Meta shtyn për 2016 nismat e PS-PD për tërheqjen e dekoratave

478
TIRANE – Një projektligj nga mazhoranca dhe një rezolutë nga opozita janë hartuar për heqjen e dekoratave dhe medaljeve ndaj ish-zyrtarëve të komunizmit, por asnjëra prej tyre nuk do të diskutohet dhe miratohet këtë vit në Kuvend. Paraqitja në moment të fundit e këtyre dy drafteve dhe kërkesës për të kaluar me procedurë të përshpejtuar në Kuvend, bie ndesh me rregulloren e Parlamentit. Kjo pasi në seancën e fundit plenare për 2015-ën është futur në rend dite votimi me procedurë të përshpejtuar i ngritjes së komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore. Rregullorja e Kuvendit parashikon që në rendin e ditës të futet me procedurë të përshpejtuar vetëm një akt, ndaj kryeparlamentari Meta , ashtu siç u vendos edhe në Konferencën e kryetarëve të grupeve, i qëndroi vendimit për të mos i miratuar draftet në këtë seancë.
Amendamentet e hartuara nga socialisti Taulant Balla janë depozituar në Kuvend, ndërsa draft-rezoluta e demokratëve ende nuk është futur në procedurat parlamentare.
Kjo është seanca e dytë pas asaj të së enjtes që diskutohet për medaljen që qeveria e majtë i dha një vit më parë Shyqyri Çokut, hetuesit të At Zef Pllumit i cili ishte në listën e veteranëve të kategorisë së parë firmosur nga Sali Berisha si president në vitin 1995. Vetë kryeministri Rama, deklaroi nga seanca e shkuar se qeveria do të tërheqë të gjitha medaljet dhënë atyre që opozita i quan “xhelatë të komunizmit”.
Debatet ne Kuvend 
Ruci: Medalja në zbatim të ligjit, ministri shpalosi ndjesën humane dhe gatishmërinë politike për të bërë korrigjesat ligjore në rrugën institucionale nga parlamenti. Kjo qysh ditën e enjte, grupi i mazhorancës e ka institucionalizuar në një nismë ligjore. kërkova në konferencën e kryetarëve që me procedurë të përshpejtuar kjo kërkesë e opozitës të futet në rend dite dhe të miratohet. sipas procedurës kjo u refuzua pasi për shkak të procedurës nuk mund të kalojnë dy me procedurë të përshpejtuar. Kolegë të opozitës, siç kërkoni zbatimin e procedurave për ligje të rëndësishme, ashtu duhet ta zbatoni edhe për kërkesat tuaja. Kërkesa juaj bëhet nul me nismën e dorëzuar qysh seancën e kaluar. Keni qenë 13 vjet në pushtet, sot doli problemi? Për të dekriminalizuar periudhën e komunizmit, Keni pasur 16 vjet presidentët tuaj, sot doli problemi? Unë e kuptoj që jeni pa kauzë dhe bëni çfarë ju del brenda ditës. mësoni të bëni opozitën, nuk do jua japim nismat gati, akoma nuk keni marrë vesh se si bëhet opozita. Fatkeqësi është, por ky është realiteti i hidhur, ishalla mësoheni shpejt. Ju vazhdoni në axhendën tuaj ne nuk jemi këtu si mazhorancë që ta kthejmë parlamentin në axhendë të opozitës për interesa elektorale që keni ju.
Paloka: Të na akuzoi Gramoz Ruci se ne qenkemi ata që nuk e paskemi dënuar komunizmin…Unë po ju kujtoj se kanë qenë deputetët e PD që me të ardhur në parlament miratuan ligjin anti-genocid, që dënoi nomenklaturën komuniste çoi në burg ata që dekoroni ju sot, por i ndaloi me ligj kriminelëve të atij regjimi të merrnin poste publike. Sa erdhët ju në pushtet i dhatë mundësi për poste dhe kërkoni rehabilitimin e tyre duke i dhënë dekorata e duke nxjerrë portretin e Enver Hoxhës.
Nëse doni lëreni hipokrizinë ekstreme që karakterizon kryetarin tuaj. 25 vjet nuk keni kërkuar ndjesë akoma dhe sot na flisni për faj të Partisë Demokratike. I jepni dekorata dhe thoni fajin e ka Sali Berisha, e kishit mundësinë që pas dekoratës brenda 5 minutave ta hiqnit pasi morët vesh se aty ishte ai që ka torturuar At Zef Pllumin. Por nuk donit, nuk doni as tani, e bëni me detyrim nga halli. Hajde ta kalojmë edhe rezolutën, edhe projektligjin tuaj po deshët. T’i kalojmë të dyja. Në rezolutën tonë ka pika që nuk i keni në projektligj.
Meta: Ju lutem të mos vazhdojmë më me këtë debat, konferenca diskutoi.
Topalli: Asnjë ligj nuk e pengon që të hyjë me procedurë të përshpejtuar rezoluta e opozitës. Ngjarja ka ndodhur një vit më parë, emrat janë marrë vesh tre javë përpara, opozita ka reaguar në mënyrën më të rrufeshme. Nuk ka nevojë për të hequr dekoratat, mjafton vetëm një VKM- një urdhër i kryeministrit dhe nuk ka nevojë as për ligj as për procedurë të përshpejtuar. Ndaj është hipokrizi.
Paloka: Kërkojmë të futen në rend të ditës edhe rezoluta edhe projektligji
Meta: Rezoluta juaj u kontestua se nuk është depozituar akoma formalisht në Kuvend. Lidhur me iniciativën e zotit Balla pavarësisht nga kërkesa e Rucit u bë e qartë që ajo nuk mund të shqyrtohet sot se e kemi një akt që kalon me procedurë të përshpejtuar dhe nuk mund të kalojnë dy. Mos të vazhdojmë më me një debat ku secila nga palët e paraqitën pozicionin e vet.
Sigal