Meta takim me gratë deputete nga Parlamenti i Taxhikistanit

409
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot një përfaqësi të grave parlamentare nga Republika e Taxhikistanit, të cilat vizitojnë Shqipërinë me ftesë të OSBE-së me qëllim shkëmbimin e eksperiencave për rritjen e përfaqësimit të grave në jetën politike dhe për ndërtimin e një rrjeti kontaktesh dhe komunikimi me gratë deputete në Shqipëri. Kryetari i Kuvendit,  Ilir Meta u uroi mirëseardhjen në Shqipëri përfaqësueseve politike nga partitë e ndryshme politike të Taxhikistanit dhe vuri në dukje se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në rritjen e përfaqësimit të grave në politike duke shënuar përmirësime të dukshme në drejtim të barazisë gjinore. 

Kjo tha z. Meta është arritur përmes vendosjes së kuotave në listat elektorale dhe përmes kontributit të grave deputete në Kuvendin e Shqipërisë. Në këtë drejtim u vlerësua roli i OSBE/ODIHR në rekomandimet e ofruara për përmirësimin e kodit zgjedhor në Shqipëri. Përfaqësueset e delegacionit të grave deputete të Taxhikistanit shprehën kënaqësinë e tyre për këtë vizitë në Shqipëri si dhe mirënjohjen ndaj OSBE-së e cila mundësoi në sërë takimesh të rëndësishme në interes të rritjes së bashkëpunimit dhe përfitimit të eksperiencës shqiptare në rritjen e rolit të grave në politikëbërje. Kryetari i Kuvendit, z. Meta shprehu besimin e tij se me përmirësimet në kodin zgjedhor si dhe me bashkëpunim konstruktiv mes grupeve politike, Shqipëria do të ketë përfaqësim edhe më domethënës të grave në të gjitha sferat e jetës publike dhe politike në të ardhmen.
Sigal