“Meta shkarkohet si President”, LSI ia kthen prerë Ruçit: Qeveria me vota të vjedhura nuk dekretohet

526
Pas deklaratës ‘bombë’ të kreut të Grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi lidhur me paralajmërimin se presidenti Ilir Meta mund të shkarkohet pas pretendimeve se nuk do t’i njohë zgjedhjet, ka ardhur dhe reagimi i LSI-së.
Kështu, nënkryetari i LSI-së, Luan Rama komentoi deklaratën e Metën, ndërsa nënvizoi edhe njëherë qëndrimin e Metës, duke theksuar faktin se nuk do të njihen zgjedhjet e vjedhura, kryeministri apo ministra, që dalin nga votat e grabitura.

“Po e ritheksoj atë që tha Meta në cilësinë e presidentit të zgjedhur të Shqipërisë. Në mënyrë legjitime, nga një Kuvend legjitim: Ai tha: Nuk do të dekretoj asnjë kryeministër dhe asnjë ministër që del nga zgjedhje të vjedhura. Nuk e kuptoj ca problemi ka zoti Ruci me këtë përcaktim, që në fakt është në mbrojtje të standardit të zgjedhjeve. Nëse ka ndonjë skenar për të nxjerrë kryeministër me zgjedhje të vjedhura e manipuluara ky është problem tjetër, ndaj të cilit nuk do të reagojë vetëm Meta si president, por do të reagojnë të parët të gjithë shqiptarët, sepse ka ikur koha e zgjedhjeve nën presion, frikë, kërcënim e hakmarrje politike. Precedentët parazgjedhor, me këto grupet e Gardistëve të kuq, është shenjë alarmi, ndaj apelojmë që t’i lënë lojërat e instrumentalizimit të shtetit, për të larguar nga puna politikisht qytetarë të lirë të vendit që kanë në themel të garantimit të Kushtetutës, që të zgjedhin pikëpamjet e tyre politike. Lojërat për të trembur, janë lojëra të turpshme dhe modeli më i turpshëm i Gestapos. Askush të mos trembet, nëse zoti Meta deklaron se nuk do të dekretojë asnjë kryeministër e as ministër që del nga zgjedhjet e vjedhura. Ky ka qenë deklarim i hapur dhe në sytë e të gjithëve.”, tha Rama.

Pyetjes se si do të reagojë Meta në konstatohet se zgjedhjet janë vjedhur, Luan Rama pohoi se ka standarde të përcaktuara nga OSBE-ODHIR. “Ka standarde të përcaktuara nga OSBE-ODHIR dhe qytetarët shqiptarë e dinë që të lexojnë dhe kuptojnë nëse do arrihen zgjedhjet e lira. Çdo sjellje ndryshe e standardeve, do mbajnë përgjegjësi cilido që prish këto standarde”, tha Luan Rama.
Sigal