Meta shtyn për në 2016 vizitën në Serbi për të drejtuar seancën e fundit parlamentare

438
TIRANE – Mbajtja e seancës së fundit për këtë vit është bërë shkak që kryetari i Kuvendit Ilir Meta të shtyjë për në fillim të vitit të ardhshëm vizitën tre ditore në Serbi, planifikuar të niste këtë të hënë. Ky fakt u konfirmua nga burime për Shqiptarja.com të cilat saktësuan se vizita zyrtare nuk do të zhvillohet për shkak të axhendës parlamentare. Në rend të ditës së seancës plenare të së hënës janë marrëveshja me Fondin për Zhvillim Abu Dhabi, për financimin e Bulevardit të Tiranës, amnistia e fundvitit si dhe ligji për lojërat e fatit. Pas kësaj seance, deputetët pritet të marrin pushimet e fundvitit, për t’u ritakuar sërish në mes të janarit.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta do të nisej këtë 21 dhjetor për në Serbi ku ishte parashikuar të qëndronte deri më 23 dhjetor.
Vizita zhvillohet në kuadër të angazhimit për shkëmbime të mëtejshme parlamentare mes dy vendeve, angazhim ky që u mor gjatë vizitës në prill të këtij vitit në Tiranë, të kryeparlamentares serbe, Maja Gojkoviç. Meta do të pritej nga zyrtarët më të lartë të shtetit, si presidenti Nikoliç, kryeministrin, Vuçiç dhe kryeparlamentarja Gojkoviç. 
Meta ka vizituar Beogradin zyrtar dy herë të thera. Vizita e parë si ministër i Jashtëm, dhe e dyta si kryetar i Lëvizjes Socialist për Integrim, i ftuar nga presidenti i atëhershëm i Serbisë, Boris Tadiç. Vizita e fundit e një zyrtari të lartë shqiptar në Serbi ishte ajo e nëntorit 2014 e kryeministrit Edi Rama.
Sigal