shqiptare që duhet të garantojnë të drejtat e komunitetit rom, ndërkohë që do të jetë gjithmonë ky Kuvend një platformë e hapur debati, ku jo vetëm deputetët, jo vetëm institucionet e pavarura, por edhe shoqëria civile dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë përfaqësuesit e komunitetit rom dhe egjiptian do të kenë hapësirën maksimale për të shprehur shqetësimet dhe sugjerimet e tyre.
Kryetari i Kuvendit deklaroi se problemet e komunitetit rom nuk mundet të zgjidhen pa patur një transparencë të plotë në radhë të parë me këtë komunitet dhe pa garantuar një bashkëpunim të vazhdueshëm me të.
“Transparenca dhe bashkëpunimi nuk kushtojnë asgjë. Mungesa e transparencës dhe mungesa e bashkëpunimit lë vend për zgjidhjet e gabuara, lë vend për dyshime, lë vend për pakënaqësi, dhe nuk jep shpresë se problemet e tjera që kërkojnë një faturë më të madhe do të zgjidhen mbas disa viteve. Ashtu sikurse besoj që çështja më e rëndësishme padyshim që është strehimi, sepse një familje që nuk ka një strehë nuk ka mundësi as fëmija ku të mësojë. Por mendoj që është arsimi. Ne dëgjuam këtu vazhdimisht për çështjen e integrimit në administratë. Problemi është se ne kemi forcuar si asnjë herë tjetër rregullat e pranimit në administratë në mënyrë mjaft transparente me kritere shumë të përcaktuara dhe nuk kemi të bëjmë thjeshtë me diskriminim, por kemi të bëjmë me rritjen e aftësive për t’u bërë pjesë e administratës”, shtoi z. Meta duke deklaruar se edhe problemi i regjistrimit të lindjeve të reja të komunitetit rom kërkon një zgjidhje urgjente.
Ndërkaq, Kryetarja e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, znj. Albana Vokshi kërkoi hartimin e një plani pune bazuar mbi rekomandimet e institucioneve të pavarura dhe monitorimin e vazhdueshëm të tyre lidhur me gjendjen e komunitetit rom.
“Të gjithë ne, jo vetëm ligjvënësit, por ekzekutivi, institucionet e pavarura, mendoj që rekomandimet duhet të kthehen në plan pune për të gjithë ne. Jo vetëm të hartohet planin i punë,por dhe të monitorohet nga legjislativi. Ky takim është një thirrje për të gjithë ne politikanët për më shumë vëmendje institucionale për respektimin e të drejtave të komunitetit rom. Ndaj dhe unë dua të falënderoj Kryetarin e Kuvendit, që mori kohë për të qenë prezent për ti dhënë rëndësinë e duhur vëmendjes që i duhet dhënë këtij komuniteti”, tha znj. Vokshi.
Kryetarja e Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut, znj. Vasilika Hysi tha se aktiviteti i sotëm është një ogur i mirë për integritetin e komuniteti rom dhe egjiptian, duke pasur sukses edhe në terma afatshkurtër , por edhe afatgjatë.
Znj. Hysi vlerësoi ngritjen e shqetësimeve, të problematikave nga ana e tyre, në këtë takim, të cilat do të mundësojnë integrimin në shoqëri, kohezionin social, por mbi të gjitha rritjen e pjesëmarrjes së komunitetit romë dhe egjiptian në vendimmarrje, parandalimin, diskriminimin.
Ndërsa, Kryetarja e GD, ZNJ. Mesila Doda tha se problemi i këtij komuniteti fillon që në mënyrën e arsimimit duke nisur me një disavantazh. Znj. Doda u shpreh se ky grup shpeshherë është viktimë e lojërave politike, ndërkohë që realiteti flet për kushte të tjera.
Znj. Doda tha se kjo tryezë është një sinjal i mirë, ku të gjithë në të themi “Po” kemi një problem të madh, të cilin duhet ta përballim ndryshe.
Nënkomisioni për Çështjet e të Miturve, Barazisë Gjinore, Dhunës në Familje, znj. Olta Xhaçka theksoi se kjo ditë duhet të jetë një ditë reflektimi, por jo vetëm par ato që nuk janë bërë, por edhe për ato që mund të bëhen më mirë.
“Ka pasur një përpjekje shumë serioze nga kjo qeveri, nga ministria e linjës, por edhe nga koordinimi me ministritë e tjera si ajo e Zhvillimit Urban, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për të koordinuar një qasje dhe për të adresuar disa nga problematikat. Shërbimi social shtetëror përmes një projekti pilot për modernizimin e asistencës sociale ka sjellë rritjen e numrit familjeve të komunitetit rom dhe egjiptian nga ku kanë përfituar 1313 familje sot nga 828 familje që ishin në vitin 2014. Në vitin 2015 janë akorduar 19 milionë lekë për zbatimin e 9 projekteve në 9 njësi të qeverisjes vendore, nga të cilat kanë përfituar direk dhe indirekt 290 familje rome dhe egjiptiane. Është ngritur qendra tranzitore e emergjencës nga e cila ka pasur rezultate të dukshme për integrimin e disa familjeve përmes fuqizimit të tyre, edukimit të fëmijëve dhe ndihmës për të vetëpunësuarit”, tha znj. Xhaçka.
Avokati i Popullit, z. Igli Totozani u shpreh se problematike është mosregjistrimi i fëmijëve të komunitetit rom, ndërsa kërkoi një vëmendje më të madhe për ndërtimin e një sistemi social ku të gjithë qytetarët të jenë të barabartë.
“Ne sot kemi një barazi formale para ligjit midis të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, por ne nuk kemi një barazi thelbësore të tyre në këtë Republikë. Nëse do të merrja rastin e romëve, do të thosha që qytetarët romë për fat të keq janë në pjesën më të madhe të tyre të përjashtuar nga sistemi social shqiptar. Për mënyrën se si është ndërtuar sistemi social që barazohet në barazinë formale, por romët janë të pabarabartë për të fituar ato të mira minimale që parashikon sistemi social shqiptar”, tha z. Totozani.
Koordinatori i Përhershëm i OKB-së dhe Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së, z. Brian J. Williams tha se OBK e mirëpret interesimin e përfaqësuesve të zgjedhur për të dëgjuar aspiratat e të rinjve të komunitetit rom dhe gjithashtu për të diskutuar se si mund t’i mbështesin më shumë në të ardhmen.
“Plani Kombëtar i Veprimi i drejtuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë përfaqëson edhe angazhimin e qeverisë dhe shoqërisë civile për të mbështetur komunitetet rome dhe egjiptiane. Ky plan ilustron gjithashtu angazhimin e Shqipërisë për të drejtat universale dhe interesin për të qenë në përputhje me axhendën sociale të BE-së. Nëse ky plan kombëtar do të mbështetet plotësisht në aspektin financiar nga qeveria shqiptare dhe partnerët e saj, dhe besoj se ky është qëllimi për t’u arritur, atëherë ky plan do të sjellë shumë përmirësime për komunitetet rome dhe egjiptiane. Nëse do të financohet si duhet ky plan veprimi, do të arrijë një mbulim mjaft të mirë për arsimin shkollor dhe do të dyfishojë numrin e të rinjve romë dhe egjiptianë të përfshirë në trajnime profesionale dhe programe të tjera punësimi”, – tha z. Ëilliams.
Z. Ian Rudolph, përfaqësues i delegacionit të BE në Shqipëri deklaroi se përfshirja sociale dhe ekonomike e komuniteteve rome dhe egjiptiane është një prej prioriteteve kryesore të axhendës së BE-së në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
“Formalisht ekziston barazia nga pikëpamja sociale edhe për komunitetet rome dhe egjiptiane, por praktikisht kjo nuk ekziston. Çdo ditë kur eci rrugëve të Tiranës e shikoj se sa e vështirë është jeta për komunitetin rom. Kur shikoj edhe vështirësitë me të cilat ata ndeshen, shpesh dua t’i kujtoj se ata janë një prioritet kryesor për BE-në dhe se të gjithë anëtarët e Parlamentit duhet të jenë shumë të ndërgjegjshëm për këtë. Përfshirja sociale dhe ekonomike e komuniteteve rome dhe egjiptiane sigurisht që është një prej prioriteteve kryesore të axhendës së BE-së në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Është pjesë e prioritetit pesë të udhërrëfyesit drejt integrimit europian dhe do të vazhdojë të jetë në krye të axhendës gjatë të gjithë procesit të anëtarësimit”, tha z. Rudolph.

Sigal

Fjala e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta mbajtur gjatë aktivitetit

Të dashur të rinj dhe të reja,
Të nderuar të ftuar,
Të nderuar deputetë,
Mirë se erdhët në Kuvendin e Shqipërisë! Më lejoni të përgëzoj në mënyrë të veçantë PNUD-in për iniciativën e kësaj Tryeze në vigjilje të Ditës Ndërkombëtare të Romëve.
Kuvendi inkurajon intensifikimin e dialogut midis të rinjve romë dhe të komuniteteve të tjera me përfaqësuesit parlamentarë për të evidentuar sfidat sociale dhe zhvillimore të këtij komuniteti si dhe rritjen e kapitalit social të të rinjve romë dhe egjiptianë.
Respektimi i parimit të barazisë dhe jo diskriminimit, të drejtës së arsimimit, strehimit, mbrojtjes sociale dhe të punësimit, të cilat mbrohen dhe nga Kushtetuta e vendit tonë dhe njëkohësisht dhe nga vetë Kuvendi si institucion ligjvënës, ka një rol kyç jo vetëm në miratimin e legjislacionit, por në mënyrë të veçantë për implementimin e tij në bashkëpunim me të gjithë aktorët qeveritarë dhe jo-qeveritarë.
Në përmbushje edhe të rekomandimeve të Bashkimit Evropian, Kuvendi e ka forcuar ndjeshëm bashkëpunimin me institucione të pavarura si Avokati i Popullit që e përshëndes për angazhimin e tij të përhershëm në bashkëpunim dhe me Kuvendin, nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, në interes të të drejtave dhe integrimit të të gjithë pakicave në vendin tonë, por veçanërisht të komunitetit rom.
Vendi ynë ka pasur dhe vazhdon të ketë një angazhim të përhershëm për përmirësimin e vazhdueshëm të standardeve të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, ndaj dhe vitin e kaluar është miratuar Plani Kombëtar i Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve për periudhën 2016-2020.
Ky plan pritet të adresojë fusha prioritare si Regjistrimi Civil, Punësimi, Arsimi Profesional, Kujdesi Shëndetësor dhe Strehimi.
Arsimi është sfidë kombëtare, por mendoj se përfshirja veçanërisht e të gjithë fëmijëve romë në arsimin parashkollor, i cili duhet të jetë i detyrueshëm për të gjithë, duhet të jetë një nga prioritetet tona.
Kjo nevojshmëri kërkon një legjislacion që sanksionon dhe garanton këtë përfshirje.
Por e rëndësishme është që të identifikohen ato arsye objektive dhe subjektive, të mbartura nga e shkuara dhe tradita apo dhe krijuara rishtaz që çojnë në moszbatimin në praktikë të arsimimit të fëmijëve romë.
Nuk mjafton vetëm legjislacioni, por duhet më shumë vullnet për zbatimin e tij.
Niveli arsimor i fëmijëve romë është problem i të sotmes, por akoma më shumë i të ardhmes, pasi pa arsimin e duhur ata nuk do të jenë realisht të integruar, por do të jenë të mënjanuar nga tregu i punës dhe në këtë mënyrë nuk do të kenë të drejtat e barabarta që meritojnë me të gjithë gjeneratën e tyre.
Duke njohur këtë realitet, duke e kuptuar këtë sfidë, ne jemi të vendosur të kontribuojmë për ta ndryshuar atë.
Kuvendi është një aktor i rëndësishëm në këtë përballje. Në aktivitetin e tij ai e ushtron vullnetin legjislativ përmes komisioneve parlamentare. Komisioni i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë i ka kushtuar vëmendje të posaçme trajtimit dhe problemeve të komunitetit rom në Shqipëri.
Është organizuar seancë dëgjimore për diskutimin e raportit të veçantë të Avokatit të Popullit për “Problematikat dhe gjendjen e të drejtave të komunitetit rom”, të cilin dua t’a falënderoj për angazhimin e tij.
Rekomandimet janë përcjellë në të gjitha ministritë përkatëse për të realizuar iniciativa legjislative për arsimin, për kriteret lehtësuese për përfitimin e ndihmës ekonomike, për mbrojtjen e interesave jetësore të komunitetit Rom në Shqipëri si dhe për marrjen e masave për regjistrimin në Gjendjen Civile.
Po kështu, dua të nënvizoj marrjen e masave për lehtësimin e kritereve për përfitimin e strehimit. Pikërisht problemi i strehimit është një nga sfidat më të rëndësishme që kushtëzon jetën standarde normale të këtij komuniteti.
Një vëmendje të veçantë duhet të marrë edhe pozita e gruas dhe vajzave rome në Shqipëri, veçanërisht të rinjtë romë dhe egjiptianë, të cilët duhet të kenë mundësi të reja për formim profesional, njëlloj si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre në vend, me qëllim që të jenë sa më të aftë për tregun e punës e punës në të ardhmen.

Po kështu, dua t’ju falënderoj që jeni mbledhur të gjithë sot në ambientet tona dhe t’ju siguroj se ne mbetemi maksimalisht të angazhuar si Kuvend për të mbikëqyrur vazhdimisht të gjitha institucionet shqiptare që duhet të garantojnë të drejtat tuaja ndërkohë që do të jetë gjithmonë ky Kuvend një platformë e hapur debati, ku jo vetëm deputetët, jo vetëm institucionet e pavarura, por edhe shoqëria civile dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë përfaqësuesit e komunitetit rom dhe egjiptian do të kenë hapësirën maksimale për të shprehur shqetësimet dhe sugjerimet e tyre.
Ju falënderoj