Meta: Si ndërhyra te Rama që Blushi të bëhej ministër

37
Kryetari i Kuvendit zbulon përpjekjen që themeluesi i LIBRA-s të përfshihej në ekzekutiv: Vjen nga ndonjë planet tjetër

Ilir Meta ka deklaruar për herë të parë, se ka tentuar të ndërhyjë te kryeministri Edi Rama që Ben Blushi të përfshihej në qeveri. Bëhet fjalë për vitin 2013 kur fituesit e zgjedhjeve po ndërtonin qeverinë e re dhe Edi Rama po hartonte listën e ministrave. Gjatë një debati dje në Kuvend me themeluesin e LIBRA-s, kryeparlamentari përdori ironinë, duke e cilësuar Ben Blushin si të ardhur nga ndonjë planet tjetër. Ai e cilësoi diskutimin e Blushit, të mbushur me akuza ndaj mazhorancës, si një fjalim historik.

“Meqenëse qe një fjalim historik, unë u përmenda më shumë se gjithë politikanët e vjetër, nga një politikan i ri, i sapoardhur nga ndonjë planet tjetër. Dua t’i them të gjithë ministrave, kandidatëve për ministra, sot, nesër e për gjithmonë, që e vetmja ndërhyrje që kam tentuar të bëj pranë z. Rama kur është bërë qeveria, është që parafolësi të bëhej ministër”, tha Meta. Më tej, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim ironizoi edhe me faktin, se deputeti Blushi nuk është një politikan i ri.

“Por ndoshta mirë është bërë që nuk është bërë Ministër, sepse Shqipëria ka një alternativë të re, një shpresë të madhe, një njeri të paprovuar asnjëherë. Ka të drejtë të kërkojë të votohet dhe të besohet”, tha Meta.

Nga ana e tij, drejtuesi i LIBRA-s, Ben Blushi, deklaroi në seancën parlamentare se ndryshimet e fundit në qeveri dhe heqja e Saimir Tahirit, në fakt janë “taksa e Metës për Rilindjen”. Sipas Blushit, ky është i vetmi koalicion “që funksionon kështu, me taksa”.

“Koalicionet duhet të funksionojnë me parime, për më shumë vende pune, për reformën në arsim, për të rritur pagat e pensionet, për reformën në drejtësi etj. Atë që Meta nuk e do për ministër, ai ministër nuk është. Ky është fakt. Kë pranon Ilir Meta për kryeministër, ai është kryetar i PS. Këtë e keni sanksionuar në statut”, tha Blushi. Sipas tij, vetëm kosto e shëndetit është rritur me 300 milionë euro. “I vetmi investim që keni, janë paratë që do të hidhen në fushatë. Eshtë rritur kosto e jetesës, çmimi i naftës, energjia elektrike etj.”, tha Blushi në fjalën e tij.

Pas bojkotit të opozitës, deputeti Ben Blushi dhe kolegia e tij Mimoza Hafizi janë kritikët e vetëm të qeverisë në Kuvend. Megjithatë është hera e parë që Meta ka zgjedhur të replikojë me Blushin, pas akuzave të tij për mazhorancën qeverisëse. 

Kryeministri Edi Rama vendosi pak ditë më parë të ndryshojë katër nga ministrat e qeverisë së tij, megjithatë ende dekretet për shkarkimin dhe emërimin e anëtarëve të rij të ekzekutivit nuk kanë marrë firmën e Presidentit të Republikës. Burime nga Presidenca kanë bërë të ditur për median, se emrat e rinj të propozuar të Rama (Fatmir Xhafaj, Ogerta Manastirliu, Eduard Shalsi dhe Olta Xhaçka) do të kalojnë në një proces verifikimi.