Meta takim me Komisionerin Hahn: Reforma në Drejtësi, kyçe për hapjen e negociatave

63
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti sot Komisionerin e Bashkimit Evropian për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit,  Kryetari i Kuvendit, Meta, shoqërohej prej Kryetares së Komisionit të Politikës së Jashtme, Arta Dade, Kryetares së Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, Majlinda Bregu, dhe Sekretares së Përgjithshme të Kuvendit, Albana Shtylla. Fokusi i bisedimeve mes Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, dhe Komisionerit të BE, Johannes Hahn, u vendos mbi rëndësinë e përmbylljes së fazës së ndryshimeve kushtetuese për reformimin e sistemit të drejtësisë, ku Meta rikonfirmoi se menjëherë pas dakordësisë së palëve politike në Komisionin e Posaçëm, ndryshimet e propozuara do të votohen menjëherë në Kuvend pa vonesa.

 Duke theksuar rëndësinë e konsensusit për një reformë të qëndrueshme, Meta shprehu mirënjohjen për kontributin e vyer të Komisionit të Venecias përgjatë këtij proces si dhe për mbështetjen e vazhdueshme të strukturave të Bashkimit Evropian, veçanërisht të Misionit EURALIUS në Tiranë dhe të Parlamentit Evropian në gjetjen e një kompromisi dhe për garantimin e gjithëpërfshirjes. Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit Meta vuri në dukje se faza e implementimit të reformës në drejtësi është kyçe jo vetëm për efikasitetin e luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe për përmirësimin e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë, veçanërisht në raport me investitorët. Komisioneri Evropian për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, u shpreh se përmbyllja e reformës në drejtësi është faza më kyçe e këtij procesi dhe vuri në dukje se reformimi i sistemit të drejtësisë është parakusht për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në këtë drejtim, Hahn theksoi se Komisioni Evropian do vazhdojë t’i qëndrojë pranë Shqipërisë për të përshpejtuar progresin e procesit të integrimit evropian të vendit, i cili duhet trajtuar si një interes i përbashkët kombëtar. Duke diskutuar mbi axhendën e reformave të tjera, Meta dhe Hahn theksuan më tej rëndësinë e realizimit në kohë të Reformës Zgjedhore në respekt të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Kryetari i Kuvendit, Meta dhe Komisioneri Hahn biseduan në përfundim edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon, ku u evidentua roli kyç i Shqipërisë, si dhe u nda bindja se Procesi i Berlinit është thelbësor për thellimin e ndërlidhjes dhe bashkëpunimit rajonal.