Meta: Shqipëria, partner i besueshëm dhe solid për axhendën euro-atlantike në Ballkan

503
Sigal

Kryetari i Kuvendit,
Ilir Meta ka bërë një analizë për gazeten “New Europe” për partneritetin e
Shqipërisë me vendet e rajonit.

Meta në këtë analizë
veçon rëndësinë e bashkëpunimit rajonal me vendet e Ballkanit duke nënvizuar se
Shqipëria ndonëse një vend i vogël nga ana gjeografike, mund të luaj një rol të
madh në axhendën euroatlantike për të gjithë rajonin. “Shqipëria, një vend
modest i Europës Jug-Lindore, po ecën në mënyrë të qëndrueshme në rrugëtimin e
saj drejt integrimit europian, pavarësisht sfidave të veta dhe lodhjes nga
zgjerimi, me të cilin po përballet BE-ja”, thotë Meta në analizën e tij.

Kryetari i Kuvendit,
duke analizuar klimën e krijuar brenda Bashkimit Europian, si edhe zgjedhjet e
ardhshme në disa vende të BE-së si Franca, Hollanda e Gjermania, thekson se në
këtë kuadër, Shqipëria duhet të forcojë politikën e saj të jashtme rajonale për
integrimin e të gjithë rajonit në Bashkimin Europian, pasi kjo do t’i shërbejë
jo vetëm të ardhmes së popujve të Ballkanit, por edhe do të forcojë sigurinë
dhe stabilitetin e një kontinenti të tërë.

“Në këtë kuadër,
Shqipëria duhet të forcojë politikën e saj të jashtme dhe rajonale,
tradicionalisht pozitive dhe konstruktive, me një sens më të mprehtë qasjeje
vizionare, të palëkundur në besimin tonë të sinqertë se integrimi i plotë i të
gjithë fqinjëve tanë në BE dhe në NATO do ti shërbejë, jo vetëm të ardhmes së
qytetarëve tanë, por dhe do të forcojë sigurinë dhe stabilitetin e një
kontinenti të tërë. Besimplotë në aleancën tonë strategjike me Shtetet e
Bashkuara, të cilën do të vazhdojmë ta çojmë më tej me administratën e re
amerikane, dhe të sigurt për integrimin tonë të plotë në Bashkimin Europian,
mbështetemi në një partneritet të fortë dhe të shëndetshëm
Trans-Atlantik”, shprehet Meta.

Sipas tij, kjo do të
thotë një Europë e qëndrueshme dhe tërësisht e plotësuar me Ballkanin, si pjesë
integrale e saj, dhe një NATO e fortë dhe efikase.

“Shqipëria do të
vazhdojë të punojë kundër çdo alternative nacionaliste apo populiste në rajonin
tonë, e bindur se vetëm një rajon i hapur, demokratik dhe pluralist, pa pengesa
garanton stabilitet, siguri dhe progres social për shoqëritë tona”, pohon
ryetari i Kuvendit.

Analiza e plotë e
Kryetarit të Kuvendit për gazetën “New Europe”

Nga Ilir Meta

Shqipëria – Një partner
i besueshëm dhe solid për axhendën euro-atlantike në Ballkan

Shqipëri-Tiranë –
Ndërkohë që viti 2016 i afrohet një fundi të trazuar, gjithnjë e më tepër bëhet
e qartë se rendi ndërkombëtar, dhe në veçanti strukturat europiane, po
përballen me sfida ekzistenciale shumë të mëdha dhe të paparashikueshme, me
përmasa historike.

Ndërkohë që këto
zhvillime të reja shtrihen dhe në 2017-ën dhe përtej, ne, në Europën
Jug-Lindore, dhe veçanërisht në rajonin e Ballkanit, duhet të sigurohemi që
vlerat themeluese të Bashkimit Europian dhe angazhimet Trans-Atlantike,
pavarësisht sfidave aktuale, të çohen përpara dhe të përhapen në jetën tonë
institucionale dhe politike.

Shqipëria, një vend
modest i Europës Jug-Lindore, po ecën në mënyrë të qëndrueshme në rrugëtimin e
saj drejt integrimit europian, pavarësisht sfidave të veta dhe lodhjes nga
zgjerimi, me të cilin po përballet BE-ja.

Nga fundi i vitit 2016
Shqipëria ka marrë nga Komisioni Europian rekomandimin pozitiv për hapjen e
bisedimeve të pranimit për anëtarësimin në BE, i dhënë nga vendet anëtare në
takimin e dhjetorit të Këshillit Europian, në Bruksel, me kushtin që vendi të
avancojë me zbatimin e “Reformës në Drejtësi”, një moment historik dhe
vendimtar, që do të rindërtojë të gjithë sistemin e drejtësisë dhe shpresojmë
ta riorganizojë për mirë.

Një klimë e brendshme
politike më konstruktive dhe bashkëpunuese, veçanërisht në lidhje me çështjet
europiane, do t’i shërbente peshës së pamohueshme të Shqipërisë në rajon dhe
përtej.

Unë, nën përgjegjësinë
time si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë që nga viti 2013, kam punuar për të
inkurajuar klasën tonë politike drejt një konsensusi të dakorduar si
“gentelmen”, në mënyrë që kur bëhet fjalë për vendime të politikës tonë të
jashtme dhe asaj rajonale, ne duhet të jemi të bashkuar për të projektuar një
vizion kombëtar të qartë, të fortë dhe të pakundërshtueshëm.

Shqipëria, megjithëse
një vend modest sa i përket aspektit gjeografik, duhet të luajë një rol
specifik në Ballkan.

Kjo jo vetëm për shkak
të popullsisë etnike shqiptare që rrethon kufijtë e saj në Mal të Zi, Kosovë,
Maqedoni dhe Serbinë Jugore, por gjithashtu për shkak se Shqipëria është, pa
dyshim, vendi më pro Euro-Atlantik në rajon dhe, si i tillë, mbart një përgjegjësi
të veçantë për të avancuar me axhendën Trans-Atlantike në rajonin tonë të
brishtë.

Që nga rënia e
komunizmit, periudha e tranzicionit të Europës Jug-Lindore është e ndikuar fort
nga agjenda më e gjerë Euro-Atlantike, me secilin vend që aspiron të anëtarësohet
në Bashkimin Europian dhe në NATO.

Nga ana tjetër, vetë
Bashkimi Europian dhe transformimi i NATO-s pas Luftës së Ftohtë janë ndikuar
së tepërmi nga zhvillimet në rajonin tonë, gjë që dëshmon rëndësinë e tij të
pamohueshme gjeo-strategjike.

Kjo bëhet akoma më e
rëndësishme për vitin e ardhshëm dhe dekadën e ardhshme, ndërkohë që aktorë të
ndryshëm botërorë konkurrojnë për të zgjeruar ndikimin e tyre në të gjithë
rajonin.

Siç është treguar këto
dy vitet e fundit nga kriza e paprecedentë e emigracionit dhe sulmet
terroriste, Europa si një e tërë duhet të jetë më e bashkuar, më e koordinuar
dhe më e mirë- pregatitur për zhvillime të mundshme destabilizuese, të
përmasave njerëzore shumë të mëdha.

Pasiguria,
paqëndrueshmëria dhe mospajtimi në atë se si i trajtojmë sfidat e së ardhmes me
siguri do të rrisin pasigurinë për shoqëritë tona dhe do të vazhdojnë të
shtyjnë qytetarët e dëshpëruar të Europës të mbështesin alternativat politike
nacionaliste, populiste dhe ksenofobe, gjë që mund të vejë në pikëpyetje të
gjithë rendin perëndimor.

Brexit ishte këmbana e
parë e alarmit për një rend të ri e të pasigurtë në Europë, dhe zgjedhjet e
ardhshme në Hollandë, Francë dhe Gjermani rrisin frikën se një Bashkim Europian
i dobësuar mund të mos jetë i mirë për pjesën tjetër të Europës, dhe sigurisht
që nuk do të ishte i mirë për pjesën tonë të botës që historikisht është shqyer
mes Perëndimit dhe Lindjes.

Në këtë kuadër,
Shqipëria duhet të forcojë politikën e saj të jashtme dhe rajonale,
tradicionalisht pozitive dhe konstruktive, me një sens më të mprehtë qasjeje
vizionare, të palëkundur në besimin tonë të sinqertë se integrimi i plotë i të
gjithë fqinjëve tanë në BE dhe në NATO do ti shërbejë, jo vetëm të ardhmes së
qytetarëve tanë, por dhe do të forcojë sigurinë dhe stabilitetin e një
kontinenti të tërë. Besimplotë në aleancën tonë strategjike me Shtetet e
Bashkuara, të cilën do të vazhdojmë ta çojmë më tej me administratën e re
amerikane, dhe të sigurtë për integrimin tonë të plotë në Bashkimin Europian,
mbështetemi në një partneritet të fortë dhe të shëndetshëm Trans-Atlantik.

Kjo do të thotë një
Europë e qëndrueshme dhe tërësisht e plotësuar me Ballkanin, si pjesë integrale
e saj, dhe një NATO e fortë dhe efikase.

Shqipëria do të
vazhdojë të punojë kundër çdo alternative nacionaliste apo populiste në rajonin
tonë, e bindur se vetëm një rajon i hapur, demokratik dhe pluralist, pa pengesa
garanton stabilitet, siguri dhe progres social për shoqëritë tona.

Të udhëhequr nga
parimet e pandryshuara të marrëdhënieve të hapura, të sinqerta dhe të
fqinjësisë së mirë, ne do të vazhdojmë të mbështesim përshpejtimin e integrimit
Euro-Atlantik të të gjithë fqinjëve tanë, si e vetmja alternativë që forcon
paqen dhe sigurinë për të ardhmen.

Kjo është arsyeja pse
Kuvendi i Shqipërisë ishte ndër të parët që ratifikoi Protokollin e
Anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, të kënaqur se anëtarësimi në Aleancë i
mikut tonë verior do të plotësojë një koridor bregdetar Adriatiko-Jonian
tërësisht të sigurtë dhe të garantuar.

Ne do të vazhdojmë të
intensifikojmë bashkëpunimin tonë të shkëlqyer me Malin e Zi dhe do të
mbështetemi tek minoriteti shqiptar atje, si një urë e shkëlqyer miqësie dhe
partneriteti.

Marrëdhëniet tona shumë
të ngushta me Kosovën janë ngritur drejt një bashkëpunimi institucional më
cilësor, përmes shkëmbimeve në të dyja anët e kufirit.

Shqipëria do të
vazhdojë të lobojë për më shumë njohje ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës,
ndërkohë që do të çojmë përpara axhendën e integrimit të saj në organizatat
rajonale dhe ndërkombëtare. Kjo është e domosdoshme për qytetarët e Kosovës dhe
jetike për të gjithë rajonin.

BE-ja nuk duhet ta
vonojë më regjimin pa viza për qytetarët e Kosovës, ndërsa dialogu midis
Serbisë dhe Kosovës duhet të avancojë me rezultate të prekshme dhe me një
mirëkuptim konstruktiv dhe të ndërsjelltë. Shqipëria do të vazhdojë të nxisë
normalizimin e plotë të marrëdhënieve Serbi-Kosovë, që duhet të kulmojnë me
njohjen e Kosovës.

Shqipëria duhet dhe do
të vazhdojë të nxisë marrëdhënie më të ngushta dhe më të hapura me Serbinë,
pasi nëse rajoni do të përparojë, ai duhet të hedhë pas krahëve zakonet dhe
barrierat e vjetra, dhe të ecë përpara drejt shkëmbimeve më të shumta politike,
kulturore, tregtare dhe ekonomike.

Angazhimi i sinqertë
nga Tirana, qoftë me homologët tanë në Beograd, apo me përfaqësuesit tanë
shqiptarë në Luginën e Preshevës në Jug të Serbisë, gjithmonë i ka drejtuar
marrëdhëniet drejt një prirjeje pozitive.

Ndërkohë, Shqipëria do
të vazhdojë të rrisë kontributin e saj për një Maqedoni të qëndrueshme dhe të
zhvilluar, e cila ka nevojë të integrohet plotësisht në NATO dhe në BE. Kuvendi
i Shqipërisë do të vazhdojë të inkurajojë faktorin e rëndësishëm etnik shqiptar
që të jetë një forcë shtytëse për integrimin europian dhe për një orientim të
qartë euro-atlantik.

Në ndjekjen e politikës
tonë rajonale, ne do të vazhdojmë të mbështetemi fort tek dy fqinjët tanë të
BE-së, Italia dhe Greqia, si dy partnerë jetikë dhe strategjikë dhe avokatë të
fortë të axhendës tonë europiane dhe zhvillimit tonë ekonomik.

Ata që kanë qenë
dëshmitarë të rendit të mëparshëm komunist në rajonin tonë e dinë shumë mirë që
ekziston një lidhje direkte mes shoqërive të hapura demokratike dhe begatisë
ekonomike.

Është në mënyrë të
pamohueshme e vërtetë që axhenda euro-atlantike ka qenë vendimtare për çuarjen
përpara të këtyre ambicieve për të gjithë rajonin.

Kjo është veçanërisht e
vërtetë për të gjithë ata që janë në vijën e parë të zhvillimit të të gjithë
Europës Qendrore dhe Jug-Lindore.

Ndaj, detyra jonë për
vitin 2017, në Shqipëri, kudo në Ballkan dhe përtej do të ishte përshpejtimi i
veprimit tonë të përbashkët, së bashku me BE-në dhe NATO-n, si dhe me shoqërinë
civile dhe grupet e interesit në vendet tona, për të forcuar kredencialet tona
demokratike.

Kjo do të thotë forcim
i dukshëm i shtetit të së drejtës, luftë më e ashpër kundër korrupsionit
endemik dhe krimit të organizuar, sistem drejtësie solid dhe i pavarur, më
shumë transparencë në mënyrën tonë të qeverisjes dhe llogaridhënie të plotë në
jetën publike, si një element i panegociueshëm i rrugëtimit tonë drejt një
zhvillimi të zgjuar dhe të qëndrueshëm politik, ekonomik dhe social për brezat
tanë të ardhshëm.