Meta takim me homologun hungarez: Lidhje e fortë historike mes dy popujve

420
Në kuadër të punimeve të Konferencës së 7-të të Kryetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Budapest, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, takoi Kryetarin e Parlamentit të Hungarisë, Laszlo Kover, të cilin e falënderoi për ftesën dhe për organizimin e kësaj konference sërish në Budapest. 
Meta vlerësoi mbështetjen e Hungarisë ndaj procesit të integrimit e evropian të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të rajonit, dhe vuri në dukje se Konferenca e Budapestit evidentoi qartazi se perspektiva evropiane e rajonit tonë duhet përshpejtuar në interes të stabilitetit e prosperitetit. 
Kover e falënderoi Metën për pranimin e ftesës në këtë konferencë rajonale dhe bëri një vlerësim të veçantë për marrëdhëniet e ngushta me Shqipërinë, duke theksuar se marrëdhëniet mes dy parlamenteve janë kyçe për forcimin e bashkëpunimit dypalësh. Meta dhe Kover ndanë bindjen se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të bazuara në marrëdhëniet e ngrohta njerëzore dhe në një lidhje të fortë historike mes dy popujve tanë. Në përfundim, dy kryeparlamentarët ranë dakord për intensifikimin e kontakteve mes komisioneve parlamentare në interes të bashkëpunimit në fushat e tregtisë, investimeve dhe shkëmbimeve arsimore.
Sigal